(2L ONLINE) – Në vazhdën e angazhimeve rotariane, nga një projekt i rotarianëve kosovar kanë përfituar edhe shkollat e e komunës së Vitisë. Me mbështetje të Rotary Klubit Prishtina Internacional, të Rotary Klubit Vitia dhe të Komunës së Vitisë, është realizuar me sukses projekti në 17 shkolla të Vitisë që ka të bëjë me vendosjen e filtrave të ujit, respektivisht pastruesve të ujit të pijshëm.
Izak Martini kryetar i RC Vitia ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE se është kryer me sukses ky projekt ku janë vendosur filtrat e ujit në 17 shkolla të komunës duke mundësuar përdorimin e ujit të pijshëm, pasi sipas analizave është konstatuar se uji në këto shkolla ka qenë i papërdorshëm.
Këtij projekti i kishte paraprirë marrëveshja e mirëkuptimit e nënshkruar kohë më parë mes dy klubeve rotariane, atij nga Prishtina RC Prishtina Internacional dhe nga Vitia, RC Vitia, që parashihte realizimin e projektit në bashkëpjesëmarrje (50:50) të rotarianëve në njërën anë dhe të komunës së Vitisë.
Kjo u bë me përkrahjen e Klubit Rotary Prishtina International e ku kryetari i saj Sylë Alaj shprehu gatishmëri që projekte të tilla që kanë të bëjnë me sektorin e ujit të vazhdojë të mbështesë edhe më tutje aty ku klubet përkatësisht institucionet komunale tregojnë gatishmërinë për të participuar 50:50, ndërsa nga ana e tij Izak Martin kryetar i RC Vitia tha se ky projekt ishte i mirëseardhur pasi tani ka mundësuar ujë cilësor për nxënësit e 17 shkollave përfituese. /2L ONLINE/