(2L ONLINE) – Projekti i komasacionit i nisur në vitet e 80-ta në komunën e Vitisë, përkatësisht në fshatrat Skifteraj, Binqë, Beguncë, Ramnishtë, Lubishtë, Budrik e Remnik, ka bërë që banorët e këtyre lokaliteteve të mos kenë mundësin për të aplikuar për grande dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Komuna e Vitisë në bashkëveprim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, do të finalizojnë projektin për 7 zona të kësaj komune ku do të përfshihen në shërbimin e komasacionit të tokave bujqësore të Republikës së Kosovës.
Vetëm në fshatin Skifteraj janë diku afër 700 hektar tokë që janë përfshirë qysh në vitet e 80-ta në projektin e komasacionit, por që fatkeqësisht qysh nga atëherë ky projekt ka mbetë në gjysmë.
Veton Ademi, drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Viti, thekson se kjo gjendje e krijuar si pasojë e mos përfundimit të projektit të komasacionit në vitet e 80-ta, pronarët e këtyre tokave janë privuar edhe nga e drejta për të aplikuar për grande pasi që nuk kanë pasur dëshmi mbi pronësinë.
“Pikërisht mos finalizimi i këtij projekti ka bërë që në rast të shitjes apo blerjes së ndonjë parcele, ka qenë e pamundur të bëhet bartja në kadastër , apo të shfrytëzohet për dëshmi pronësore për kredi marrje apo nevoja të tjera”, ka thënë Ademi.
Ai theksoi në një takim me banorët e fshatit Skifteraj, se komunës së Vitisë i është konfirmuar nga ana e Ministrisë së Bujqësisë se janë përfshirë në projektin për shërbimin e komasacionit të tokave bujqësore në Republikën e Kosovës.
Për të përfunduar këtë projekt, është kontraktuar edhe një kompani profesionale e cila do të grumbulloj të dhënat nga banorët dhe të regjistroj pronat që deri më tani ishin të pa legalizuara.
Imer Kuka përfaqësues i kompanisë kontraktuese, theksoi se pas Vushtrrisë dhe Drenasit, Vitia është komuna ku do të punohet në realizimin e projektit të komasacionit në 7 zona. Banorët e fshatrave të përmendura që janë pjesë e këtij projekti, do të kenë mundësin që më në fund të regjistrojnë pronat e tyre sipas projektit të komasacionit, pas verifikimit dhe dëshmive që do ti japin komisionit përkatës që do të merret me realizim të këtij projekti, pasi që dokumente kadastrale për këto toka, ngase projekti në fjalë kishte ngelur në gjysmë mu në momentin e finalizimit në atë kohë.
Takime me banorë, do të mbahen edhe ne fshatrat tjera që janë pjesë e këtij projekti në ditët e ardhshme. /2L ONLINE/