Në një enciklopedi të botuar në Moskë në vitin 2013 flitet për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Sipas historianëve dalja e kësaj enciklopedie tregon se shqiptarët dinë të bëjnë beteja, dinë të bëjnë kthesa, por presin që historinë tua bëjnë të tjerët
Në ndërkohë që shqiptarët hamenden për të shkruar për luftën e Kosovës dhe të Maqedonisë, Moska ka ecur shumë përpara. Ajo ka përfshirë në një enciklopedi luftën e Kosovës.
“Enciklopedia e dëbimeve: Dëbim, dëbimet me forcë dhe pastrimi etnik në Evropë në shekullin e njëzetë”, quhet enciklopedia e botuar në vitin 2013 në Moskë, e cila disa faqe ia ka kushtuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.
Trembëdhjetë faqe të kësaj enciklopedia flasin për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës, ashkalinjve dhe serbëve, bombardimet e NATO-s, djegien e fshatrave, etj.
Edhe pse jemi në shekullin e XXI, shqiptarët, sërish presin që historinë t’ua shkruajnë të tjerët, ashtu siç ka ndodhur shekuj me radhë. Por pse ndodh kështu?
Historiani Nebi Dervishi thotë se tek ne çdo gjë është e lidhur me politikën dhe nuk i jepet përparësi shkencës. “Për tu bërë një enciklopedi e mirëfilltë duhet punë ekipore disavjeçare dhe përderisa ne nuk ulemi bashkërisht dhe nuk e vëmë interesin kombëtarë mbi interesin politik, do të në kalojë edhe plot vite dhe nuk do të kemi një enciklopedi të mirëfilltë” thotë Dervishi për “Lajm”.
Sa për enciklopedinë e Moskës ku përmendet lufta e Kosovës, Dervishi thotë se nuk duhet harruar se Moska ka traditë 160 vjeçare dhe prapavijë pansllave. “Prapa asaj enciklopedie qëndron pansllavizmi. Ata nuk kanë heq dorë nga ndikimi sllav në Ballkan. Ndërsa ne kemi ‘punë më të rëndësishme’. Për ne më të rëndësishme janë mister tenderët, sesa shkenca”, thekson Dervishi.
Sipas tij historia e mirëfilltë shkruhet me dokumente. “Për tu hap arkivi dhe për tu shkruar historia e vërtetë duhet të kalojnë së paku 30-të vjet”, thekson historian Dervishi.
Ndërsa historian Skënder Hasani thotë se botimi i enciklopedisë ruse, në të cilën disa zëra flasin për luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, për fat të keq na bën që ti japim një kritikë vetes.
“Sa larg jemi ne që lejojmë që të tjerët të na e shkruajnë historinë. Ne dimë të bëjmë beteja, dimë të bëjmë kthesa të rëndësishme, por nuk dimë të bëjmë historinë tonë. Lufta e UÇK-së bëri një kthesë të madhe dhe për të nuk kanë shkruar as institucionet shtetërore dhe shkencore të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Dalja e kësaj enciklopedie jep një mesazh negative për gjendjen në të cilën gjendemi”, thotë për “Lajm”, Hasani.
Në enciklopedi shkruhet se në pranverën e vitit 1998 u ashpërsuan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ( UÇK) dhe forcave të sigurisë serbë , që çoi në shkatërrimin e fshatrave dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës. “Gjatë luftimeve ndodhën plaçkitje, vandalizëm, dhunën kundër popullatës civile të çdo kombësi e. Ndërsa marrëveshja Millosheviq – Hollbruk në tetor 1998 përkohësisht i dha fund fazës së parë të konfliktit të armatosur. Dy mijë kosovarë vdiqën, 40 mijë ikën në Shqipëri , Maqedoni , Bosnje-Hercegovina, 45 mijë – në Mal të Zi”, shkruan aty. Po ashtu, aty flitet dhe për shpërnguljen e ashkalinjve, dhe serbëve të Kosovës.