(2L ONLINE) – Po vazhdojnë punimet në realizimin e katërshes së madhe të prioriteteve infrastrukturore të qeverisjes së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, thonë zyrtarë për informim të komunës së Gjilanit.
Sipas tyre, pas përfundimi të punimeve në qytet e fshatra, tashmë janë në përfundim e sipër punimet e rrugëve të rendit të tretë në lagjen “Kacabash” të muhagjerëve të Pogragjës me gjatësi prej 2.6 kilometra, si dhe rruga që i lidhë fshatrat: Llovcë, Kokajt e Epërm, Kokajt e Poshtëm, Sllubicën dhe Pogragjën me gjatësi prej 8 kilometrash që përfshinë të gjitha lagjet e tyre.
Për të parë nga afër punimet, ka dalë sot në terren kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu si dhe drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri.
Kryetari Haziri tha se banorët e kësaj ane as që e kanë imagjinuar që të udhëtojnë me vetura për të shkuar në fshatrat e tyre, ndërsa sot kjo u është mundësuar.
“Kjo është një vazhdimësi e punimeve të shumta që jemi duke i realizuar në shumë fshatra dhe lagje të qytetit në infrastrukturë që përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rrjetin e kanalizimit, të ujësjellësit dhe ndriçimin publik. Punët e mira do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për t’i zgjidhur të gjitha problemet infrastrukturore dhe problemet tjera”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tyre, banorët e asaj ane falënderuan kryetarin Haziri për kujdesin duke thënë se do ta kenë shumë më të lehtë jetesën në fshatrat e tyre.
“Jemi shumë të kënaqur dhe mirënjohës ndaj kryetarit Lutfi Haziri që na ka shtrua rrugën. Kurrë në këtë vend s’kemi mujt me kalua me vetura, por gjithmonë kemi ardhë n’kambë. Tash kemi arsye me ardhë ma shpesh me familjen e me u kënaq në vendin tonë, qysh po e shihni jemi mbledhë disa familje bashkë dhe jemi dale sot këtu”, tha Mevlide Krasniqi nga lagjja Kacabaç e Pogragjës, e cila jeton në Zvicër.
Këto punime përfshijnë hapjen, zgjerimin dhe rrafshimin e rrugëve dhe pritet të përfundojnë së shpejti. /2L ONLINE/