Shkruan: Shaban Rexhepi
Më 30 nëntor të vitit 1944, sulmohet Karadaku prej aradheve partizane.
Brigada maqedono-kosovare kishte planifikuar që të depërtojë me forcë në zonën e Karadakut.
Mblidhen burrat e Karadakut dhe vendosin të mbrojnë territorin. Ata zgjedhin Shtabin Drejtues të Rezistencës, nën udhëheqjen e Ymer Zymberit nga fshati Myqybabë.
Raporti i forcave të burrave të Karadakut me agresorin ishte minimal. Udhëheqësi Ymer Zymberi organizoi forcat për rezistencë.
Vija mbrojtëse nisej prej fshatit Stançiç e deri në mbarim të fshatit Lipovicë. Shtabi i rezistencës ishte i vendosur në fshatin Myqybabë. Komandant Ymeri i radhiti forcat në vijën e zjarrit. Armatosja e tyre ishte e vogël në krahasim me armikun.
Më 30 nëntor në mëngjes fillon bombardimi me top të kalibrit të madh dhe me mina hedhës në drejtim të Karadakut.
Burrat e Karadakut i bënë rezistencë të madhe forcave komuniste.
Sipas informatave janë vrarë 78 ushtarë komunist.
Pika e rezistencës ka qenë më e madhe në fshatrat: Myqybabë, Burincë dhe Lipovicë.
Ymer komandanti i fton burrat të fillojnë mbrojtjen e vendit. Ai i pari fillon gjuajtjen në forca të armikut. Sipas traditës në Karadak udhëheqësi prinë i pari. Kështu veproi Idriz Seferi, Ymer Myqybaba dhe Agim Ramadani.
Ymeri plagoset për vdekje. Vriten Kadri Lipovica, Sinan Rexhepi nga Burinca, Rifat Ibrahimi nga Myqybaba.
Digjen 86 shtëpi, pleme, hambare.
Varri i Ymerit është në afërsi të fshatit Llovcë. Poashtu dhe varri i Sinan Burincës dhe Kadri Lipovicës është në vendin ku janë vrarë.
Prandaj, tani gjeneratat e tashme kanë për obligim që këta heronj t’i rivarrosin në vendin e duhur. /2LONLINE/