(2L ONLINE) – Na ishte njëherë një KSAK-Krahina Socialiste Autonome e Kosovës dhe artikujt më të kërkuar të asaj kohe ishin bananet dhe republika. Nuk kishte vëlla banane. Rrallë gjendeshin dhe ishin shtrenjtë. Të haje një banane ishte goxha luks dhe privilegj!! Se më për Republikën mos të flasim ajo nuk gjendej asgjëkund!
E kërkonin njerëzit edhe atë, herë pas here, në demonstrata e pastaj hanin dajak, burgoseshin e besa edhe vriteshin. E besa edhe në treshe e kërkonin e edhe atëherë hanin dajak dhe burg të rëndë. Pavarësisht se nuk gjendeshin, që të dyja këto, shumica e njerëzve i dëshironin. Vetëm se bananet i kërkonin të gjithë dhe pa frikë. Por ja që rrallë gjendeshin. Ndërsa Republikën që fshihej m’u në mesin tonë, të pakët ishin ata burra dhe gra që guxonin e kërkonin!
Erdhën ditët dhe oreksi u shtua edhe për banane edhe për Republikë. Por, prapë këta që kërkonin Republikën ishin në numër më të paktë. por ja që u bënë të pa rehatshëm dhe edhe pse më të paktë morën barrën e republikës edhe të atyre që kërkonin banane mbi supet e tyre dhe ia mësynë malit.
Atje mbollën farën e Republikës dhe u kthyen me fidanin e Republikës në dorë si triumfatorë. Tani republikën e kishim vetëm se duhej kultivuar dhe rritur akoma !
Thonë kur e ke shtetin i ke të gjitha! Edhe banane bile edhe atë me shumicë. Ata të cilët sollën Republikën u tërhoqën se nuk kishin ma çka kërkonin pasi mbaruan misionin e tyre. Ata nga njëherë nuk kanë as bukë të ngopen se lëre ma banane por ja që janë shumë krenarë dhe kokëfortë dhe mjaftohen me Republikën e tyre.
Tani u erdhi koha bananegjinjëve. Sepse Republikën e kemi por, duhet të çmallemi dhe të ngopemi me banane njëherë e mirë. Dhe besoni kjo shumica e bananeve po tregohet shumë e zonja. Lëre që kemi banane me bollëk-shumicë por edhe lirë e gjithandej dhe lirisht mund të themi se jemi bë Republikë me banane!
/Xhelil ARIFI/2L ONLINE/