Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën do të regjistrohen si një grup parlamentar, kjo të paktën u kuptua sot kur u regjistruan deputetët e LDK dhe AAK, kurse deputetët e NISMA-s, sipas procedurave të Kuvendit do të regjistrohen nesër.
Kreu i LDK, Isa Mustafa, thotë se ai dhe deputetët e partisë së tij janë regjistruar sot në bazë të vendimit që të jenë një grup parlamentar më AAK dhe NISMA, dhe se sipas marrëveshjes me AAK dhe NISMA, Mustafa do të jetë i nominuar për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit.
Sipas Isa Mustafës as rregullorja, as ligjet nuk e ndalojnë krijimin e një grupi të përbashkët.
Ngjashëm shprehet edhe, Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, aktualisht deputet nga radhët e NISMA, duke thënë se “duhet të respektoj vendimin e shefave”, dhe se me këtë sistem zgjedhor është e vështirë të bëhen numrat mjaftueshëm duke e parë si të domosdoshëm koalicionin.
Ai thotë se grupi që rrjedhë nga koalicioni i tyre është ndërtuar mbi bazën e partive dhe programeve të tyre dhe se “ai grup parlamentar që i ka 61 vota e zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin, e se kush i ka ato vota unë nuk muj e parashoh”.