(Një vlerësim vëllimit me tregime të Ramadan Rexhepit, botuar në vitin e largët 1963 , të cilat së shpejti ribotohen nga Shtëpia botuese BEQIR MUSLIU, me lejen e autorit)
Nga: ANTON NIKË BERISHA
Bukurija âsht madhështí para së cilës përkulet edhe mâ i madhi nga mâ të mëdhejtë. Kush e ka at xhevahir, ai e ka edhe lumtunín, edhe epshin, edhe fatin. Ishe e sigurtë se ti e kishe dhe mund të sundojshe çdokend. (Ramadan Rexhepi, Kumbonaret. Prishtinë 1963, f. 80.)
Një vepër e rëndësishme arti që e përcolli tragjika e disafishtë
Të shkruash për përmbledhjen me tregime dhe novela – “Kumbonaret” të Ramadan Rexhepit, botuar më 1963 , është një ballafaqim i vështirë dhe një lloj tragjike për autorin që shkruan dhe për autorin që e ka hartuar veprën. Kjo tragjikë dyfishohet nga fakti se kësaj vepre asnjëherë deri më sot nuk i është bërë një qasje dhe një interpretim i mirëfilltë poetik, një analizë meritore tekstit si strukturë gjuhësore shprehëse, po, edhe ato pak here kur u shkrua për të, më tepër u përfol përmbajtja e tregimeve dhe tematika, duke harruar se vepra letrare poetike nuk është e rëndësishme për atë që vështron (shtron) po para së gjithash për atë se si e thotë dhe si e shpreh poetikisht një dukuri ose një ide.
Në këtë shpërfillësí të shumtë, ndoshta mund të gjendet ndonjë arsye apo ngushëllim: vepra “Kumbonaret” mbeti në heshtje për shkak së autori, Ramadan Rexhepi, imigroi së pari në Angli e pastaj në Suedi dhe mosprania e tij e shkaktoi dhe heshtjen. Pra, akti i largimit të tij mori vetvetiu dhe ngjyrim politik, edhe pse ai nuk kishte bërë asnjë veprim që ta kushtëzonte një vlerësim të tillë. Mos komunikimin e veprës “Kumbonaret” e kushtëzoi më së shumti mosprania e autorit në jetën kulturore dhe letrare të Kosovës dhe ndërprerja e botimeve të tjera të tij në Prishtinë? Mos me shkuarjen e tij në Suedi, ndodhi ajo që thuhet në urtinë popullore: “Larg sysh, larg zemrës”?
Edhe veprat që Ramadan Rexhepi i shkroi dhe i botoi në Suedi arritën vetëm në duart e pak lexuesve dhe kështu një prozator i mirëfilltë vetëm sa u përmend (kryesisht) në ndonjë shkrim, në ndonjë intervistë, vlerësime që nuk e kapërcyen kumtin e rëndomtë. Ndoshta heshtjen, mosmarrjen me veprën e tij, e kushtëzoi edhe ajo që e thotë me një rast personazhi kryesor i romanit të tij “Dilemat e Emrush Dokos”: “I lumtur jam që pa dashjen time, kur nuk e shihja as në ëndërr, dola nga kafazi i letërsisë dhe u katandisa në vorbullën e inkognistos ”.
Nga një e dhënë e vetë Ramadanit mësojmë se tregimin “Letra e vajzës bonjare” ai e shkroi në moshën njëzet vjeçare: “[…] isha i ri dhe zieja si lëndina e veshur me lulëgjiza e lulëbrigje. N’atë moshë njeriu qesh e qanë nga gëzimi që është i ri dhe jetën e ka përpara ”.
Ata që e lexuan atëherë përmbledhjen “Kumbonaret” dhe sidomos ata që e lexojnë sot nuk mund të mos shprehin keqardhje që kjo vepër nuk u vlerësua në mënyrë të duhur as në kohën kur u botuar dhe as më vonë. Mos gjithë kjo ndodhi për shkak të rrafshit të ngritur poetik të prozave të tij, të cilat, deshën e nuk deshëm ta pranojmë, dalloheshin ndjeshëm nga veprat që u botuan në Kosovë para vëllimit “Kumbonaret”? Mos ishte një lloj xhelozie apo u prit dhe një vepër tjetër për të ridëshmuar vlerën e veprës së parë dhe talentin e pamohueshëm krijues të Ramadan Rexhepit?
Para 1963, kur edicioni i revistës letrare “Jeta e re” nxori në dritë “Kumbonaret”, në ish Jugosllavinë, pra në Kosovë, qenë botuar pak vepra letrare në prozë e krejt pak me tregime. Më 1953 u botua përmbledhja me tregime e Sitki Imamit “Drejt ditëve të reja ”, më 1957 romani i Sinan Hasanit “Rrushi ka nisë me u pjekë”, më 1958 romani i Adem Demaçit “Gjarpijt e gjakut”, më 1958 “Vija e vërragë” e Ramiz Kelmendit, më 1959 romani i Rexhai Surroit “Besniku” dhe romani i Rexhep Hoxhës “Lugjet e verdha” (për fëmijë), më 1960 përmbledhja me tregime e Hivzi Sulejmanit “Era dhe kolona”, më 1961 përmbledhja “Tregime” e Anton Pashkut dhe “Dashnija dhe urrejtja” e Rexhai Surroit, më 1962 “Dy rrëfime” të Ramiz Kelmendit dhe proza “Rrethimi” e Tajar Hatipit.
Nga veprat me tregime në gjuhën shqipe të botuara në fillim të viteve ’60 në Jugosllavi , përkatësisht në Kosovë, veçohen sidomos “Tregimet” e Anton Pashkut dhe “Kumbonaret” e Ramadan Rexhepit (pa mohuar në asnjë mënyrë vlerën e vëllimit me tregime “Era dhe kolona” të Hivzi Sulejmanit, sidomos tregimet e qenësishme “Hijet në kuvertë” dhe “Miku im Xho ”).
Me vëllimin “Tregime” Anton Pashku përligj një gjuhë poetike dhe një sistem të ngritur të shprehurit, një shqiptim të mëvetësishëm të dukurive, një stil të veçantë që nuk ishte i njohur më parë në prozën shqipe , ndërsa Ramadan Rexhepi, zbatoi një mënyrë tjetër të qasjes dhe të shqiptimit poetik të botës konkrete, të ballafaqimit të njeriut tonë me vështirësitë, me dramat dhe me tragjiken e jetës së përditshme, me tundimet shpirtërore dhe me pësimet që përjetonte individi në kërkim të lirisë së gjallimit dhe të shprehurit, që e cilësonin atë kohë kur u botuan përmbledhjet e përmendura me tregime.
“Unë duhesha të shkruaj diçka që nuk ishte shkruar…”
Me veprën “Kumbonaret” Ramadan Rexhepi dëshmoi, pos të tjerash, dy dukuri të qenësishme për secilin shkrimtar të mirëfilltë: a) artin që e cilësoiprozën e tij dhe b) dukuritë dramatike që i bëri objekt vështrimi poetik.
Për t’i shprehur dhe njësuar këta dy përbërës, atij i ndihmoi talenti (Anton Çehov thoshte “Talenti është ai që të bën të veçantë”), që dëshmohet nga rrëfimi, nga përftimi i tablove dhe i përshkrimeve poetikisht të lartësuara, po dhe nga gërmimi dhe mënyra e shqiptimit të dukurive konkrete të jetës ose nga shpalosja e shpirtit të njeriut dhe të fshehtat që “ziejnë” brenda tij.
Duke folur për punën në hartimin e tregimeve të veta, Ramadan Rexhepi thekson: “[…] në parim të punës unë kisha të arrijë vlera letrare të cilat në një formë a tjetër do të maten me vepra tjera p.sh., ne kishim disa prozatorë si Ramiz Kelmendi , Rexhai Surroi, Sinan Hasani, këta ishin gjeneratë më e vjetër se unë, unë isha fare i ri. Unë duhesha të shkruaj diçka që nuk ishte shkruar, eksperimentoja të gjeja një stil timin. Kam kërkuar forma tjera që të shkruaj më shumë për lexuesin duke qenë se gjithë jetën time kam qenë edukator (kursivi im) […] Nuk kam qenë kurrë shkrimtar i paguar, kam qenë fare i lirë dhe çkado që kam shkruar kam shkruar ashtu çka m’u ka dukur më drejt, por gjithnjë duke pasur parasysh lexuesin… ”.
Pra, Ramadani iu përmbajt konceptit krijues, të theksuar qysh nga Aristoteli , që mbi bazën e traditës, të shëmbëllimit, të përligjet mëvetësia e krijuesit dhe e veprës që e përfton ose siç do të thoshte Lasgush Poradeci: “Ky është, them unë, shpirti i veprave artistike të vërteta, qenia metafizike e artistit ri-krijonjës, e tretur në veprën – rikrijonjëse të tij! ”. Në fakt, është ajo që thoshte nobelisti frances, Claude Simon (Klod Simon) se shkrimtari duhet të synojë të krijojë diçka tjetër përballë asaj që është shkruar më parë: “[…] Ai që rekomandon sot si mo¬del Stendalin, Balzakun ose Tolstoin, nuk kupton se ata janë të mëdhenj për shkak se në kohën e vet kanë shkruar si asnjë tjetër më parë. Ata kanë lënë porosinë e pakënaqësisë së përhershme ndaj formave të vjetra letrare, të cilave u janë shman¬gur, duke zbuluar forma të reja, sepse, shkrimtari që përdor forma të vjetruara, përkundër orvatjeve për përmbajtje revolucionare, është krijues i cili nuk ka të thotë asgjë të re, dhe aq më pak të shprehë diçka revo¬lucionare […]”.
Për t’ia dalë kësaj secili krijues letrar kujdesin më të madh duhet t’i kushtojë sistemit të të shprehurit poetik, që përcakton vlerën e secilës vepër letrare, komunikimin me lexuesin si dhe ndikimin estetik në të . Sistemi i të shprehurit poetik lidhet pandërmjetësisht me gjuhën poetike. Rrreth kësaj Ramadan Rexhepi thekson: “[…] ne, krijuesit e parë kosovarë, gjithnjë po shkruajmë në një gjuhë që është mbajtur gjashtëdhjetë vjet në burg dhe s’ka qenë fare në kontakt me gjuhën nënë. Po flas për veten. Gjatë kohës që isha në Normalen e Prishtinës, me përjashtim të ndonjë libri që e gjenim në ”bibliotekën” e Shefqet Balës, axhës së Ramiz Balës, të gjitha rrëfimet, novelat e romanet që lexoja nëpër zabelet e fshatit Sofalí kanë qenë në serbishte ”.
Veçantinë që Ramadan Rexhepi synonte të zbatonte në tregimet dhe novelat e tij e dëshmon dhe mendimi që e ka venë si moto të librit të tij:
Secili njeri — âsht nji diell
secili diell —âsht nji kumbonare
Secila kumbonare— kumbon në mënyrën e vet
rreth të cilit ai thotë: “[…] të Kumbonaret kam pasur një frazë ku individin e kam krahasuar me diellin dhe kam cekur se çdo diell ngroh në formën e vet; koha ishte e tillë që e kuptuan apo nuk e kuptuan të gjithë duheshin ta lexonin përmes rreshtave atë frazë, përndryshe pas botimit të Kumbonareve unë e pashë se çdo formë krijuese dhe çdo mundësi krijuese ishte e kufizuar ”.
Në tregimet e veta Ramadan Rexhepi përmbushi synimin ku dukuritë dhe idetë e ndryshme, dramat që e cilësonin jetën e tij dhe jetën e njerëzve të gjuhës dhe të gjakut të tij, shqiptohen përmes një gjuhe figurative, një sistemi shprehës të pasur dhe të mëvetësishëm poetike dhe teksti të jetë sa më komunikues: “Unë kujtoj që shkrimtari ka këtë rol. Të japë mesazh. Unë, gjithnjë mundohem të jem fjalë pakët. E thashë edhe më herët, ëndrra njeriun e ka ushqyer që të lëvizë ” (lexo: të ecë përpara, të ndryshojë, të thotë diçka tjetër nga ajo që ka thënë ai ose të tjerët) ose siç do të thoshte Lasgush Poradeci: “Qëndro një nëpër ndryshime”.
Shpërnderimi: realitet dhe ëndërr ose “përrallat pa mbret”
Ramadan Rexhepi nuk ia hyri punës së shkrimtarit rastësisht dhe sa për sy e faqe: ai e kishte të qartë detyrën e tij se duhet të rrëfente për atë që është e qenësishmepër jetën e vet dhe të njeriut të tij, t’i shqiptonte dhe t’i përjetësonte dukuritë dhe mendimet artistikisht dhe kështu përmes artit (të fjalës) t’i bënte marrësit e tregimeve të tij të ndërgjegjshëm përballë vetes dhe fatit të tyre, t’i bëjë të qëndrueshëm përballë stuhive dhe vështirësive. Ai nuk i shkroi tregime dhe novela vetëm për veten e tij, për pasurinë shpirtërore vetjake, po para së gjithash për tjetrin: pa tjetrin individi është një hiç.
Shkrimtari ynë nuk e vë personin e tij në rend të parë, nuk e ngrit në idhull, është tjetri (të tjerët) që bëhet objekti kryesor poetik, ku ai si krijues synon ta depërtojë në fshehtësinë dhe dramat shoqërore dhe shpirtërore për arsye se duke e shqiptuar botën shpirtërore, që është e pafund, në të vërtetë ai e shpalos dhe botën e vet dhe synimet e veta dhe të tjetrit, gjithë atë që është e rëndësishme në gjallimin dhe veprimin në jetë.
Domethënë Ramadan Rexhepi ishte i ndërgjegjshëm për detyrën e rëndë dhe për misionin e qenësishëm që duhet të kryente në rrethana të tilla të ndërliqshme. Për këtë ai shkruan: “Ç’është e vërteta tregimet e gjata […] Unë i quaja “përralla pa mbret”. Pa mbret, ngase aty ku nuk ka mbret, ka popull, ka njerëz. Tani mund të pyes veten, a isha i gatshëm të shkruaja? […] Në ato kushte u kristalizua ideja e fshehtë se një popull që nuk është i lirë, nuk ka të drejtë të ëndërrojë […] ëndrra… dhe realiteti… Sikur të mos e kishim ëndrrën, jeta do të ishte e kotë. Ëndrra është ajo që ka nxitur njeriun të evoluojë. Të shkruheshin vepra patriotike nuk ishte e lehtë. Shoqëria e atëhershme shtirej si revolucionare, por për ne ishte e ndaluar të botoje diçka të tillë. Të ëndërroje për lirinë e madhe nuk ishte lehtë. Në ato tregime që shkruanim duhej të nxirrnim një farë vegëze të mos vërehej kritika, ngase nuk botohej. Duhej gjetur forma për të nxjerrë në pah të vërtetën. Ishte kohë e rëndë ”.
Në tregimet dhe novelat e veta Ramadan Rexhepi nuk e përshkroi këtë të vërtetë, po e shprehu atë në mënyrë artistike, e përjetësoi atë artistikisht. Thënë figurativisht, shkrimtari ynë (natyrisht e jo vetëm ai) duhej ta piqte mishin e të mos e digjte hellin. Heshtja ndaj golgotës së shqiptarëve në ish Jugosllavinë do të thoshte pajtim, miratim me atë gjendje : “Një popull që s’ paska atdhé, i thash vetes, s’paska gjë. Ky liqé – dhe këto bregore – dhe ky rrap i trashë që nxinë mbi qeramidhet e shtëpive qytetare – s’janë të shqiptarëvet, por të maqedonasve – dhe vëllazërimi që gëzojmë nuk është tjetër veçse kompensim për robërinë që na kanë vënë mbi shpinë.
Që nga ai çast, unë gjithnjë isha në Republikën Federative dhe Popullore të Jugosllavisë, kuvendoja me Ali Podrimjen e Rexhë Surroin, bëja shaka me Azemin (Shkelin) dhe zotëri Vehapin (Shitën), por me mend isha jashtë korracës sime dhe përgatitesha për një vdekje në Inkognito. As përmbledhja që ia kisha lënë Esad Mekulit për botim, as temat e ndryshme që më zienin në kokë, as karriera që fshihej diku në mjegullën e ardhmërisë, nuk kishin kurrfarë shkëlqimi ”.
Ndërgjegjja e shkrimtarit Ramadan Rexhepit përballë artit dhe realitetit lartësohet e forcohet gjithnjë e më shumë: i vetmi mjet me të cilin mund t’i kundërvihet asaj gjendje ishte arti, rrëfimi poetik; ai do ta pasuronte njeriun e tij shpirtërisht; do ta bënte më të qëndrueshëm përballë vështirësive që po i përjetonte. Autori ynë nuk mund t’i përdorte fjalët e Krishtit në kryq: “Fali, o Atë, se nuk dinë çka bëjnë!” se ata nuk e dinin gjuhën e mëshirës e të përdëllimit; me kot sillesh me mëshirë me ata, që nuk e përfillin dhe nuk e zbatojnë atë parim, prandaj shqetësimet ia tundin shpirtin dhe mendjen: “[…] ka kohë që në kokën time zhvillohet një luftë e rreptë midis arsyes dhe urrejtjes. Unë nga natyra jam i butë dhe paqësor, tmerrësisht paqësor, si të gjithë ata që janë rritur me bukë e me qepë në sofër, por shpesh herë përjetoj çaste kur e pyes vetveten si mund të jetë njeriu i butë dhe paqësor me ata që na kanë zaptuar vendlindjen dhe na trajtojnë si egërsira të rëna nga malet? Qysh munden ata të jenë zota e ne qytetarë të dorës së katërt? Si mund të jesh i butë dhe besnik dhe paqësor, kur populli yt, njësoj si populli palestinez, vietnamez e bolivian, vuan për kafshatën e bukës? As tani – që po i shkruaj këto fjalë – nuk e kam të qartë përse asnjëri nga ata që kisha me vete, duke i rënë Maqedonisë rreth e përqark, nuk e shqiptoi asnjë fjalë mërzie për fshatrat e zbrazura shqiptare. Asnjëri nga ata burra të mirë nuk shfaqi shqetësim që Jugosllavia e Shokut Tito na kishte lënë pa gjuhë, pa tokë dhe pa vendlindje… ”.
Ky shqetësim e përcolli dhe e trazoi vijimisht autorin e tregimeve “Kumbonaret”, prandaj thotë: “Në agun e vitit 1963, duke vizituar Ohrin me një grup shkrimtarësh nga Kosova, arrita të kuptoj se malet përtej liqenit i takonin Shqipërisë. Ishin kundruall nesh dhe s’ishin larg. Rinia e sotme nuk e kupton, por unë ndjeva një mall të çuditshëm, një revoltë të thellë. Aty ishte atdheu. Andej tokë arbërore këndej tokë arbërore e ne nuk kishim as të drejta njerëzore që të dalim t’u zgjasim dorën njerëzve krijues, t’i përshëndesim vëllezërit tanë. Aty, e kuptova se midis popullit tim ekziston një kufi ”.
Këtë gjendje të rëndë të golgotës së shqiptarëve të Kosovës (po dhe të gjithë shqiptarëve në ish Jugosllavinë) do ta shprehë dhe Arshi Pipa më 1959 në poezinë me titull “Kosovës”:
Kosova e ngratë dergjet e vdes n’robní!
dhe
Prej bastardësh tradhtue qi i zhgulën zemrën
e n’pré ua hodhën klyshve qi Moskova
për gjak ndërsen, me parzmën shkelë nën themrën
mizore sllave po jep shpirt Kosova .
Rrëfimi poetik si qëllim kryesor dhe si katarsë shpirtërore
Kur e lexon me vëmendje përmbledhjen “Kumbonaret” e Ramadan Rexhepit, kur thellohesh në qenësinë e tekstit, në mënyrën e të shprehurit, në tablotë poetikisht të pasura e herë – herë të jashtëzakonshme, atëherë bindesh se qëllimi kryesor i autorit ka qenë që të përftojë tregime dhe novela sa më poetike, të cilat me artin e tyre do të mund ta pushtonin lexuesin e kohës kur u shkruan, po të jenë të tilla edhe në kohët që do të vinin. Se arti i madh u përket të gjitha kohëve, e kanë dëshmuar veprat letrare poetike që nga lashtësia, si fjala vjen, “Epi i Gilgameshit”, i shkruar me kunja rreth katërmijë vjet më parë , pastaj dy epet e Homerit, “Iliada” dhe “Odisja” e shumë të tjera.
Pra, synimi kryesor i Ramadan Rexhepit qe ta krijonte tekstin e vet sa më artistik që ishte e mundur të një strukturë tekstore që thotë më shumë se një kuptim dhe e cila do të ndikojë tek secili lexues. Ai ishte i vetëdijshëm se kufizimi i mendimit në një tekst letrar jo vetëm do ta kufizonte vlerën e tekstit të përftuar, po edhe përfilljen dhe ndikimin në marrësin. Ky përcaktim i autorit tonë vërehet jo vetëm në shqiptimin e kontrasteve të jetës konkrete e të botës së brendshme, të tablove të pasura e të përshkrimeve të rralla e kuptimplote, po dhe të zbulimit të veçantive shpirtërore tek një person kur ai ballafaqohet me veten ose me të tjerët në rrethana të rënda e të papritura të gjallimit.
Dy gjëra kanë kushtëzuar veçantinë dhe pasurinë e tregimeve dhe të novelave të Ramadan Rexhepit të përfshira në vëllimin “Kumbonaret”: gjuha dhe shtjellimi i tekstit, i fjalisë – stili. Pa një gjuhë të pasur nuk mund të shkruhet një vepër e madhe e artit të fjalës, po as kjo nuk mjafton; shtjellimi gjuhësor shprehës është vendimtar dhe përcakton qenësinë e çdo krijese letrare poetike.
Në këtë rrafsh shkrimtari ynë është dëshmuar mjeshtër i madh në ndërtimin e shprehjes, të fjalisë dhe të pjesëve më të mëdha, përmes të cilave ai e ndërton tekstin nga dalin mendimet e shumta. Të shprehurit gjuhësor dhe imagjinata e pasur i kanë ndihmuar atij t’i shqiptojë dukuritë në veçantinë e tyre, të kapë “vogëlsirat”, ato që shpëtojnë nga një vrojtim i rëndomtë, nga syri që nuk synon të depërtojë përtej asaj që sheh në të parë. Ramadan Rexhepi, si dhe disa nga tregimtaret tanë me të mirë, Anton Pashku, Ymer Shkreli, Lazër Stani, Sabit Rrustemi (me tregimet e shkurta) e ndonjë tjetër, synon ta zbulojë dhe ta shprehë të pazakonshmen brenda të zakonshmes dhe anasjelltas; i gjurmon fshehtësitë e dukurive, të mendimeve, të botës së brendshme të personazheve, qoftë dhe të gjërave fare të zakonshme të jetës së përditshme. Në këtë shqiptim përligjet mëvetësia dhe mjeshtëria e një krijuesi të madh.
Edhe pse dukuritë e jetës konkrete që i trajton në tregimet dhe novelat e tij lënë përshtypjen e një rrëfimi të thjeshtë, është vështirë të gjesh ndonjë tregimtar tonin që të ketë përftuar aq shumë tablo e përshkrime poetike si Ramadan Rexhepi, i cili nuk synon ta ngushtojë e ta kufizojë rrëfimin e vet poetik, ta zhveshë atë, t’i shprehë dukuritë në formën e tyre të njëtrajtshme, thënë figurativisht, në lakuriqësinë e tyre. Ai rrëfen për atë që është e qenësishme, që është e mjaftueshme që lexuesi të vazhdojë në mendjen e tij rrëfimin, të mund të komunikojë me dukuritë përkatëse në mënyrë që ato të marrin një formë sa të gjerë aq thellësore në mendjen e tij në pajtim me shijen dhe botën që ka. Arti i madh përligjet jo vetëm me thellësinë, pasurinë dhe pafundësinë e asaj që shprehet, të asaj që teksti bart (përcjell) tek lexuesi, po dhe për atë që e heshtë, që e lë të nënkuptohet, gjë që e nxit imagjinatën e tij të përsiasë edhe përtej asaj që nuk është thënë në tekstin përkatës. Autori ynë vepron në këtë mënyrë për t’i dhënë mëvetësinë, natyrshmërinë dhe ngrohtësinë rrëfimit të tij, që si i tillë të ndikojë sa më fuqishëm në lexuesin.
Në mënyrë të veçantë Ramadan Rexhepi i hulumton dhe i shpreh dukuritë në marrëdhënie kundërshtore dhe kundërvënëse. Kjo mënyrë rrëfimi jo vetëm mundëson të shqiptohen dukuritë në mënyrë më komplekse, po dhe përmes saj mbërrihet një ndikim estetik më i madh në marrësin.
Një cilësi tjetër e prozave të Ramadan Rexhepit është se të shprehurit të tij poetik është i ngjeshur, i përpunuar, sidomos në veçimin e rëndomësisë; në secilin tregim dhe në secilën pjesë të tij ai ia del të shqiptojë diçka të veçantë, në secilën tablo dhe në secilin përshkrim shpreh diçka tjetër në krahasim me atë që ka thënë më parë, edhe atëherë kur i përmend objektet ose dukuritë e njëjta, siç ngjet kur e përshkruan hënën natën ose shqetësimin e të njëjtit personazh.
Kjo llojllojshmëri, ky shqiptim i ndryshëm i dukurive dhe i gjërave, përligj aftësinë krijuese dhe talentin e jashtëzakonshëm të këtij autori dhe i jep vulën e mëvetësisë dhe të vlerës së pamëdyshtë prozës së tij. Ramadani është, siç e thotë ai vetë, “fjalë pak”, ose siç thoshte Lasgushi ynë kur fliste për nevojën që poeti duhet t’i zgjedhë fjalët dhe të përdorë sa më pak fjalë, pra të lërë mundësinë e një nënteksti sa më të pasur: “[…] poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve ”.
Për të përligjur, përmes shembujve, rrafshin e lartë poetik që i cilëson tregimet dhe novelat e Ramadan Rexhepit, të përfshira në “Kumbonaret”, do të duhej shumë vend për arsye se s’ka tregim, s’ka faqe dhe s’ka ndonjë pjesë më të madhe ku autori nuk përdor një shqiptim poetik, një sistem shprehës të lartësuar, sa duke e lexuar, shpesh fiton përshtypjen se po lexon vargje të poezive.
Në vazhdim po sjell disa shembuj për t’i dëshmuar këto vlera në tri mënyra – rrafshe të të shprehuri: a) shqiptimi poetik, b) përshkrimi i pasur dhe i mëvetësishëm dhe c) kontrasti poetik.
Po i sjell pa asnjë ndërhyrje dhe interpretim për arsye se asnjë tekst diskursiv nuk mund të shprehë më mirëfilli qenësinë e teksteve përkatëse.
a) Shqiptime poetike origjinale
“Sot ishte i rraskapitun, i rraskapitun, dhe i rraskapitun. Të trokitunat e kangës së gjelit ishin burgu e rrezet ngjyrë argjenti, që piklojshin mbi shtratin e tij — ishin qielli, muret e qiellit dhe tanë breshni diellor që donte të shembet mbi mbretnín e tij”. (f.14)
“[…] shum pika gëzimi u rrokullisën në misterjen e lumtunís së Konstantinës. Ani se vapa, qysh në mëngjes, e shtrëngoi ditën për gërmazi, çaponte ajo qetë në pluhnin e thërmuem dhe asgjâ s’kundronte. As mjegullën që bahej lamsh mbi kulmet e nximë, as çerdhuklën që pushoi në manin me trung të zgavërt […] N’oborrin e përjargun me rreze dielli, prap ai çrregullimi i përhershëm shtëpijak: këpucët e përmbysuna para pragut të shkallmuem, në dritaret e hapuna kaltrohej nji krahën i mbushun me zbokth, e në shullanin e lamës terej mullza e nji qingji. Andej prronit, lëbardhej grigja e dhenve që shkonte tue u mprefë shpatit të pikluem me kaçuba murrizash si kordel i vjeturem bonjakeje”. (f. 33)
“Nuk e dij si ta quej at çast, Reqibe. Gjithë ajo i ngjau diçkahit që âsht e rrëmbyshme, e shpejtë, e vringullt. Ti e ke pa: nganjiherë qielli âsht paskaj i kthjellët, paskaj i thellë, kur lëshohen hordít e mjegullës dhe ia gëlltisin ledinat e kaltërta. Njoftja jonë ishte e tillë […] Përreth, asnji shungurimë kalamendse, asnji za. N’at çast, peshqit zgjuet e përcillnin hanën e robnueme nga sehiret e ujit; në gjethet e shpeshta, n’ujë, n’ajr, në kallamishten përplot shpezë t’egra, gulshueshëm lindëte shushurima dhe mekun luente me rrêmat e plepave, me gjethet e misrishteve, me flokët e shprishun të fustanit të vjetër, të hekurosun nën kambët e lidhuna…” (f. 87)
“Mes tyne nji shikim i ftoftë. Mandej nji e qeshun si e diellit kur e shplon fytyrën nga perdja e murrme e rêve, dhe filli i jetës së tyne, i lidhun me nyje vneri e gëzimi, njirend u kthjell […] Si të kishte dashtë me imitue gëzimin e udhtarëve të lodhun, dita, që sá shkeli në muzgun e mbramjes, qeshi hareshëm […] Flladi vjeshtor që n’at çast fryni puhishëm, u rras si hajn në kopshtijet e rregullueme, i çpaloi gjethet ngjyrë purpuri të mollave dhe e praptoi mbas çufrrën e kaçurrelave të saj. Dita i ngriti velat dhe bahej gadi me velzue detnave të pakthyeshmënís. Edhe sendet mâ t’imta, të pingulta në kodrat e zvaruna si punilat e njomë, dukeshin të zez nën të kuqt e qiellit që e kishte përflakë perëndimin”. (f. 107)
“Mixha Franjë s’e kishte mendue kështu kthimin e tij. Kishte dashtë të jetë i shëndritun katundi. Kishte dashtë ta shifshin të gjiithë kur të kthehej: edhe grát e bardha si bora, edhe çikat me gjîjt si kalavesha rrushi edhe pleqt e moçëm si vjetët e tyne. Oborret kishin me këndue me gushat e gjelave, e bagtija me gjuhën e kumbonave. Bukurí kishte me qenë ashtu. Të gjithë do të flitshin për te, për loparin ngadhnjyes që shkoi e u kthye me diellin e përgjakun në grushta.
Po, atij mengjesi rrugët e katundit ishin plagosë randë nga gjumi i hatashëm. Dhe – nuk i hapën sytë me pá në bebzat e udhtarëve mâ të lumtun trishtimin e papritun, trishtimin gjakatar. Babë e bî shikuen në nji drejtim dhe nuk panë diçka të njoftun – copën aq të njoftun të kulmit të shtëpis dhe rrêmat e arrës mbi të”. (f. 118)
b) Përshkrime të mëvetësishme poetike
“Gjithçka e bukur dështonte nën shiun e akullt që grumbullohej në gjira dhe brraka të cekta; mollat e papjekuna përmbyseshin në bahçen e rrëmihun para Shën Gjergjit dhe pak dalloheshin prej topthave që mbuluen çdo pllambë trolli me rrema të thyem e gjethë të shkyem… Shkyhej zemra e Konstantinës. Shkyheshin shpresat e gjithë katundit. Prroskat e turbullta, si të ngafituna, u shembën mbi rrugët e shtrueme me rrasa gurësh, i gërryejshin megjet për rreth e, mandej, bashkë me handrakun e mbledhun rrugës, shembeshin pakthyeshëm teposhtëzes së pjerrun mbi brigjet e lumit…” (. 35)
“E puthte mahnitshëm ku mbërrinte, ndërsa Konstantina ngurueshëm filloi me e sitë në shoshë e dërmolë dashunín që ia shfaqte ky. Diçka e lemeritshme i gurgullonte në zemër, i rrëmbehej nëpër brigjet e ndërgjegjes dhe, ma në fund, shpërthente në sytë e mjegulluem nga lotët. Edhe ajo, si çdo femën e ndershme, e shifte në këmishën e tij, në sytë që shëndritshin si të djallit, në vetë ate, nji pikëpyetje fantastike. Bile kështu gurgulloi nji krue në ndërgjegjjen e saj” (f. 38)
“Minutat, t’amshueshëm n’at heshtje të padurueshme thërmoheshin në brigjet e njani – tjetrit. E ajo s’u ngjit, veç, e mpime në dalldín e saj, vazhdoi me at kambënguljen e vajzës së re të kërkojë diçka të pagjetun, të paçmueshme, të madhe në turmën që shikonte heshtazi. Ç’ka që s’ngjitej, por rrinte si e marrë para qerres? Ajo shikoi edhe nji herë tash në lotin që lëshohej lëmueshëm rrudhave të babës. Enigma vinte e pështillej si dredhë e pluhunit, sa mâ tepër që zgjatej, sa mâ tepër që shtyhej nisja e nuses […] Magjithate, ndihej pranija e nji shqetsimi të papritun, e nji rropatjeje shpirtnore që dukej t’ishte e pabrigje atij çasti. Tek e mbrama, në çka pritej tash, kush ishte ai që kishte mbyllë dyert e sarajeve me heshtjen e tij?” (f. 67)
“Dielli i pangjyrna, i largët në mjegullën që reshte mbi shtëpít, e rêt t’ulta, të randa në tullugjet e tyne, përmnershëm e hiqshin kupën e qiellit kah toka, e dhunojshin, e zhytshin me baltën e ngjyrnave të tyne. Kjo e tërboi Veriun dhe ai, për nji çast e ndezi lodrën e erës: ulurueshëm u lëshuen rrymat e tij nëpër bregoren, zashëm fishkllonin në vrapin vetëvrasës, shkelshin pashpirtë mbi kunorat e dushnezës së kotovalun, dhe shkuen, shkuen tue u shty me fërfllazën, tue shembë klitën e lisave dhe qirijt e strehave. Lokës iu duk se ndëgjoi nji za të humbun, nji za njeriu që mbytej n’ortekun e malit. Vringull e hodhi boshtin dhe duel, por asgjâ. Duket se vetëm ishte mashtrue, si nanë që të gjitha hojet e mendimeve i ka të lidhuna në nji zamare, që tufani lajkatár mundet me e pushtue lehtë, me e përkulë pa pikë mundi…” (f. 80)
c) Shqiptimi kontrastik poetik
“At natë ishte dejë dhe, s’deshti me mendue n’asgjâ. E edhe n’çka me mendue? Ditën e Shëngjergjit që ishte nesër, apo pezmin e vetëvehtes? Gjithçka që âsht e lidhun me vetëvehten, âsht e marrë. E mërzitshme. Do të thotë – ma mirë âsht të mos mendojsh. Të mos i kujtosh ato ditë kur ke qenë fëmí dhe ke shkue me mbledhë lulësarihta. Po. Të mos i kujtosh shëngjergjet qi ke përbî, që i ke shkue me gruen, e cila n’realitet nuk âsht mâ grue e jotja… Me mendue, don me thanë — t’urrejsh vetëheten, t‘urrejsh edhe ate, Hafizen, edhe pjellën e saj, edhe pjellën që do të lindi prej pjellës saj”. (f. 25)
“Baba i tij për shembull, kurr s’kishte dashunue, baba i tij mjekërrshpeshtë, sykaltërt, truptopitun si cungu i bjeshkës. E sa i dashtun ishte ai njeri, aq i pushtueshëm e i gjallë. Jam i sigurtë se jeta e shërbëtorit të tashëm kishte me çelë në ngjyrna tjera, në ritëm gjithsesi tjetër, sikur të rrinte i ati në Stubëll. Po, veç ashtu s’deshti jeta. Dhe aty âsht tanë magjija e saj: dikend e fal agë ende pa prekë në tokë, e dikend shërbëtor. Jusufi ishte shërbëtor dhe kjo gjâ i pëlqente. Jo pse ishte i bindun që duhet dikush t’ua lajë kambët agallarëve, veç pse u pajtue me jetën dhe ajo e njofti me njeriun që ishte edhe sherri edhe shpëtimi tij”. (f. 57)
“Dhe mbasi goditeni për nji çmim të përshtatshëm, të merr për dore dhe nxehesh në shtëpín e tij? Kush? Kush? Kush, oj shakë kohet që kaq shpejt ndërron, kaq shpejt lind e vdes, kaq shpejt i var tlinat për t’i ngrî të ftoftit e shkrî të nxehtit? […] S’dijti ç’me vendosë: me u nisë mbas çunit apo me pritë. Mu atëherë tufani uluroi edhe nji herë, i lëpini shtyllat e tymit që zgjateshin si gjarpij mbi oxhaqe dhe humbi mbi dikah, u turr rrokopjekthi bashkë me mjegullën e kristaleve të borës që pezullonin si flutrat”. (f. 81)
Në fund po theksoj se përkundër faktit se Ramadan Rexhepi botoi dhe disa vepra të tjera, me vlerat e shumta poetike, përkatësisht me artin e madh që e cilëson vëllimin “Kumbonaret”, ai i siguroi vetes një vend të rëndësishëm dhe, thënë figurativisht, një përjetësi në prozën tonë tregimtare. Cilësia gjithmonë e ka përcaktuar rëndësinë dhe vlerën e një shkrimtari, jo sasia.