“50 mostrat e sotme në Gjilan janë në proces në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe presim që rezultatet t’i marrim gjatë ditës së nesërme”, ka bërë me dije, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Sipas tij, Komiteti i Emergjencave për parandalimin e përhapjes së Covid19, ka marrë të gjitha masat për t’i mbikëqyrë 10 rastet e fundit, si pasojë e burimit të ri të infeksionit në një spital privat.
Haziri ka bërë me dije se gjendja e të infektuarve është e mirë, të gjithë janë në vetizolim duke përfshirë edhe nënën e re, e cila është infektuar gjatë kohës së lindjes në spitalin privat.
“Pra, burimin e ri e kemi në menaxhim të plotë dhe po punojmë që ta mbyllim edhe këtë fazë 14 ditore të menaxhimit të situatës së re. Ju lutem, vazhdoni t’i përmbaheni orarit të daljes. Dil vetëm nëse e ke patjetër, por me maska e dorëza dhe duke e mbajtur distancën”, ka thënë Haziri.