Para nëntë vitesh, më 14 nëntor 2010, u nda nga jeta ish-drejtori komunal i Buxhetit, Ismet Maliqi, njëherësh, anëtar i kryesisë së PDK-së në Gjilan. Ismeti shquhej për punë, për profesionalizëm dhe si njeri që i mbronte me këmbëngulësi parimet e veta jetësore.
Atë e karakterizonte përkushtimi dhe thjeshtësia, dija dhe serioziteti, guximi intelektual për t`u ballafaquar me të vërtetën, çfarëdo qoftë ajo.
Ismeti nuk xhelozonte njeri për sukseset e tij. Vetëm në padrejtësi ishte i ndjeshëm. I donte të gjithë, por edhe i qortonte shumë kur ishte nevoja.
Ai dha kontribut të sinqertë në konsolidimin e jetës politike e institucionale në komunë, derisa ishte në cilësinë e drejtorit për buxhet e financa, në një mandat qeverisës.
Ishte i veçantë në mënyrën se si i përjetonte zhvillimet dhe se si punonte për to. Gjithnjë dhe në cilëndo rrethanë, të vërtetën e thoshte troç, pa tentuar në asnjë moment të lëvizte nga parimet e tij jetësore. Ishte i pa kompromis kur flitej për të vërtetën dhe përgjegjësinë.
Ismeti ka lënë prapa një trashëgimi morale, kulturore, atdhetare e politike, si vlerë e patjetërsueshme për familjen.
Ismet Maliqi ishte i lindur më 20 nëntor 1959, në fshatin Miresh. Kishte mbaruar fakultetin ekonomik në Prishtinë.
/ILMI MUSLIU/