Ciklin e dëgjimeve buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2025, Komuna e Gjilanit e ka përmbyllur sot me një takim kryesor, i cili është mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal.
Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit, ka thënë se gjatë javës janë mbajtur pesë dëgjime buxhetore nëpër lokalitete dhe interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë dhe për t`i paraqitur kërkesat e tyre, ka qenë i kënaqshëm, veçmas në fshatra.
Riad Rashiti, drejtor për Buxhet e Financa, i cili e ka prezantuar KAB-in, ka thënë se gjatë viteve 2023-2025 buxheti komunal do të shënojë rritje nga viti në vit.
Buxheti i planifikuar për vitin 2023 do te jetë 32 milionë e 599 mijë euro, ose për 3.5 milionë më i madh se buxheti i këtij viti, kurse investimet kapitale shënojnë rritje për 1.7 milion euro.
Për vitin 2024 buxheti i planifikuar do të jetë 34 milionë e 730 mijë euro, kurse për vitin 2025 – mbi 36 milionë euro.
Të hyrat vetanake komunale po ashtu do te shënojnë rritje graduale: nga 4.9 milionë në vitin 2023, në 5.1 milionë në vitin 2024, përkatësisht 5.3 milionë në vitin 2025, ka thënë Rashiti, i cili ka dhënë edhe hollësi për tendencat buxhetore për tri vitet e ardhshme.
Me pyetje, propozime e kërkesa konkrete për investime në lokalitetet ku ata jetojnë, janë përfshirë në debat dhjetëra qytetarë të pranishëm, si Avni Shkodra, Izer Zeqiri, Rexhep Sejdiu, Lirim Rashiti, Mursel Zymberi, Fadil Abazi, Ruzhdi Selimi, Shyqeri Salihu, Ramadan Mehmeti e të tjerë.
Kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku, ka thënë se disa prej kërkesave të parashtruara, siç është ajo për vazhdimin e sheshit në pjesën veriore, rrugët dhe të tjera janë në proces të fillimit të punimeve.
Riad Rashiti (DBF) tha se kërkesat do të merren parasysh dhe ato do të realizohen si prioritete brenda mundësive buxhetore.
Përgjigje në interesimet e qytetarëve kanë dhënë edhe drejtorët Ali Arifi (Urbanizëm), sa i përket dhënies së leje të ndërtimit, përkatësisht Bajram Isufi (Bujqësi dhe Pylltari), në lidhje me kërkesën për rritjen e subvencioneve në bujqësi. /2LONLINE/