(Tiranë, Shqipëri) – Këshillat e Klubeve Rotariane të Shqipërisë dhe Kosovës kanë organizuar një trajnim dy-ditor për anëtarët e sapo emëruar të komitetit të Rotary Distriktit D53-55 dhe për presidentët e zgjedhur të Klubeve Rotary.
Gjatë këtyre ditëve janë prezantuar të arriturat e Klubeve Rotariane në Kosovë dhe Shqipëri dhe të gjithë pjesëmarrësit janë pajtuar për hapat për periudhën e ardhshme.
Gjatë seancës plenare, Përfaqësuesi i Presidentit Rotary International, z. Radu Popescu, shprehu vlerësimin e tij për të gjithë anëtarët punëtorë të Klubeve Rotariane nga Shqipëria dhe Kosova për kontributin e tyre në zhvillimin e anëtarësimit.
Gjithashtu, ai shprehu kënaqësinë që u arrit objektivi për të rritur anëtarësinë në mënyrë sasiore, duke ndjekur kërkesat cilësore, në Rotary në të dy vendet. Numrii anëtarëve në Rotary nga këto dy vende shkon në mbi 1100; prandaj, kjo po hap rrugën që Kosova dhe Shqipëria të krijojnë Distriktin e tyre që do të çojë në një mbështetje më të mirë për komunitetet dhe njerëzit në nevojë në fushat e tyre të përgjegjësisë.
Pas seancës plenare, anëtarë të dalluar të klubeve Rotariane prezantuan tema të rëndësishme si: tema e vitit të ri Rotary 2022-2023 “Imagine Rotary”; Anëtarësimi; Rëndësia e Planifikimit Strategjik në nivel Distrikti dhe klubi; Diversiteti, Barazia dhe Përfshirja; Mbledhja e fondeve dhe Fondacioni Rotary; Rotarakti dhe rëndësia e përfshirjes së të rinjve, dhe të tjera.
Organizimi i këtyre prezantimeve dhe trajnimeve është i rëndësishëm që anëtarët e rinj të Klubeve Rotary dhe Rotaract të njohin më mirë procedurat dhe strukturat e Rotary International dhe të rrisin ndërveprimin e tyre me klubet Rotariane nga Kosova dhe Shqipëria. Ky është një parakusht për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira nga një rajon në tjetrin, midis klubeve dhe Distrikteve në mbarë botën, që është një aspekt i rëndësishëm për Distriktin kur ai të themelohet.
Rotary është një rrjet global prej 1.2 milionë personash të rritur që demonstrojnë karakter të mirë, integritet dhe udhëheqje; posedojnë reputacion të mirë brenda biznesit, profesionit, dhe/ose komunitetit të tyre; dhe janë të gatshëm të shërbejnë në komunitetin e tyre dhe/ose në mbarë botën. /2LONLINE/