“Bashkëqytetari ynë në diasporë, Valton Rexha na e prezantoi planin urbanistik të fshatit Koretin, të cilin e ka përgatitur në mënyrë vullnetare. Valtoni i cili është arkitekt në Zvicër e ka bërë këtë projekt propozim që të kontribuoj për Kamenicën në fushën që ai e njeh më së miri”, ka shkruar në profilin e tij, Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.
Sipas tij, ky projekt nëse do të realizohej nga kompania e Valtonit në Zvicër, atëherë shuma do të ishte e papërballueshme për komunën e Kamenicës, por kësaj radhe ai e ka realizuar vullnetarisht.
“Njerëzve si Valtoni që nuk hezitojnë asnjëherë për të na ndihmuar në çfarëdo lloj forme, u jam mirënjohës gjithmonë”, thotë Kastrati.
Sipas tij, diasporës duhet t’i jemi gjithmonë falënderues për çdo kontribut që ata e kanë bërë dhe po vazhdojnë ta bëjnë akoma në të mirën e vendit.