(2L ONLINE) – Në Komunën e Gjilanit, nën organizimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Drejtorisë e Zhvillimit Ekonomik dhe Odës Ekonomike Regjionale, sot është mbajtur takim me bizneset për rolin dhe funksionin e infrastrukturës së cilësisë në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Ismail Januzi, ka thënë se takimet informuese për infrastrukturën ligjore, standardizimin, akreditimin dhe metrologjinë janë të mirëseardhura për bizneset, ngase këto janë standarde ndërkombëtare dhe ndikojnë në zhvillimin e bizneseve dhe në përgatitjen e tyre për konkurrencën rajonale dhe globale.
“Takime të tilla informuese me infrastrukturën ligjore nga ana e MTI-së janë të mirëseardhura për bizneset sepse mundësojnë zhvillim ekonomik dhe hapa drejtë konkurrencës së barabartë me bizneset rajonale por edhe globale. Cilësia e cila duhet të ofrohet nga bizneset është ajo që atyre ua mundëson konkurrencën në treg. Në Kuadër të Komunës së Gjilanit ne kemi edhe inspektorët e tregut, të cilët punojnë për të mbajtur nën kontroll cilësinë e produkteve që ofrohen për qytetarë, duke qenë mbështetës të mbrojtjes së konsumatorëve. Kemi nisur bashkëpunim me MTI-në në promovimin e investimeve, por presim zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fushën e standardizimit, akreditimit, metrologjisë, mbikëqyrjes së tregut, mbrojtjen e konsumatorit dhe vlerësimin e konformitetit, ku më pas do të organizonim trajnime me bizneset për këto fusha veç e veç që gjatë punës së tyre më pas të ecin nëpër këto hapa që ndikojnë në zhvillim ekonomik”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Januzi.
Ndërsa Doruntina Shala, nga divizioni për infrastrukturë të cilësisë ka informuar të pranishmit për Infrastrukturën e Cilësisë dhe Komponentet e saj.
“Infrastruktura e cilësisë është një përmbledhje e organizatave shtetërore ose private të rregulluara në bazë të fushave përkatëse, aktivitetet e të cilave lidhen me përgatitjen dhe miratimin e standardeve dhe lëshimin e dëshmisë së konfirmimit në përshtatshmërinë e produkteve apo shërbimeve, qëllimin e synimeve të tyre dhe lëshimin e bashkëpunimit teknologjik. Kurse, komponentet e infrastrukturës së cilësisë bazohen në Standartizim, akreditim, metrologji, mbikëqyrjen e tregut, mbrojtjen e konsumatorit dhe vlerësimin e konformitetit”, ka thënë ajo ndër të tjerash në fjalën e saj.
Nga Agjencia Kosovare e Standartizimit, Bujar Istogu, ka thënë se standardet dhe standardizimi në biznes mundësojnë një konkurrencë serioze në treg e më vonë edhe zhvillim ekonomik. Ai po ashtu ka spikatur standardet e regjistruara në Kosovë. Standartet kanë parametra dhe kushte të njëjta për të gjitha bizneset, ka potencuar ai ndër të tjerash.
Edhe Blerim Sokoli nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, ka informuar të pranishmit për infrastrukturën ligjore dhe mundësitë që kanë bizneset, por edhe mbështetja që mund t’u ofrohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. /2L ONLINE/