(2LONLINE) – Pas dorëheqjes së Riad Rashitit nga pozita e kryetarit të njërës nga nëndegët më të mëdha të PDK-së në Gjilan, asaj në Malishevë, ka pas zëra se ai mund të lëvizë drejt partive tjera, siç kishte ndodh me disa përfaqësues të tjerë të këtij subjekti që kur ishin larguar nga strukturat udhëheqëse të PDK-së kishin kaluar në parti tjera. Madje nuk kanë munguar as zërat se ai do t’i bashkohet NISMA-s. Por se këto zëra i ka shuar vet Rashiti i cili i ka thënë Portalit 2Lonline, se ai do të mbetet plotësisht i angazhuar në PDK-në e Gjilanit si këshilltar në Kuvendin Komunal, si anëtarë i kryesisë së degës, por edhe si anëtar i kryesisë së nëndegës në Malishevë.
Ai e ka arsyetuar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të nëndegës së Malishevës duke thënë se e ka bërë me qëllim të krijimit të hapësirës më të madhe dhe angazhimit të kuadrove të reja në strukturat e PDK-së në Gjilan, të cilat kanë nevojë që edhe më tutje të freskohen me aktivistë të rinj, si dhe për shkak të angazhimeve të shumta të tija, e ka vlerësuar se ky hap do të ndikojë pozitivisht me qëllim të rritjes së mobilizimit në këtë nëndegë.
Përndryshe, ai ka bërë me dije se pikërisht në atë ditë pas dorëheqjes, vet ai në takim të kryesisë së nëndegës ka propozuar Ilir Tahirin për kryetar të nëndegës, propozim i cili është votuar me të gjitha votat për, po ashtu është zgjedhur edhe nënkryetari i kësaj nëndege Agron Salihu.
“Nëndega e Malishevës mbetet aktive dhe e fuqishme, por edhe besojmë se me këto ndryshime do të rriten edhe më shumë sukseset në zgjedhjet e 8 qershorit. Janë dy djem të rinj, me energji pozitive dhe kanë autoritet për të përfaqësuar PDK-në në këtë nëndegës”, thotë Rashiti.
Ai po ashtu ka falënderuar jashtëzakonisht shumë kryesinë e nëndegës, Rininë Demokratike dhe Gruan Demokratike, për angazhimin dhe kontributin e lartë që e kanë dhënë për PDK-në, që nga themelimi i saj si dhe për mbështetjen e madhe që ia kanë dhënë atij si kryetar i kësaj nëndege për nëntë vite të plota.
“Ne së bashku kemi arritur shumë suksese, kemi fituar pesë palë zgjedhje lokale dhe parlamentare që nga viti 2007. Unë jam mirënjohës dhe falenderues edhe për përkrahjen e madhe të të gjithë bashkëqytetarëve të cilët më kanë votuar mua si kandidatë, që të jem fitues për dy mandate si këshilltar në Kuvendin Komunal të Gjilanit”, ka thënë Rashiti për 2Lonline.
Ai beson se PDK Dega në Gjilan, me një mobilizim të të gjitha strukturave dhe me angazhimin e të gjithë aktivistëve, duke filluar nga ata të cilët e kanë themeluar PDK-në në Gjilan, e deri të aktivistët e rinj të cilët, sipas tij, janë më se të motivuar për fituar në ndeshjen e kthimit, për ta fituar Gjilanin përsëri, sepse, sië thotë Rashiti, PDK është e vetmja alternativë për zhvillimin e komunës dhe të Kosovës si dhe për rritjen e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët e vendit tonë.
“PDK-ja është e vetmja parti, që ka një lider me vizion dhe program zhvillimor për Kosovën, ka Kryeministrin aktual dhe të ardhshëm Hashim Thaqin, i cili e ka dëshmuar se me qeverisjen e tij gjashtëvjeçare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka bërë ndryshime të pa mohueshme në interes të qytetarëve, për punëtorët, për bizneset,për studentët, për bujqit, për pensionistët dhe në të gjithë sektorët tjerë”, thotë Riad Rashiti, anëtar i kryesisë së degës së PDK-së dhe këshilltar në asamblenë komunale të Gjilanit. /2lonline/