Çdo makineri që funksionon qoftë edhe e ndërtuar si është më së miri dhe përdoret një kohë të gjatë, fillon të humb kapacitetin e saj në një mënyrë apo tjetër, por edhe nëse nuk e humb forcën dhe funksionin, e humb vlerën, por humb edhe dëshira për të mbajtur sepse dëshiron të ketë diçka më të bukur, më të avancuar, më komode… për të kënaqur kështu vetën dhe familjen.
Shkruan: Nevzat Shemsedini
Andaj, kështu veprojnë edhe kompanitë në ngritjen e avancimit të modeleve të reja, sepse këtë e do tregu, por edhe konsumatori, andaj gjithmonë duhet ecur në gjetjen e rrugës për modele të reja për të cilat i tërë njerëzimi fillon të mendoj që të ketë në shtëpinë e tij, organizatën e tij, institucionet e tyre dhe shtetin e tyre.
Një rrugëtim i tillë ashtu si një makinë është edhe vet- NJERIU, i cili pa marrë parasysh se çfarë punon, ai fillon të konsumohet, prandaj kërkon që shumë obligime t’i përcjell tek energjia e re që të lirojë vetën nga përgjegjësitë për shkak të: lodhjes, konsumit fizik, psikologjik, mendor dhe emocional.
Me shumë respekt për politikën dhe politikanët që janë në skenën politike, por dhe kontributin e tyre që kanë dhënë vite me radhe për të ndërtuar ndoshta më të mirën për vendin dhe shoqërinë tone. Por, a duhet të vazhdojmë ende me këtë politikë të konsumuar?!.
Për këtë fletë vetë gjendja e krijuar në vend dhe gjendja e gjeneratave të reja në Kosovë, të cilët janë zhytur në pakuptimësi të funksionimit të tyre që aq shumë i‘u është premtuar s’e do të ketë jetë më të mirë, më të organizuar dhe një mirëqenie më të favorizuar të tyre.
Në krahasim me menaxhimin shtëpiak, njerëzit e politikes-politikanët, dallojnë substancialisht në shumë pikëpamje, sepse në menaxhimin e familjes tek eprori rritet ndjenja për ngritjen e mirëqenies familjare në tërësi, fëmijët janë në rend të parë, me një fjalë para vetës sonë, i tërë potenciali është i përkushtuar për ata që t’ia rregullojmë një mirëqenie të favorshme për jetë, kurse në udhëheqjen politike rritet ndjenja e pasurimit të mirëqenies personale dhe humbë ndjenja e rregullimit të mirëqenies kolektive dhe shoqërore.
Sa më shumë që një fytyrë politike zgjatë në skenën politike aq më shumë dhe neveritëse bëhet tek qytetarët, sepse kalon në konsum përcepcioni nga masa (shoqëria ). Me konsumin e individit në politikë, konsumohen edhe idetë dhe vizionet, humbë ndjenja ndaj mirëqenies kolektive, humbë energjia për ndryshime dhe rrugëtim progresi, humbë kontrolli i komunikimit (kemi pastaj sharje, fyerje, ofendime, etj ), siç po i shohim çdo ditë nëpër mjetet e informimit.
Kurse nga ana tjetër fillon të rritet ndjesia e forcimit të pozitës, duke shtrirë rrjetin zinxhiror korruptim, duke shtrirë presionin mbi vartësit e tij, duke forcuar klientenizmin për të qëndruar domosdo në pozicion, gjë që humb kontrollin dhe shton agresivitetin ndaj vetës së tij dhe të tjerëve, me një fjalë –autoritarizëm që është i dëmshëm edhe për vetën dhe familjen e tij, por edhe për shoqërinë në tërësi.
A është koha tani?!
Shpresoj se është momenti i duhur që të mendohet për hapje të ideve të reja, kokave të reja, energjisë së re…, që të kemi progres në të gjitha fushat zhvillimore të vendit.
Mbajtja e energjisë së konsumuar në përgjegjësi politike për vendin dhe shoqërinë në tërësi, nuk na qon në rrugë të mbarë. Andaj, duke e ditur se sot Kosova ka një gjeneratë të re , me ngritje profesionale në të gjitha fushat, me një përvojë studimi nga shumë vende të ndryshme të botës, të cilët kanë potencial dhe elan për të kontribuar dhe dhënë më të mirën për vendin dhe shoqërinë, duhet hapur rrugë.
Duhet hapur rrugë dhe mundësi që ky fryt i ri të lulëzojë në dhënien e potencialit të tij që të fillojë ndryshimi në të gjitha sferat , që sot, më shumë se kurrë, i nevojitet vendit dhe shoqërisë.
Në të kundërtën, mosdhënia e mundësisë gjeneratës së re, kuadrove të reja, është duke krijuar një ndjenjë negative shpirtërore, mendore dhe joshpresëdhënëse tek gjeneratat e reja, duke aluduar gjithnjë e më shumë në largim nga vendi, por edhe moskthim të atyre që kanë studiuar dhe studiojnë jashtë vendit, për t’i aplikuar përvojat tyre këtu.
Kjo nuk ka si të quhet ndryshe përveçse rënie e motivit për një të ardhme të suksesit në vendin e tyre, që aq shumë e duan dhe e çmojnë.
Prandaj, jepni mundësin rinisë të tregojnë aftësitë e tyre, profesionalizmin e tyre, idetë e tyre, energjinë e tyre, pastërtinë e tyre…, sepse këta janë fëmijët tanë dhe tuaj, e që mos të treten nëpër vendet e huaja, por të gëzojnë jetën në vendin tyre, sepse nga thënia e famshme: “Guri i rëndë peshon më së miri në vendi ne vet”.
Shpresoj se pas një kohe të shkurtër, Ju do të më falënderoni, sepse do të liroheni nga anksioziteti shpirtëror, psikik dhe gjendjes së vështirësuar emocionale që ju ka kapluar!
Lulja e Re gjithmonë sjell aromën më të bukur, se sa një lule e vyshkur!