(2L ONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka diskutuar të martën, në një seancë të jashtëzakonshme, rreth problemit të mësimdhënësve që rrezikojnë të mbeten pa vende pune, shkaku i reformave në arsim dhe i ka rekomanduar kryetarit të Komunës si dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit që të bëjnë zgjidhje brenda mundësive ligjore.
Valenatina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se mbajtja e kësaj seance të jashtëzakonshme është kërkuar nga Sahit Abazi dhe grupi i këshilltarëve të PDK-së, ndërsa është përkrahur nga të gjitha subjektet tjera politike.
Sahit Abazi, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, i ka paraqitur rekomandimet e subjektit të tij, ku kërkohet që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa vend pune, ndërsa zgjidhja të bëhet duke shtuar numrin e paraleleve nëpër shkolla dhe duke ulur numrin e nxënësve nëpër paralele.
Arben Mehmeti, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se problemi është krijuar nga MASHT-i dhe jo nga Komunat. “Ne si komunë duhet të kemi kujdes që të mos bëjmë veprime jashtë ligjit, por të kërkojmë zgjidhje për rastin e këtyre mësimdhënësve brenda kompetencave tona”, ka thënë Mehmeti, derisa ka lavdëruar Kuvendin Komunal për gatishmërinë që ka treguar për t`u marrë me këtë problem në një seancë të veçantë dhe në kohë pushimesh.
Fehmi Sylejmani, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se shqetësimi i mësimdhënësve është i arsyeshëm, ndërkaq si alternativa për zgjidhjen e këtij problemi, ka propozuar që sivjet të mos ketë konkurs për punëtorë të rinj, por të sistemohen mësimdhënësit që humbin vendet e punës, themelimin e paraleleve me më pak nxënës, themelimin e drejtimeve të reja si dhe mundësi të tjera.
Mevlyde Zejnullahu, në emër të grupit të këshilltarëve të AAK-së, tha se vetëm në shkollën e mesme “Marin Barleti” mbeten pa vende pune 23 mësimdhënës. Edhe ajo zgjidhjen e sheh te ulja e numrit të nxënësve nëpër paralele.
Këtij debati i kanë kontribuar po thuaj se të gjithë këshilltarët komunalë, duke shprehur shqetësimet e tyre dhe duke propozuar zgjidhje të këtij problemi.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, i ka mirëpritur të gjitha propozimet, por ka thënë se zgjidhja nuk mund të bëhet jashtë ligjit. “Zgjidhja mund të bëhet vetëm duke u bazuar në ligj”, ka thënë Musa, duke sqaruar se MASHT-i nuk ka dhënë asnjë udhëzim se si duhet zgjidhur çështjen e mësimdhënësve që mbeten pa vende pune, shkaku i shuarjes së klasave të 13-ta.
Musa ka garantuar se sivjet nuk do të ketë konkurs sikur viteve tjera, për shkak të nevojës për t`i sistemuar mësimdhënësit që mbeten pa vende pune.
Kuvendi ka diskutuar edhe për kërkesën e një grupi të mësimdhënësve të gjimnazit “Zenel Hajdini” që ka të bëjë me sistemin e brendshëm të kuadrit, meqë dihet se gjimnazi është ndarë në dy shkolla. /2L ONLINE/