Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë kanë nënshkruar Marrëveshjen për Ri-pranimin dhe Protokollin për zbatim të kësaj marrëveshjeje, si dhe Protokollin për ndjekjen e menjëhershme ndërkufitare.
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, i cili më këtë rast ka qëndruar për një vizitë njëditore në Shkup të Maqedonisë, tha se marrëveshjet dhe protokollet janë jashtëzakonisht të rëndësishme sa i përket bashkëpunimit të dy vendeve fqinje.
“Prioritetet që kemi në Kosovë është që bashkërisht t’i luftojmë fenomenet dhe trendët negative. Po ashtu luftën kundër krimit të organizuar, radikalizmit të dhunshëm, terrorizmit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne synojmë që të jemi pjesë e organizatave ndërkombëtare si: INTERPOL-i dhe EUROPOL-i”, theksoi ministri Sefaj
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, z. Oliver Spasovski, tha se në Maqedoni janë duke u marrë me një serë reformash, që do të forcohen institucionet e sigurisë, në mënyrë që të krijohet një sistem për mbrojtjen e shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe shkërbimin e informatave për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë së pa ligjshme.
Me këtë Projekt marrëveshje do të përcaktohen procedura të shpejta dhe efektive për identifikimin dhe kthimin e sigurt dhe të rregullt të personave të cilët nuk përmbushin apo nuk përmbushin më tej kushtet për hyrje, ose qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Maqedonisë, ose të Republikës së Kosovës dhe do të lehtësojnë kalimin transit të atyre personave, në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellët.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë kanë rënë dakord që pjesë e kësaj projekt marrëveshje të jetë Protokolli për Zbatim i cili do të përcaktojë rregullat për përcaktimin e autoriteteve kompetente dhe pikat e kalimit kufitar; kushtet për kthimet me përcjellje, përfshirë kalimin transit të shtetasve të vendeve të treta dhe personave pa shtetësi me përcjellje; listën e evidencës dhe formën e përbashkët të kërkesave për ripranim dhe transit.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, ministri Sefaj dhe ministri Spasovski kanë nënshkruar Protokollin për ndjekjen e menjëhershme ndërkufitare.
Qëllimi i këtij protokolli është për të parandaluar dhe luftuar krimin ndërkufitar. Me këtë Protokoll është krijuar baza ligjore për të ndjekur kryesit e krimeve edhe në territoret e shteteve respektive, duke respektuar legjislacionin nacional të shtetit të Palës Kontraktuese në territorin e së cilës është kryer ndjekja e menjëhershme, ata duhet të respektojnë udhëzimet e dhëna nga autoritetet kompetente lokale.