ORA LETRARE DHE REZULTATET E KONKURSIT ANONIM PËR NDER TË 28 NENTORIT-DITËS SË FLAMURIT.
Klubi letrar “Nositi”, në programin e vet po vazhdon aktivitetin kulturor-letrar. Po sot, në ditën e shënuar për nder të : 28 Nëntorit -Festës së Flamurit, mbajti orën letrare., në Shtepinë e Kulturës “ Isa Kastarati”.
Në orën letrare poezitë e tyre i lexuan poetët e ardhur enkas për këtë ngajrje kombëtare. Pas leximit të krijimeve artistike në orën letrare, nga Juria profesionale në përbërje të : Sabit Rrustemit, Nahat Jahiut dhe Sinan Sadikut , shpallën rezultatet e konkursit anonim. Poezitë e vlerësura morën këto çmime:
Vendi i parë-Adelina Qarkaj me poezinë: HEROINAT S’DORËZOHEN .Shifra “ M. 81”
Vendi i dytë- Ramë Oraca me poezinë: BALADË PËR MIKUN .Shifra ”NOSITI”
Vendi i tretë-Shaban Pllana me poezinë: FJALËT E PRUSHTA.Shifra “Plaku i Haldës”
Në orën e letrare për nder të Festës Kombëtare të pranishmit i përshënedti , Kryetari i Komunës z. Kadri Rahimaj, i cili përgëzoi poetët për fjalën e bukur artistike, duke theksuar se shkrimtarët që nga Rilindja Kombëtare, kanë brumosur idelaet e popullit tonë për liri e pavarësi.
Për poetët dhe mysafirët e ftuar u shtru edhe drekë në Hotelin “Jehona “, në këtë rast kryetari i Klubit letrar “ Nositi” Nexhat Rexha, i falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në begatimin e kësaj dite në qytetin e Dardanës.
Drejtori i Arsimit Komunal z. Afrim Dervishi, në fjalën e tij përshëndetëse, inkurajoi poetët që aktivitetet letrare të mbahen edhe nëpër shkolla në komunës sonë. Duke theksuar se e ardhmja e vendit tonë është në vlerën e cilësisë dhe diturisë, për brezat e ardhshëm.
Këtë ngjarje të rëndësishme e moderoi me përkushtim e shije artistike Belgizare Kryeziu, Aktivitetin kulturor-letrar e begatoi angazhimi e përkushtimi i z. Gani Kryeziut, në fokusim të pamjeve përmes syrit të kamerës, në ruajtje të një dite të rëndësishme kulturore.
Klubin letrar “Nositi”, për aktivitetet kulturore-letrare, po e mbeshtet financiarisht me sponsorizim te vazhdueshëm ,Ndërmarrja “Vëllezërit Borovci” SHPK., me pronarë vëllezërit Kamer e Mustafë Borovci nga Kamenica. Kultura sot, e ardhmja për të nesërmen me dinjitet.
Dardanë, më 28 nëntor 2023 Kbubi letrar “ NOSITI”
ADELINA QARKAJ
HEROINAT S’DORËZOHEN
( Për të gjithë të prekurit me kancer)
Qielli i kuqërremtë vret syrin si pasqyrë e thyer
gjethet e molisura prej motit, si hije vdekjeje bijnë,
në gropëzat e faqeve prehet shkëlqimi i lotit
në ballin e mposhtur rrudhash djersët si perla ndrijnë
Në ofshamën e dhimbjeve sytë dehen qiellit
si gjurmë ushtarësh ngrejnë kryet metastazat gri,
në klithmën e Rozafës së murosur mes mureve të heshtjes,
thehet qetësia teksa foshnja pi, rrëmbyeshëm gji
Në lëngun që përdridhet venave të dobësuara ngjizet shpresa,
rrathët e zinj nën sy s’e zbehin dot stoicizmin luftarak
pemët e ngjyme në erërat e tetorit rozë shembin dobësinë,
nën shaminë me lara mposhtet vrastari plak…!!!
Fola me hanën një natë të kthjellët tetori
I përbeva në sy e në dritë për nënën heroinë
netëve të dhimbjes kur çdo dritë i fiket
Ngrohja shpirtin e ftohur se me njërin gji
Ushqen fëminë.
Forca e mposht frikën e heroinat s’dorëzohen
mes netëve të gjata dhimbjet ndeshen si Gjergji me Bajlozin e zi
e dërrmuar prej pagjumësisë njomen nga forcë e madhe
qetësia thehet,
…teksa foshnja rrëmbyeshëm pi gji…!!
Shifra” M.81”
Poezia që mori çmimin e parë, në konkursin anonim.
Rame Oraca
BALADË PËR MIKUN
(Zejnullah Halilit)
qysh të shkruaj për ty miku im
kur je më gjalli ndër ne
që ngrite ura me cicërima zogjsh
në vargun tënd me eshkë drite
edhe ylberi mund ta shuaj etjen
si në përralla lozonjare
i dhe shpirt ëndrrës së këputur
me sy kah agu i lirisë
qysh ta them një fjalë të heshtur
pa lejen tënde lum miku
çkuptim kanë vargjet e mia para shitëses flokartë
sa herë e qel kutinë e kujtimeve
loti i mërzisë pikon mbi qirinj të ndezur
brenda meje qysh ti zgjoj gjithë zogjtë
për të fluturuar nëpër vargjet tua
që mos të këputet kënga
e djaloshit në mollë
ti u nise me bukurezat në ballë
e tejkalove dhe vdekjen
që kurrë të mos shteret drita
me nurin e veprës sate mik.
Shifra: NOSITI
Poezia që mori çmimin e dytë, në konkursin anonim.
SHABAN PLLANA
FJALËT E PRUSHTA
Prej zemrës së gurit
Dalin fjalë të prushta
E zogjtë mbi degë të mollës hedhin valle
Prej hirit mbetur nga djegia
Do të ringjallën rrënjët
E fjalëve iu vjen era barot
Nga eshtrat e mbjellur në këto troje
Do të mbijnë lulegjaku
E trimëria do të lulëzojë
Dalzotësit e së ardhnes
Do të rriten nëpër djepa
Me ninullat me fjalë të zjarrta
Shifra: “Plaku i Haldës”
Poezia që mori çmimin e tretë, në konkursin anonim.