Komuna e Vitisë, konkretisht Drejtoria e Inspekcionit ka rrënuar sot dhjetëra objekte në qytetin e Vitisë, të cilët gjendeshin në pronën komunale, ku po vazhdojnë punimet në ndërtimin e objekti të ri të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit.
Skënder Ahmeti, Drejtor i Inspekcionit në Viti, bëri me dije se pse kjo komunë ka vendosur të rrënoj këto objekte.
“Rrënimi i këtyre objekteve është bërë me qëllim të lirimit të hapësirës për objektin e Zjarrfikësve që po ndërtohet këtu në Viti. Me këtë do të lehtësohet hyrja dhe dalja e të automjeteve të Zjarrfikësve me qëllim që ata të kryejnë punën e tyre pa penguar në interes të gjithë qytetarëve tanë”, u shpreh Ahmeti.
Ai tha se kjo drejtori paraprakisht i ka njoftuar të gjithë ata të cilët kanë shfrytëzuar këto objekti që të lirojnë hapësirën komunale.
Drejtori Ahmeti tha se kjo qeverisje ka bërë lirimin e shumë pjesëve të hapësirave publike duke potencuar se ata do të vazhdojnë me lirimin e hapësirave publike me qëllim që ato të shfrytëzohen nga gjithë qytetarët dhe jo vetëm nga individët.