Gazetarët në Kosovë dhe gjetiu, nuk kanë asnjë arsye të merakosen për nenet e ligjet qeveritare, sepse për ta parësore dhe obligative në fushën profesionale mbetet zbatimi i kodit të etikës, si parakusht për të shmangur çfarëdo pasoje ligjore në punën e tyre.
Musa Sabedini
I kam përcjellë me interesim reagimet dhe komentet rreth dy neneve që Ministria e Drejtësisë tentoi t`i vë në funksion, për të dënuar të gjithë ata gazetarë e media që do të shpifnin kundër krerëve institucionalë.
Natyrisht që ishte brengosëse mënyra për të arritur deri tek një iniciativë e tillë, por për mua mbetet shqetësuese frika e panevojshme e gazetarëve dhe kolegëve të mi.
Pse e tërë kjo frikë dhe pse i tërë ky merak i panevojshëm. Gazetarët e mirë dhe ata që e duan dhe kanë investuar në këtë profesion, nuk kanë frikë asnjëherë, as nga fyerjet, as nga shpifjet e as nga kërcënimet. Jam shumë i sigurt se gazetarët e mirë bëjnë të pamundurën për të përcjellë ngjarjet në mënyrë profesionale dhe për të qenë të aftë e të përgatitur për t`u përballur me sfida të shumta.
Gazetaria e mirë dhe profesionale mund të zhvillohet pa asnjë problem, kuptohet vetëm duhet durim për të balancuar të gjitha faktet dhe argumentet e palëve. Tani qytetari e, në këtë rast lexuesit, tanë po vetëdijesohen çdo ditë dhe po e kuptojnë rolin e medias dhe rolin që gazetari ka në shoqëri.
Por, ende ka të atillë që me çdo kusht mundohen të pengojnë punën e gazetarëve, qoftë duke i fyer, kërcënuar e shantazhuar në mënyra të ndryshme. Data 3 maj 2017 nuk duhet të shënohet vetëm si datë e lirisë së medias, po mbi të gjitha, kolegët e mi duhet të jenë më solidarë me njëri-tjetrin, duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin.
Nuk duhet harruar se kur gazetarët profesionistë punojnë me hile dhe tentojnë të dëmtojnë njëri-tjetrin, atëherë shtrati i krimit dhe i kriminelëve të fushave të ndryshme e ka shumë të lehtë të gjejë vendin e duhur.
Pra rrezik dhe krizë për mediat profesionale dhe gazetarët e të gjithë sektorëve mbetet respektimi i etikës dhe i kodeve të saj. Etika nuk duhet të jetë “saç” mbi kokë për mediet, por udhëzues dhe udhërrëfyes i shëndoshë për të shmangur dëmet ligjore.
Personalisht shumë më sfiduese për mua do të mbetet ballafaqimi eventual me ndonjë paditës në KMSHK sesa në Gjykatë. Gjykatat janë ashtu siç janë dhe asnjëherë nuk e kanë mbrojtur punën e gazetarëve. Dhe krejt ky inercion i gjykatësve vije nga fakti i një perceptimi të gabuar ndaj medieve. Gjykatat dhe gjykatësit ende mendojnë se politikanët, qeveritarët, zyrtarët e të gjitha kategorive janë të paprekshëm. Në fakt interesi publik dhe interes për publikun mbetet çdo figurë publike që paguhet nga taksapaguesit. Kuptohet mediet kanë obligim të zbulojnë vetëm të vërtetën dhe faktet.
Dëmet ligjore që mund të shkaktohen nga raportimi gazetaresk, kryesisht vijnë nga raportimi për gjykatat, raportimi për krimet e rënda, fatkeqësitë, aksidentet, zjarret, vrasjet, dhunimet, prostitucioni, kontrabanda, korrupsioni etj.
Mos të harrojmë një fakt se tani, me daljen në skenë të shumë portaleve dhe shfrenimit ekstrem të rrjeteve sociale, pak ka mbetur të dihet se kush po bënë gazetari e kush po bënë “argatllëk” ditor.
Mediet dhe vet gazetarët duhet të jenë sa të lira aq edhe të përgjegjshme ndaj punës së tyre. 3 Maji duhet të shfrytëzohet pikërisht për të ndërgjegjësuar botuesit e shumtë, të cilët ende i shfrytëzojnë gazetarët sikur të ishin robër. Ka shumë gazetarë, fatkeqësisht, që ende punojnë pa kontrata pune, ka shumë gazetarë e gazetare që nuk gëzojnë as minimumin e të drejtave të garantuara në kontratat e tyre eventuale.
Pra, ngritja e kapaciteteve profesionale, shkollimi dhe vetëdijesimi i gazetarëve për të ditur më shumë rreth respektimit të etikës, do të duhej të ishte primare për mekanizmat që merren me të drejtat e gazetarëve.
Nuk e neglizhoj tendencën e cilësdo qeveri apo ministri, që edhe në të ardhmen të tentojë të kontrabandojë nene famoze, por qenësore për gazetarët është respektimi i etikës, sepse vetëm në këtë mënyrë gazetarët do të kenë më pak punë me gjykatat.
Ndershmëria është kategori e cila kërkohet në mënyrë ultimative nga gazetarët. Vetëm një gazetar i ndershëm e ka integritetin e plotë dhe opinioni i beson posaçërisht atij nëse e shpreh mendimin e vet lidhur me çështje e ngjarje të rëndësishme.
Mediat duhet të jenë të lira nga çdo ndërhyrje politike dhe ekonomike gjatë punës së tyre për të informuar publikun. Ndërsa gazetarët në përgjithësi duhet të çlirohen nga frika, lakmia, servilizmi dhe vetë censura.
Gazetarët duhet t`u mbesin besnikë përgjegjësive profesionale, duke respektuar parimet e saktësisë, korrektësisë dhe objektivitetit.