Një në më afro njëzet vdekje vjen si pasojë e goditjes në tru. Po ashtu ,një pjesë e madhe e pacientëve që i shpëtojnë vdekjes nga goditja në tru, jetojnë me paaftësi.
Andaj është e rëndësishme ta kuptoni dhe të dini si të veproni në rast se një person shoqërues i juaji përjeton goditje në tru. Mjeku.Net ju sjell një artikull që përmbledh njohuritë të cilat patjetër duhet t’i dini rreth kësaj sëmundje të menjëhershme dhe vdekjeprurëse.
1. Kuptojeni goditjen në tru
Pika ose goditja (sulmi) në tru, ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet. Kur ndodh goditja, qelizat e trurit në zonën e caktuar fillojnë të vdesin pasi mbeten pa oksigjen dhe lëndë ushqyese, për të cilat kanë nevojë për të funksionuar.
Ka dy forma të goditjes në tru:
Goditja ishemike e trurit, kur enët e gjakut që furnizojnë trurin bllokohen, dhe
Goditja hemorragjike e trurit, e cila ndodh kur ka gjakderdhje në tru ose rreth tij.