Sabit RRUSTEMI
( Me rastin e 35 vjetorit të krijimtarisë letrare – poezitë e shpërblyera në vitet 1979 – 2012 )
SËMUNDJA E DHËMBIT
1. (Në dhëmb krimbi)
Në rrënjën tënde
Krimbi ka zënë vend
Të therë
Të helmon
Të shtrëngon
Zemrën tënde kërkon fole
Po u vendos aty
Nga shtrati ti dole
Në rrënjën tënde
Krimbi bëri vend
Nxirre atë rrënjë
Shërimi yt
Shpëtimi i të tjerëve
2.(Dhëmbi artificial)
Dhëmb i ngjitur
Artificialisht
Plotëson një vend
Të mbetur bosh
Përherë me rojë
Dhëmb i ngjitur
Artificialisht
Pa rrënjë
Shtyllat nuk të mbajnë
Përherë
Je e nuk je
Dhëmb i ngjitur
Artificialisht
Mbulon tonën shëmti
Asgjë tjetër
3. (Dhëmb i fëmijërisë)
Shpejt u mplake
Jetëshkurtri im
Dhëmbi i fëmijërisë
Më i vogli dhëmb
Më i dashuri
Më i bukuri dhëmb
Të hodha mbi kulm
Të shtëpisë
Për një dhëmb më të ri
Korbat s’di ka të kanë batur
S’di ka të kanë çartur
Jetëshkurtri im
Mashtrimi im
Dhëmbi i fëmijërisë
(1979 -Vendi i dytë për poezinë “Sëmundja e dhëmbit”, revista letrare “Jeta e Re”, Prishtinë)
FOTOGRAFIA E NËNËS
Kjo fotografi
Rastësisht është bërë
Nëna s’ kish kohë
Të dilte në kopsht
T’i rregullonte flokët
Në çerep kish bukën
Mund t’i digjej
E vaj halli kur të ktheheshin
Burrat prej mali
U ndal në prag të derës
Ashtu siç ishte
Rrezja e diellit e puthi në ballë
PASOJAT E FËMIJËRISË
Plagët e lindjes nuk më përkasin mua
Ato le t’i kujtojë nëna
Unë i a hoq velin mashtrimit të gjetjes
Të posalindurit nuk kanë dhëmbë për shalqinj
As kthetra për t’u fshehur në kopsht
E di ku më ka gjetur
Dhe këtë s’ po e them
…
Gëzofin nuk e ndërrova
Si kërkonte moti
Ç’mos më gjeti
Zura në prag të portës
Tri vjet me radhë belbëzova
Rashë nga sghkallët
Sepse nuk kaloheshin symbyllas
Si doja
Theva krahun
Më ra gomari shqelëm
Në faqen e djathtë shenjë më la
Sepse nuk e preferoja rregullën e lojës
Uljen e qafës
Më dogji hithi i babës
Sepse dendur përmendja djallin
Pa ditur se kështu fyeja zotin
Të cilit nuk i u fala më
Më pranuan për bari
Po fyellit vështirë
I a mbushja vrimat
Qentë më largoheshin
Ujqit më vinin pas tinëzisht
Po asnjëherë s’i ftova me bisht
Veç grigja e deleve më preu në besë
Hyri për të kullotë në bimën e re
Prej ngutisë bëra hop
Pa e kërcyer gardhin
Theva këmbën
Po s’ mbeta në shtëpi
Librat kurrë nuk m’i blenë me kohë
Artin e të heshturit mësova
Të mos nxjerr zë
Nga shkopi i thanës
Nëpër prova të dhimbshme të jetës reale
Sytë e mi
Nuk pajtoheshin me zhveshjen e aureolës
(1984)
(1984 – Vendi i dytë dhe i tretë për poezi, “Fotografia e nënës” dhe “pasojat e fëmijërisë”, revista letrare “Pionieri”, Prishtinë)
PYLLI I BRINJËS
Kaq lehtë t’u besosh fjalëve
Makbeth Makbeth
Mos ishe në ëndërr i përgjumur
Apo njollat e pafshira të gjakut
Të kishin çmendur i çmendur
Pylli i Brinjës nuk lëviz
Vetëm era luan me degët e tij
Makbeth zanash i zanuar
Pylli i Brinjës
Rri aty ku është
Veç degët populli ia rrëmben
Masa e tërbuar kah ti vjen
Ti nuk i sheh ata
Pyllin e Brinjës sheh
Ja tek po t’i zë udhët
Tek po të zdirgjet mbi sy
Për kokën tënde të nemur
Lëviz Pylli i Brinjës lëviz
(1985 – Vendi i parë për poezinë “Pylli i Brinjës”, “Zëri i rinisë”, Prishtinë)
ORARI I TË PAPUNËVE
Zgjimi ynë nuk është i akorduar
Zgjohemi jashtë orarit
Me gishta i hapim sytë i ndreqim flokët
Me ujë akulli i shpërlajmë ëndrrat
Oreksin e prishim me konkurse
Hamë pa kushte nëpër fletëmure
Tallemi me sho-shokun e të tjerët si ne
Lëshojmë fjalë pa honorar
Vashave u japim shkas për një buzëqeshje
Përgojojmë për lojërat false
Pahetueshëm zënë e na bien flokët
Dhëmbët na prishen prej gjakut nervoz
Pastaj dhemb koka të therrurat në gjoks
Kur dita na tradhton e shkelim rikfercin
Për t’i akorduar shpresat e ç’akorduara
Në gjumin tallës me dëshira të avulluara
(1986 – Vendi i dytë për poezinë “Orari i të papunëve”, “Zëri i rinisë”, Prishtinë)
KËPUCËT NË MENOPAUZË
Përnatë yndyrë të zezë u japim këpucëve
Të rejave ua zbutim lëkurën
Të vjetrave ua fshehim plagët
Secilat me radhë nën emra njerëzi
I vëmë në gjumë
Vitrinave të sjella enkas flejnë
Pa i përkundur askush
Sall ne me radhë i ruajmë i numërojmë
Ato të zgjidhura s’lëvizin fare
Pushimin thellë e pijnë me fund
Buzëgaz kur s’vjenë askund
Të rejave u vizëllon fytyra
Të vjetrave u fashitet barku
Po si nuk i tremb kjo qetësi nate
Praën betoni akull
Tashmë kur çdo cast maskat i ndërrohen motit
Thinja të reja duken kokës globit
Këto këpucë shfrytëzojnë rastin
Në menopauzë kënaqen së heshturi
Fare s’çajnë kokën për udhëtimet e nesërme
(1989 – Vendi i dytë për poezinë “Këpucët në menopause”, revista “Zëri i rinisë”, Prishtinë)
ARNIMI I SHTËPISË
Shtëpia është këtu prej që mbahet mend
E papërthekuar nga datat njerëzit biografitë
Herë i ndërrohen themelet muret mbulojat
Herë hyrje daljet dyert dritaret
Mbetet në të njejtën tokë përsëri
Përdorë ushqim gurësh balte e drurësh
Kur e kërcënojnë shembjet
Prej visesh tjera shfaqen mjeshtrit
Me strajca e alete nisin arnimin
Mjeshtrit tanë ëndërrojnë projekte të reja
Në mungesë përvoje marrin botën në sy
Arnojnë shtëpitë e të tjerëve
Ndërsa të veten ua shemb pika
Nënat plaken në endje e s’mbesin as una zjarri
Motrat shterrin veten me lot e gjilpëra
Gratë thinjen duke i lëpirë trarët e blozuar
Fëmijët ah fëmijët zogj ngricash tresin në ajri
E burrat fikall nën lisa
As nxjerrin zë as protestojnë
Për një mal arnash që i nxijnë sysh
Shtëpia zbrazet e mbushet mbushet e zbrazet
Për hatër sigurie nga këmbët ia heqin dheun
Mjeshtrit e tjerë nga vise të tjera
Had të ri ngrisin sipri
Shtëpia me gurë të bluar murëlëmuar
Trarëbutë e krerëbrishtë
Veshur në lesh xhami
Mbështjellur në faqe letre
Del prej origjine bëhet kopje e zbehtë
Një fotografi në trajtë xhepi
Sall emri i mbetet ai i vjetri
( 1993 – Vendi i parë për poezinë “Arnimi i shtëpisë”, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë)
LOTINA
Afroma faqen
Të ta puth lotin
E mos e vraj motin
Në Lug i kemi Dafinat
T’i ruajmë nga vërshimët
Se këto rrëpina
Përmes lotëve tu
Na kthehen në shira
Na lënë pa dafina
Loti im i vockël
Lot pas loti
Çelen vijat
Prishen faqet
E hojet
Hapin gojët
Për zemrën time
Për zemrën tënde
Falma lotin mua
Lot jam e nuk më djeg
Sall të na shpëtojë Lugu
Të na rriten dafinat
Hojet
Le të kënaqen me rrëpinat
Unë e ti
Në Lug me Dafinat
( 1993 – Vendi i parë ( i ndarë) për poezi, “Lotina”, në Manifestimin letrar “Maratona poetike”, Prishtinë)
LEXIMI I LULES SË BALLIT
Ma kërkojnë datën e lindjes
Bota s’më pranon pa dokument
Në Librin e Amzës evidenca mungon
Nëna thotë
Ish Hënë e Sostë
Babai në të Vrantë
Tremb Retë me një Krismë
E vajti në mal
Ta gjejë atë lis
Sot e atë ditë nuk e pashë
Portretin e ëndrrës në mungesë
( 1994 – Vendi i tretë për poezinë “Leximi i lules së ballit” , konkursi letrar i Manifestimit “Flaka e Janarit”, Gjilan)
NATYRË ME VAJË
(apo: Adami lirohet nga autocenzura)
Në fillim isha unë
Pastaj Ajo
Më vonë rrodhën fjalët
Prej buzësh tona
Sy vetëtimat na ngacmuan
Në ndeshje të papritura
Retë u shkrinë në pëshpëritje
Dëshira për të të prekur
La mënjanë zeusët
S’bëmë mëkat pse u puthëm
As bota u prish
Edhe më e bukur u bë në sytë tanë
Sall tepër e vogël ngeli
Në raport me dashurinë
Shtatë palë qiell shëtitëm
Shtatë palë qiell kërkuam
Shtatë palë qiell lamë pas
E kund një strehë
Deri në tokë
Era na i përpiu gjurmët
Shtëpia e re nuk përthekohej me sy
Vetëm sa i mashtroi të ecurat tona
Nën qiellin gojëhapur
Të këputur pranuam gjumin pa fjalë
E nesërmja na gjeti
Në shtratin me gjemba
Nata tinëz
Lëkurës sonë
Një natyrë me vaj i kish dhuruar
( 1995 – Çmimi për poezinë më të mirë “ Adami lirohet nga autocenzura”, Ora e madhe letrare e Manifestimit kombëtar, “Flaka e Janarit”, Gjilan)
ÇKA I THASHË DEMË KADRISË
I vetëm në odë mos rri ore
Kush nuk thërret
Vetëm buka e dhënë akuzon
Kalo oborrin
Deri në shtëpi
E mos u prek
Vendit s’lëkundet kush
As gruaja
O demë kadria
Uji sysh u derdh
Plasi kokrra e kripës
Dhe oda në muze vajti
Asaj postaje hiçju
Reliktesh shkundu
E dil ku del bota
Prape një çikë mallin
Të të pushojë koka
Tej fushe buzë mali
Kujtoje atë këngë kujtoje
Ta këndosh mbushesh frymë
Zëri del i çjerrë
Veten ruaje nga dëshira
Moshën nga gojë botësh
Në të kthyer
Eh në të kthyer
Preja vijën arës
Kumbarës
Dhe gjelat çuranët
Mos i lë udhësh
Se t’i dua dy gisht fytyrë
Dhe atë perde burrërie
Të paprekur
( 1994)
( 1995 – Vendi i dytë, për poezinë “Çka i thashë Demë Kadrisë”, konkursi letrar i Manifestimit “Flaka e Janarit”, Gjilan)
TË NISESH ME AG
Po deshe ta shporresh natën
Po deshe t’i ruash dy gishta fytyrë
Po deshe
Këndimin e tretë të gjelave harroje
Kënduan pushkët e Prekazit
Mos prit më
Po deshe me ag majat t’i pushtosh
Nxito
Agimi tashmë
Nëpër shtigje e shpatije
Po i mbushë lugjet me eho lirie
Po deshe ta shohësh
Si ndritë në Dukagjin
Në Karadak
E në tanë Kosovën
Nisu tashmë
Me Agim
I pari mund ta puthësh Rrasën e Zogut
Të dashurën në Koshare
Apo nënlokën në Kaculin e Bacë Idrizit
Apo t’ët at në Plisoren e Hasan Alisë
Me Agim po nxitove
I pari mund ta prekësh një peisazh Kosove
Mund të bëhesh dhe liri e kësaj toke
Pastaj
Pastaj ashtu i paqtë prej lirie
Rilindë e buzëqesh për çdo ag
Me sytë feniks
E buzët zjarr
Nga Kosharja deri në Prekaz
Flakëron e kthjellon
Të lumen Kosovë
(25 kallnor 2005)
( 2006 – Çmimi për poezinë ma të mire “Të nisesh me agim”. Ora e madhe letrare e Manifestimit kombëtar “Flaka e Janarit”, Gjilan)
BALADË E RE PËR NJË URTËSI TË VJETËR
Hyre ku s’dilet e dole tek s’hyhet
Ku të të gjej tash he burrë
Ajo udhë e paudhë
As kokë as këmbë ka
Vetëm në memorien e popullit rron
Mos ti ngacmove veten
Për t’u bërë një urtësi e re
Tash ku të të kërkoj
Në cilën shtëpi
A në cilën fytyrë Janusi
Fjalët e urta nxirren rrallë
E nuk shkruhen në ballë
Leximit në sy a t’i besoj më
T’i më le vetëm e hero nuk u bëre
Së paku për një këngë
Sharkitë as në muze gjejnë vend
Na i hëngrën veshët rivalët e trilltë
Tregomë ku i le eshtrat
Sa për një grusht dhe
E një përkujtesë të vjetër
Mos hyn ku s’dilet se del tek s’hyhet
Fjala e urtë nuk thyhet
( 2006 – Vendi dytë për poezinë “Baladë e re për një urtësi të vjetër”, konkursi letrar i Manifestimit “Flaka e Janarit”, Gjilan)
NË DIMRIN E ZJARRMISË
Finlandezi i Verdhë
Shkeli përherë të parë në Kosovë
Me pamjen e ftohtë të akujve skandinav
Ekipi i Unitetit mungoi në pritje
Bukën e kripën e zemrën e traditës
I kishin ekspozuar në dhomën muzeale
Bashkë me lulet
Dhe puthjen e një bukurosheje
Në Sheshin Skënderbeu
Nënat gjakovare
Prisnin me një gotë lotsh
Dhuratë speciale për të sapoardhurin
Shoqatat e kërleshura të pasluftës
Frynin balonat e vetvendosjes
Etno engjujt xhironin spotin më të ri
Shën Pali nënshkruan pavarësi
Publiku dardan endej rrugëve gjakftohtë
Pa e prishur tek-tikun e përditshmërisë
Në orët më të ndjeshme të historisë
Suita heshtake e Martit Fjalëpaktë
E ngopur me meny ballkanike
Ndërroi udhë
Ekspozita e portreteve të lirisë
Mbeti pa u parë tek Kuvendi i Kosovës
Pesë Gishtat e një Dore
U thyen e u përthyen pa fund
Në pritje për dhënien e masës së trupit
Marti i mbështjellur me acarin e Veriut
I mati me sy përmes një shikimi
Tamam ua paskemi prerë tha
Keni durim derisa të qepen
Rrobaqepësit po punojnë
Ua sjellim për provë eventuale
Ju bëni sytë çiçër
Ruajuni nga ndonjë salto mortale
Dhe iku për t’u kthyer sërish
Neve na la duke thyer krande
Në dimrin e zjarrmisë
Me ëndrra pavarësie
(17 kallnor 2005)
( 2006 – Vendi i tretë për poezinë “ Në dimrin e zjarrmisë”, konkursi letrar i Manifestimit “Flaka e Janarit”, Gjilan)
PAKJA PARA PAKOS SË PRITUR
Rrëqethem drithërohem tek i afrohem
Mister Pakos së kësaj kohe
Që pikon e shpon prej Maje
A jam i tëri brenda saj
Pse kam zjarr në dimër acar
Cila gjymtyrë mungon lëndon
Cila është prerë vrarë
Oh
Çka mbeti zvarrë çka dogji ky zjarr
Gishti i vogël i dorës
Gishti i vogël i këmbës gjak pikon
Dorëza vetëm me gishtin e madh
Këpuca me numër falls therrë e shpon
Pakja më kaplon para kësaj Pakoje të trishtë
Në këtë botë mbi ujë me paqe të brishtë
M’i afrojnë gërshërët kërthiza e paprerë prêt
Në qetësi me ftohtësi pa ceremoni
Si ta përmbys mbërthej e pas ta kthej
S’ka kohë s’kam fuqi
Duart më dridhen
Dhe këmbët
Më thehen dhëmbët
Para Pakos së pritur pakem sërish
Si para pandorës flokëshprishur
Timurlanit me një varr luftërash
Se ç’mungon brendësisë së sajë
Dreqi ta hajë me gaz e vajë
Mungon dashuria e kësaj bote
Mungon dhe puthja e saj
Bota shtatzënë në paradhomë
Atdheun tim të moçëm foshnje e pjell sërish
E guximi i mungon
Me emrin e saj ta pagëzojë përjetësisht
(25 Kallnor 2007)
(2008 – Vendi i tretë për poezi, “Pakja para pakos së pritur”, konkursi letrar i Manifestimit “Flaka e Janarit”, Gjilan)
DITA KUR E ÇLIRUAM SHKUPIN
I
Një ditë më parë
E matnim me sy prej Gurit të Zi.
Po shihet si n’shuplakë,
Tha Idriz Seferi
Nesër do ta kemi në grusht.
Po hyj Unë i pari,
Kërceu Isë Boletini!
E Ti, qitja rrethin, m’loma shpinën
Se k’to shtigje ma mirë i di.
Me ba me mbetë, trupin ka kush ma nxjerr.
Këta plisabardhë, të hollë e të gjatë
Nuk më lënë vetëm!
Pikëpjekjen Te Ura e Gurit e lanë,
Aty ku lidhen dy anët e Bardharit
Nëpër brinjët e shqiptarit.
II.
Me Dy Korrik të Nëntëqindedymbëdhjetës
Qëlloi e martë mortja e marrtë,
Dita kur e çliruam Shkupin prej Këmbës Turkut!
Këmbëzbathur e të uritur,
Me nga një grykëhollë trupuam për midis Kryeqendrës.
Xhama nuk thyem, plaçkë nuk bëmë.
As shami prishëm se ishim ushtri.
Kancelaritë e Kombeve u çmeritën
Prej shkresave kur ju shkuan:
Nuk qenkan hajdutë!
Ushtri e re plisbardhësh,
Me Trimin e Grykës e Burrin e Kullës
Zunë vend e po mbajnë rend.
Te Ura e Gurit, në shenjë triumfi
Tetëmbëdhjetë mëzetër u bënë fli,
Bardhari përkohësisht i kuq u bë!
Isa me Bacë Idrizin
Prisnin Hasan Prishtinën
Hajde burrë, ngule Flamurin
E shpalle Mëvetësinë!
Mos nxitoni, thoshte Urtaku
Se na mbytën bërrylat dhe e kajtmja!
Nëpër Evropë bridhte Ismajl Qemali,
Në Selanik ende shpurthte Turku…
Pritja e tepruar na qëlloi në Thembër.
III.
Dita kur e kthyem Shkupin
E martë qëlloi, mortja e marrtë!
Shtatë Kombet na dogjën me Moratorium.
Në besë të saj na shkeli Serbi,
Sot e atë ditë mbetëm pa Shkup!
Idriz Seferi ndan mustakët
E Isë Boletinit ende i dridhet koka!
A u mbush mend kjo Evropa ?
Një ditë më parë e pamë si n’shuplakë dore,
Me Dy Korrik Nëntëqindedymbëdhjetë
E patëm në grusht.
Sekush na la pa Shkup
Ende s’e morëm vesh!
( 2009 – Vendi i parë për poezi, “Dita kur e çliruam Shkupin”, konkursi letrar i Manifestimit kombëtar “Flaka e Janarit”, Gjilan)
KODI MBROJTËS I ATDHEUT
Atdheu nuk është Google
Ku ti hyn përmes një ndezjeje kompjuteri
I paregjistruar
E pa kod mbrojtës
Atdheu ka një pikë ku fillon
Ku mbaron
Ka dhe një rreth me gurë
E me mal
Dhe fusha me lumenj
Atdheu s’është kutizë
As fotografi që ndrydhet xhepash
Atdheu shtrihet mëtej një syri të mprehtë
Mëtej një hapi të rreptë
Atdheu ka dhe emër
Dhe votër
E motër
Ka dhe një qafë me prush
E një varg të gjatë krojesh
Ku mbijnë e përjetësohen
Një mal baladash e ninulla nënash
Ka atdheu dhe një Rrasë Zogu
Ku vallëzojnë agimët
E iso mbajnë dedë gjon lulët
Dhe një majë Kaculi e një Kodër Tupani
Ku mblidhen e nisen bacë idrizët
Atdheu s’është dhe pa një Plisore
E pa një zot
Të cilit i rrëfehemi
E marrim bekimin e Tij
Atdheu
Eh atdheu
Është edhe pjesa ku shkelim
Ku shkulim ku herrim
Atdheu është edhe pjesa ku mbjellim besimin
Bukën e motmotit
Atdheu është dhe pjesa
Ku vetë mbijnë lulet e dashurisë
Ku pa dashje ngriten muret e vetmisë
Atdheu është edhe pjesa ku mungojmë
E trokasim parreshtur
Lirinë e pagjetur
Ajo s’preket
Ajo s’ arrihet
As shijohet
Pa ia falë Palcën e Gjakut
Palcës së Dheut
Atëherë
Vetëm atëherë
Krijohet Kodi Mbrojtës i Atdheut
Dhe fitohet
E shijohet liria reale
(27.04.2007 – 18.09.2007)
( 2009 – Vendi i dytë për poezinë “Kodi mbrojtës i atdheut”, në Manifestimin letrar “Flakadani i Karadakut”, Viti)
MESHA PËR TË SHENJTËN PAVARËSI
Nis në Shtëpinë e Lidhjes në Prizren
Aty nën kala
Freskohemi me ujin mëngjesor të Bistricës
Dalim te Verrat e Llukës
Për t’u ngritur në lulediej
Grykës së Kaçanikut
Hyjmë me mallin e triumfit
Në Shkupin e Kosovës
Për një Simfoni të qetë të Bardharit
Kapërcejmë Fuqitë e Mëdha
E harrojmë një Moratorium
Për të zbritur në Vlorë
Shpëtojmë gjysmën e etnisë
Prej operimeve ballkanike
Me Kosovën nëpër lisa
Në pauzë
Londra përsërit një racion dreke
Me konferencë Berlini
Fqinjët tanë lakmitarë
Na vjedhin Bukën e Bekuar
Neve mbesim duke i ngrënë gishtat
Një shekull udhë bëmë
Golgota kohësh sfiduam
Nga Prizreni në Prekaz
Nga Karadaku në Koshare
Deri tek kjo Meshë e Pavarësisë
Në zemër të Dardanisë
Aty n’atë Rrafshinë Dielli
Rreth Shenjtit Dardan
Këndojmë hymnin e gjithë luftërave
Kur ka ra Kushtrimi n’ Kosovë
Dardania e re shpërgjumë antikën
Në mileniumin e tretë
Shenjtërohet me pavarësi
Kori i përzier
Nga Sheshi Nënë Tereza në Prishtinë
Ngrit majegishtash një popull
Tek përmbyll Meshën me Hymnin e Ri
Zgjohu Dardani
(15 Shkurt 2008 – 13 Shkurt 2009)
( 2011 – Vendi i pare për poezi, “ Mesha e pavarësisë”, Manifestimi kulturor “Lulkuqet e Prillit”, Kamenicë)
SHERRI I ASAJ ËNDRRE
(Poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)
Nuk është më në qendër a te Grandi
besa as te Qafa aty te këndi
kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
e ka braktisur dhe atë lagje poeti
thonë se ka ndrequr diku një shpi për veti
mos e pritni as sonte shkoi në gjeti
nuk besoj ta ketë harruar adresën
symbyllas e di ku e ka të hapur derën
Sekush e kish parë duke puthur qytetin
një pano me ëndrra që nuk tresin
pak pa u nisur udhës përtej Drini
e kish fshehur flokësh një gocë Dukagjini
prej burrave të çartur Çiçavicës
mos të hyjë në atë këngë të Drenicës
i ri për plumb i vonë për mbret
sherri i asaj ëndrre u bë poet
Sa vargje nxori sa gota shtjerri
kohën kohë qysh deshi e bjerri
kur ju tek të pështyjë e pështyu
ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
ashtu si ishte krejt pa kërrname
vdekjen sa herë e veshi në pizhame
pesë pare nuk i dha për grada
as kur mali u mbush martina
Gjeti prejardhjen e dashurisë
kur rrënoi muret e vetmisë
muzë iu bënë engjëjt e lirisë
në çdo cep të Dardanisë
vargu i mbiu iu bë vepër
për të gëzuar një kohë tjetër
duke kaluar një mal mynxyra
për t’i qeshur përherë fytyra
Tahir Desku po të më dëgjojë
s’ka për të zënë kurrë në thua
as gjeth të vdekjes s’ka për të kërkuar
sall me lule ka për t’u mbuluar
se ashtu vetë ka dëshiruar
një jetë të tërë ai ka kënduar
për atë ëndërr që ka ëndërruar
ta shuajë etjen tek ai krua
(13 dhjetor, 2011)
( 2012 – Vendi i parë (i ndarë) për poezitë përkushtuese për poetin Tahir Deskun, në Manifestimin letrar “Ora letrare e Tahir Deskut”, Klinë)
XUN ÇELIKU E PYET VLORËN
Xun Çeliku
ky shpend krahëlehtë
sa shpejt kapton qiejt
Me atë kumt në gji
fluturon nëpër Shqipëri
Pas le malet nën borë
ato fusha të mbuluara në gjak
gjallë
jo vdekur
të mbërrijë në Vlorë
bac Idrizi i ka thënë
…
Kush si ti
Xun
s’i di shtigjet
kush më shpejt
s’i ha udhët
për dritë e në të mugët
Shko e thuaj atij burri
që po bëhet Zot Atdheu
të fala shumë nga Idriz Seferi
dhe tanë trimat
roje të kësaj Atnie
shpaloje më atë shenjë të Gjergjit
e një ditë Shqipërie
që po digjet në zjarr lirie
…
S’ priti Xuni
t’i thuhet dy herë
u nis jugut porsi erë
Sa në këmbë
e sa mbi at
le këtë mal
e kap atë shpat
shmang një pritë këtu
tjetrën atje
kalëroi nëpër Atdhe
me kumtin nën gjuhë
e zjarrin në gji
mbrojtur nga lumja orë
udhës deri në Vlorë
Me natën ditë
e ditën orë
shkundi supesh
krejt atë borë
për tri ditë
hyri në Vlorë
…
Xun Çeliku prej Karadaku
vërshuar trupit
prej rrëkesh gjaku
me gjysmë zemre e pak zë
e pyet Vlorën
kjo Shqipëri
a u bë
(29 shkurt, 2012)
( 2012 – Vendi i dytë për poezi, “Xun Çeliku e pyet Vlorën”, në Manifestimin kulturor “Takimet e Don Mikelit”, Stubëll)