ROMANET E MUHARREM ELEZIT
Met Rexhepi
Të nderuar artdashës!
Tashmë dihet: përurimi i një libri të ri, sikurse ky i sotmi, është një akt solemn. Në përurime nuk praktikohen analiza e sinteza të gjithanshme për librin. Në rastin e përurimit të librit, romanit më të ri, titulluar ENGJËLLI i Muharrem Elezit, jemi ne, lexuesit, që përmes këtij akti të përurimit, i shprehim tumirje prozatorit tonë për dalje në dritë nga kthesat e labirinteve të imagjinatës letrare-artistike e këtij prodhimi letrar. Pa dyshim është një përkushtim i lodhshëm, shtigjeve të imagjinatës së rrëshqitshme për ta ndërtuar një realitet letrar artistikisht të bindshëm.
Më ndjesën time për durimin tuaj: nuk kam qasje të drejtpërdrejtë përkitazi këtij prodhimi letrar, ngase sapo ka dalë nga shtypshkronja. Mirëpo, mund të pohoj diçka në mënyrë të përgjithësuar për librat e mëparshëm të kësaj tipologjie letrare të shkrimtarit Muharrem Elezi. Ky shkrimtar është befasues. Përse më duhet të pohoj kështu? Për disa arsye: arsyeja jashtë letrare se ky autor nuk i përkiste sferës së profesionit të letërsisë, ngaqë autori ishte përgatitur mësimdhënës kimie. Pra i përkiste sferës së dijeve për natyrën. Si i tillë Muharrem Elezi nuk është rast i vetmuar, sui generis, që i qaset një pasioni tjetër soj. Njëri nga shkrimtarët e frytshëm e cilësor, që e ngriti prozën shqiptare në nivel të lartë, pos Kadaresë, është Fatos Kongoli. Kongoli i përkiste përgatitjes profesionale jashtë letrare, ishte mësimdhënës matematike. Pasioni për artin e të shkruarit i tejkalon suazat e ngushta profesionale.
Befasia e dytë në pikëpamje letrare e shkrimtarit Muharrem Elezi është paraqitja e tij në fushën e gjerë të prozës, madje në gjininë e zorshme të romanit, duke mos e parë të jetë paraqitur më herët në letrat shqipe; por përnjëherësh na del me një seri romanesh të tipologjisë së romaneve a la Balzak! Kjo rrethanë kësisoj është befasuese për ne, që i kemi ndjekur hapat e ngadalshme të prozatorëve tanë të deritashëm. Është befasues ndërmarrja e guximshme dhe mëtimi me një siguri të paluhatshme të këtij autori, për t`i hyrë shtjellimit artistik të fateve njerëzore në mjediset e vlimit të jetës sonë bashkëkohore. Andaj, ky prozator i paparalajmëruar, sikurse jemi mësuar t`ua shohim shkrimet e shkëputura nëpër gazeta e revista letrare shkrimtarëve tashmë të njohur, si Nazmi Rrahmani, Ibrahim Kadriu e ndonjë tjetër; hap hulli dhe kultivon prozën e gjatë të romanit tradicional, që kishte vendosur një traditë në letërsinë shqiptare, që nga Haki Stërmilli, Foqion Postoli, e të tjerë.
Më kishte lënë përshtypje romani para këtij të tashmit E ARRATISURA. Muharrem Elezi në këtë roman, si dhe në tjetrin para këtij ZYLA, ia kishte dalë ta trajtonte fatin e nëpërkëmbur të femrës shqiptare. Te romani E ARRATISURA personazhi i femrës arrin t`i thyejë konceptet e vartësisë nga duart dhe mendësia e robit, t`i çajë rrethanat e mbylljes dhe, ta vërë në veprim vetëmohimin për gjetjen e rrugëtimit, sipas vullnetit e vet-zgjidhjes dhe zgjedhjen e lirisë së vet.
Lënda e romanit arriti t`i zbërthejë pleksjet e temës qendrore me kushtëzimet anësore motivuese, si dhe reflektimet e kontekstit politik, përmes reflekseve të një fiziologjie funksionale ideore-estetike-etike dhe artistike; gjithnjë duke i përfillur parimet e shkrimit artistik të prozës si sferë artistike, pa u ngufatur nga publicistika e kundrimet thjesht sociologjike të motivimeve artistike.
Shkrimtari Muharrem Elezi nuk i përket kategorisë së shkrimtarëve e të stilistëve eksperimentues. Ai është i drejtpërdrejtë dhe hyn vetëm në ato shtigje shpirtërore ku mund ta qesë hapin dhe të arrijë shtjellimin, ku mund të dalë i qartë, pa u zhytur në shtresë-kuptimësi të ndërlikuar. Kështu, ky shkrimtar vazhdon me besnikëri prirjen për kultivimin e romanit tradicional, pa e çarë kokën për teoritë e reja për romanin, apo për risitë stilistike, ideore, metaforike-simbolike të prozës moderne dhe, në post modernitetin e romanit bashkëkohor.
Nga kjo përmbyllje diskursi, vërehet se vëmendja e kritikës për romanet e Muharrem Elezit është e mangët. Ndoshta në një të ardhme të afërt, kësaj prodhimtarie të vëllimshme romanesh, do t`i kthehet përqendrimi i kritikës sonë letrare?
Përgëzime të sinqerta për autorin! /2LONLINE/
Muharrem Elezi