Në shenjë të kujtimit të punës se Doktor Ilazit për ndërtimin e rrugës Zarbicë-Muhoc
/2L ONLINE/ – Rrugët janë të domosdoshme për zhvillimin e kombeve, shteteve, rajoneve, kontinenteve e gjithë botës, në përgjithësi. Duke e parë rëndësinë e saj, njeriu që nga kohët e vjetra, për të mbijetuar ka ndërtuar rrugë. Ato kanë mundësuar zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë zhvillimin e tregtisë.
Edhe në trojet shqiptare rrugët janë ndërtuar për qëllime të tilla, por ka pasur raste, në periudha të caktuara, kur kanë qenë derë e hapur për ardhjen e pushtuesve të ndryshëm, p.sh. për romakët, turqit, serbët, pastaj nëpër mes këtyre rrugëve kanë bartur pasurinë e vendit tonë për vendet e tyre etj.
Në kohën më të re, përkatësisht pas ardhjes së komunizmit, pati plane e premtime për të zhvilluar të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Por, te ne, në Kosovë e kudo ku jetonin shqiptarët, nuk ndërroi qëndrimi i pushteti të “ri”, ngase mbeti edhe më tutje mentaliteti i vjetër. Manipulohej shumë me premtime për ndërtimin e rrugëve e në fakt ato mjete financiare që ndaheshin për ndërtimin e tyre (dhe jo vetëm të rrugëve) shkonin dika tjetër, në viset tjera të ish Jugosllavisë.
Një mashtrim i tillë, si duket, ndodhi edhe me rrugën Bujanoc-Breznicë-Muhoc-Zarbicë. Është thënë, dhe jo vetëm që është thënë, por edhe kanë ekzistuar dokumente, se kjo vijë e përmendur më lartë, ka qenë e asfaltuar qysh në vitet e ‘70-ta të shek. XX.
Mirëpo, në fakt ajo rrugë, kurrë nuk u ndërtua nga pushteti i ish Jugosllavisë e as Serbisë. Kjo është bërë me qëllim të caktuar, në rend të parë, ngase ishim nën regjimin e një pushteti të huaj, dhe ai pushtet, kurrsesi nuk dëshironte që shqiptarët të përparojnë: të zhvillojnë ekonominë, blegtorinë e bujqësinë, të shkollohen, përkatësisht, kurrsesi ta kenë jetën më të lehtë e më të mirë.
Megjithatë, duke jetuar në fshatrat e Malësisë së Bujanocit, në trojet e veta etnike, e duke mos pasur mundësi të krijojnë jetë më të mirë në vendet urbane për shkak të varfërisë, por edhe duke mos dashur t’i lëshojnë vatrat e tyre e për shkaqe tjera, populli shqiptar i kësaj ane, në çdo kohë, me forcat e veta, me punë vullnetare i ka ndërtuar rrugët për nevoja të veta, edhe pse asnjëherë nuk ka arritur t’i ndërtojë ashtu si duhet. Këta malësorë të fortë, bujarë, mikpritës, të besës e të fjalës, pothuajse, për çdo vit kanë rregulluar rrugët nëpër fshatrat e veta dhe fshatrat e këtij rajoni edhe pas “çlirimit”. Pra, sfidë e fshatrave të Malësisë së Bujanocit, gjithmonë ka qenë hapja e rrugës Muhoc-Zarbicë.
Kjo sfidë i ka përcjell deri në ditët e sotme. Megjithatë, ata asnjëherë nuk e kanë ndalur përpjekjen për ta ndërtuar këtë rrugë, e cila ishte arteria e mbijetesës për këto fshatra. Duke e ditur rëndësinë, po njëkohësisht duke qenë edhe para presionit e pengesave të vazhdueshme nga pushteti, ata malësorë, në krye me Ilaz Doktorin (Selimi), në gjysmën e dytë të dekadës së 60-të i kishin hyrë një pune shumë të madhe, shumë të guximshme.
Në fillim ishte një diçka që shihej si e pamundshme, por vendosmëria, guximi, humaniteti, dashuria për vendlindjen, atdheun, njeriun dhe “lufta”e Doktor Ilaz Selimit dhe e malësoreve të fortë që e përkrahnin dhe i shkonin pas, bën të pamundurën. Filluan ta punojnë rrugën, në kushte të vështira: pa material të nevojshëm për të rrëzuar malet, për ta thyer gurin, për të prerë ferrat që u dilnin përpara.
Këtyre pengesave u rrinte karshi edhe varfëria. Malësorët që punonin ditë e natë, ishin edhe pa veshmbathje të duhur, nuk kishin as ushqim të mjaftueshëm. Ata tërë ditën punon me ca bukë misërnike, me pak krip e rrallë kush, me pak djathë. Por, ishin të vetëdijshëm se sikur trupi i njeriut që nuk mund të jetojë pa arteret e gjakut, as kjo Malësi nuk mund të mbijetonte më pa këtë rrugë gjarpërore. Ajo mundësonte mbajtjen hapur të shkollave, shkollimin e mëtutjeshëm të fëmijëve të tyre, rritjen e bagëtisë, prodhimin bujqësorë, shitjen e prodhimeve të tyre, zhvillimin e tregtisë. etj. etj. I kishte lodhur rruga e gjatë 7-8 orëshe këmbë, me kuaj e gomarë për Vrajë, Bujanoc, Dardanë (Kamenicë) e ndonjëherë edhe në Gjilan. Kjo rrugë do t’u shkurtonte rrugën, e lodhjen, do t’u sillte dritën (shkollimin e fëmijëve) etj. etj. Duke i pasur parasysh këto, ata nuk i ndalte asnjë pengesë, as edhe kërcënimi me burg.
Doktor Ilaz Selimi ishte frymëzimi kryesor, ishte udhëheqësi i kësaj rruge. Ai, sa herë që paraqitej ndonjë pengesë (e pengesa kishte pasur në vazhdimësi), bënte të pamundurën që ta bëjë më të mirën për ata malësorë duke dhënë gjithçka nga vetja. Sfidoi pengesëbërësit, pushtetin e atëhershëm, varfërinë, thashë thënat e çka jo.
Për të mos u ndalur rruga, ai shiti, tokën e vetë, shiti pasurinë që kishte, shpenzoi pagën që merrte si Doktor i Malësisë. Dha gëzimin, kënaqësinë e jetës, gjumin, shëndetin, vetëm e vetëm ta ndërtojë këtë rrugë, t’i shërojë bashkatdhetarët e vet, t’i shkollojë e arsimojë fëmijët e këtyre malësorëve punëtorë e patriotë, tua mbjellë dashurinë për atdheun, vendin e lindjes së baballarëve e të parëve të tyre, tua mësojë historinë e lavdishme të popullit shqiptar.
Më në fund rruga u hap, autobusi i parë doli në Zarbicë duke kaluar nëpër Muhoc, pranë Qarrit, Ramabuqës e Pribocit. Ishte një ditë gushti i vitit 1971 kur sirena e autobusit u dëgjua në këtë Malësi. Ishte një ditë gushti me diell, kur të gjithë malësorëve u qeshte zemra e shpirti, fytyra e balli. Ishte një ditë, kur Doktor Ilazi s’dinte ç’të bënte nga gëzimi i madh. Atë ditë, në autobus ishte ai (Doktor Ilazi), i pari që hipi, pastaj u mbush me banorë të fshatrave të Malësisë së Bujancit.
Nuk shkoi shumë kohë dhe këtë rrugë e kalonin, përkatësisht mbanin vijat 3 kompani: “Meni”, “Kaolini”e “Jedinstvo”, duke dal në Zarbicë edhe nga 5 herë në ditë. Pra populli kishte nevojë të lëvizë, të lidhet me vendet urbane, të tregtonte, të blinte e shiste për të mos ec në këmbë me kilometra e kilometra.
Behram Hoti në librin e tij “Doktori i Anamalësisë” në faqen 132 nëpërmes rrëfimtarëve në mes tjerash përshkruan gëzimin e madh të popullit dhe të Ilaz Doktorit.
Disa njerëz nuk e besuan se do të ndërtohej kjo rrugë dhe ndoshta për këtë arsye nuk vepruan më shumë për ta ndalur. Por kur panë se kjo rrugë u ndërtua, kur vullneti i tij e i njerëzve fitoi, dikush ndoqi rrugën e errësirës, rrugën e korbëzinjëve, siç thotë Behram Hoti, disa dhjetëra herë, në librin e tij “Doktori i Anamalësisë” kushtuar Doktor Ilazit. Këtë e bënin vetëm e vetëm për ta ndalur misionarin të vazhdojë më tutje rrugën e dritës, por nuk mundën ta bëjnë këtë, sepse bamirësia vepra e madhe në interes të përgjithshëm i theu dyert e ferrit.
Kjo rrugë, e hapur me mund, mbeti deri në ditët e sotshme e pa asfaltuar. Banorët kërkonin vazhdimisht që kjo të bëhet, por pushtetet e ndryshme nuk e lejuan këtë. Kërkesat e kamotshme të gjeneratave që kjo rrugë të asfaltohet, kësaj radhe, me këmbëngulësinë dhe ndihmën e kontribut dhënësve nga e mbarë hapësira shqiptare, e posaçërisht nga banorët e Malësisë së Bujanocit, bëri që kjo rrugë, me bazë nga Doktor Ilazi, më në fund, të bëhet realitet edhe asfaltimi i saj. /Ismet TAFILI / 2L ONLINE/