/2L ONLINE/ – Analisti Avni Rudaku ka komentuar për Portalin 2L ONLINE, çështjen e përgjimeve telefonike, bërë publike në media, të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës, që po njihet si “Dosja e shefave”, duke u shprehur se po të kishte efekt “Pronto 1”, nuk do të vinte “Pronto2”. Ai flet për efektin e deritanishëm që ka prodhuar publikimi i këtyre bisedave, për reagimet e deritanishme për këtë çështje, të politikës, të institucioneve përkatëse, të shoqërisë civile, të qytetarëve… si dhe rreth asaj se çfarë pret të jetë produkti final që do të dal nga kjo çështje.
2L ONLINE: Publikimi i përgjimeve telefonike në media të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës, që po njihet si “Dosja e shefave”, çfarë efekti ka prodhuar deri më tani dhe çfarë do te jenë reflektimet e saja në vijim, në zhvillimet e përgjithshme në vend, pas vazhdimit të publikimit të tyre për publikun?
RUDAKU: Efektet do të jenë për ndonjë individ, si largimi i Grabovcit nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, largimi i të dashurës së birit të vllaut të presidentit nga një pozitë në Byronë e Sigurimeve, ndonjë protestë nga qytetarët dhe të përkrahur nga opozita përmes medieve sociale sikur “Protestoj” që është duke u zhvilluar në Prishtinë. Mirëpo, deri më tash, nuk mund të thuhet se ka pasur ndonjë efekt aq të fuqishëm sa është krijuar iluzioni apo sa është vetëlavdëruar publikuesi i përgjimeve. Efektet e tjera kanë mundur të jenë: verifikimi për të qindën herë se shteti është i kapur tërësisht nga një grup individësh të partive të mëdha, të cilët emërojnë e punësojnë ‘njerëzit e tyre’ në postet publike, bordet e ndërmarrjeve publike, me punësime të paligjshme, duke i kontrolluar të gjitha agjencionet e pavarura publike, ndërmarrjet publike, institucionet publike, pozitat publike. Edhe aty-këtu do kemi ndonjë simulim të prokurorisë se do të hetohen këto përgjime nëse përmbajnë edhe vepra penale, ndërsa përgjimet tregojnë se po këta që do t’i hetojnë janë poashtu të emëruar e përzgjedhur nga këta protagonistë të përgjimeve! Paradoksale, apo jo?! Po e zëmë se kanë pasur efekt këto përgjime të “Pronto 2”, por si mund të vërtetohet një pohim i tillë, kur protagonistët thuajse të njëjtë të “Pronto 1” ishin të njëjtit me “Pronto 2” dhe sot njëri është president i vendit, tjetri kryetar i parlamentit të Kosovës, e tjerë e tjerë. Pra, si paskan pasur efekte kur po të kishin efekte, s’do të kishte ndodhur fare “Pronto 2” dhe me “ Pronton 1” do të shkarkoheshin nga detyra këta protagonistë dhe s’do të kishte nevojë fare për “Pronton” sikur të ishte serial, duke i shtuar numërorin 1, 2… Mos të harrojmë se përgjimet edhe më masive dhe më sistematike kanë ndodhur edhe në shtetin e brishtë të Maqedonisë, por efektet kanë qenë thuajse zero në krahasim me përmasat e krimit të rrjedhur nga këto përgjime për protagonistët kryesorë të politikës.
2L ONLINE: Si i vlerësoni reagimet e deritanishme për këtë çështje, të politikës, të institucioneve përkatëse, të shoqërisë civile, të qytetarëve…?
RUDAKU: Reagimi masiv i qytetarëve erdhi përmes ‘statusave’ me shaka për Grabovcin, e që në vend të shakasë publike do të duhej të ishte kërkimi me ngulm i llogaridhënies, dorëheqjes dhe vënies para drejtësisë. Pak prej tyre iu bashkëngjitën iniciativës qytetare e të përkrahur sidomos edhe nga LV-ja, me brendin “Protestoj” sikur në protestën në Maqedoni kundër presidentit që amnistoi politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar atje! Partitë opozitare kosovare, me përjashtim të LV-së, nuk dolën kritike ndaj përgjimeve. AAK, Nisma për Kosovën, heshtën, sepse të gjithë e dijnë se sa të përfshirë në këto shkelje e paligjshmëri janë secila nga partitë politike, varësisht nga shkalla e pushtetit politik apo fuqia e tyre e kontrollit. Prokuroria ishte skandaloze: në fillim tha kryeprokurori se nuk ka prova për vepra penale në këto përgjime, e pas dy-tri ditëve, deklaroi se po themelojmë një grup prokurorësh që do të merren me hetime fill pas një presioni relativ të publikut dhe protestës në rrugë! Prokuroria do të duhej t’i kishte këto përgjime, nëse i paskan gazetarët, apo jo?! Qysh i paskan gazetarët, e jo prokuroria?! Nuk ka kuptim kjo! Pastaj mos të harrojmë se prokuroria ka përgjegjësi që duhet të presim ne për çdo ditë çfarë na servojnë gazetarët nga qindra materiale, e nuk i merr prokuroria krejt materialet e të na thotë se krejt, se cilat pika përbëjnë veprat penale dhe të dalin para drejtësisë këta protagonistë! Kjo do të ndodhte në një vend të sundimit të ligjit, por nuk pritet në Kosovë! Po ashtu, askush nuk u mor edhe me disa materiale të cilat në fakt nuk përbëjnë aspak çështje publike. P. sh., a nuk është krejt normale të dëgjohet se si Grabovci ia paska ‘ftofur opozitës në RTK, KTV…’ dhe i tregon bashkëpartiakëve të tyre këtë ‘triumf’?! A nuk bën shumica këto vetëlavdërime në debate të tilla, në biseda private me miq a familjarë?! Po ashtu, fjalët ‘lopë’, ‘kali’, ‘qurë’, ‘nënçim’ etj., a nuk përdorin shumë nga ne në ambiente private, por edhe publike, në përditshmëri, me shokë, në kafene, në rrugë, në shkollë etj.?! Ka profesorë në Gjilan, që edhe me nxënësit ‘shahet me nënë’, por ai është me dekada profesor! Sidoqoftë, pasi janë njerëz publik, nuk më dhimbsen asnjë trohë dhe pajtohem detyrimisht duhet të jenë të nivelit elitar dhe edukativ! Njerëzit publik kanë përgjegjësi maksimale edhe si model për të tjerët! Pastaj është interesante të bëhet pyetja se sa kanë të drejtë me ligj të ruhen materialet e përgjimit, ku arkivohen, si arkivohen, etj., kur dihet se këto janë materiale qe disa vite dhe është shqetësim edhe për qytetarët se si shkelen nesër edhe të dhënat personale e private të secilit. A e keni vërejtur joprofesionalizmin e Agjencionit për Të Dhënat Personale se si nuk ka reaguar fare për të treguar në detaje se ku ka pasur po ashtu edhe shkelje të ligjeve në ca materiale të publikuara dhe cilat materiale po ashtu nuk përbëjnë shkelje pasi paraqesin interes publik dhe janë marrë me autorizim të gjykatës?! Reagimet në përgjithësi nuk kanë qenë profesionale nga asnjë jurist që është deklaruar deri më tash në mediet tona! Po ashtu, shumica e medieve nuk kanë ekspertë ligjorë për t’i trajtuar si duhet temat e lëndët e tilla!
2L ONLINE: Çfarë pritni të jetë produkti final që do të dal pas publikimeve të të gjithave këtyre përgjimeve?
RUDAKU: Fill pas disa përgjimeve të publikuara dhe fokusit që iu dha nga publikuesi vetëm për bordet e ndërmarrjeve publike, ambasadori britanik nënshkroi me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin, memorandum bashkëpunimin për ardhjen e një kompanie angleze për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike! Kjo u mor edhe si një arsye shtesë nga përgjimet që tregonin se sa të politizuara ishin bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencioneve të pavarura të shtetit. Disi u duk sikur krejt këto përgjime paskan pasur synimin final ardhjen e një kompanie britanike, për të arsyetuar ekzistencën e vet kinse pas përgjimeve. As nuk u publikua memorandumi për të qenë transparent; as nuk u thanë sa miliona do të shpenzohen; si u nënshkrua kur u shkelën Ligjet për ndërmarrjet publike (me ndryshime e plotësimeve nëpër vite), sepse me këto përcaktohen qartë se si përzgjidhen e propozohen anëtarët e disa prej bordeve e drejtorëve të NP-ve, nga Qeveria, komunat, dhe po ashtu për disa borde të tjera si AKP, OSHP, etj., pas propozimit të Qeverisë, emrat votohen në Kuvend. Pra, tash Qeveria, komunat, deputetët, marrin pagën e njëjtë, ndërsa bëjnë punë më pak, sepse na qenka një kompani angleze për vlerësimin e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike apo edhe të agjencioneve të pavarura, meqë kjo akoma nuk është e qartë se për cilat institucione bëhet fjalë përfundimisht. Do t’i kushton miliona buxhetit të Kosovës, por edhe do të ulet sovraniteti i brendshëm duke u mbushur me plotë ndërkombëtarë në shumë sektorë! Produkti tjetër final është se EULEX i ka pasur këto përgjime gjatë hetimeve të korrupsionit të ish krerëve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ka vite që nuk e jep verdiktin final për çështjen Limaj e të tjerë, por bëhet sikur i kanë rënë prej duarsh këto përgjime te gazetarët. Besoj thellë se zyrtarët e huaj me lejen e tyre i kanë dhënë këto përgjime dhe mbajnë në njëfarë ‘përditshmërie depresive’ qytetarët e Kosovës se sot do të dëgjojnë broçkulla të analfabetëve dhe oligarkisë sunduese në Kosovë! Produkti final mund të jetë pra edhe denoncimi i disa figurave të PDK-së dhe përgatitja e opinionit publik ndoshta për Gjykatën Speciale! Pastaj zhvillimet mbi demarkacionin, asociacionin e komunave me shumicë serbe, presin edhe tërheqjen e vëmendjes në tema të tjera, pasi që tërheqja e vëmendjes ka pushuar pakëz nga ‘temat fetare’. Në variantin e fundit, po besoj se gazetaria hulumtuese në Kosovë ka arritur të jetë e tipit të Snoudenit për rrjedhjen e informacionit sekret, por gazetarët e mediumit të njëjtë të publikimit patën një gjuhë shumë të rëndë denigruese për praktikantët/et gazetarë/e në vetë mediumin e tyre, kur u publikuan po ashtu ‘përgjimet’ ndaj tyre për sms-ët ndërmjet këtyre gazetarëve e redaktorëve të të njëjtit medium lidhur me praktikantet e reja! Pra, ka humbur besimi në secilin institucion, por edhe në shumicën e medieve! /2L ONLINE/