Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije për një rast të një vdekje të dyshimtë, ku në Ranillug gjenden disa eshtra njeriu të mbështjella me disa rroba.
Hashani ka thënë se Policia e Kosovës në Ranillug është njoftuar nga mirëmbajtësi i varrezave të këtij fshati se ka gjetur pranë rrethojave-murit të varrezave të fshatit, që gjenden në pjesën e majtë të rrugës Gjilan-Kamenicë, disa eshtra të mbështjellë me disa rroba, eshtra që dyshohet se janë të njeriut.
“Pas marrjes së këtij informacioni, Policia e Kosovës njësitet e hetimeve Rajonale së bashku me krim teknikën, dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në vend e ngjarjes, kanë arritur edhe njësitet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe gjatë këtij shikimi është konstatuar se eshtrat janë të njeriut”, ka thenë Hashani
Sipas tij, gjendja e gjetur e skeletit trupor, len për të besuar se kjo kufome e njeriut mund të jetë e vjetër më shumë se një vit.
“Skeleti trupor është marrë nga njësiti mjeko ligjor dhe është dërguar në IML në Prishtinë dhe gjatë javës në vijim do të kryhet obduksioni me qëllim të konstatimit dhe të përcaktimit të gjinisë, kohës dhe shkakut të vdekjes”, ka thënë Hashani.
Lidhur me këtë ngjarjen hetimet do të vazhdojnë nga ana e hetuesve të Policisë së Kosovës.