(2L ONLINE) – Agjencioni për Zhvillim Rajonal – Lindje ka mbajtur sot mbledhjen e radhës së Bordit, duke diskutuar një sërë çështjesh. I pranishëm në këtë takim ka qenë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ai i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, nga Vitia Sokol Haliti, kryetarët e Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Kaçanikut, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit si dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock si dhe përfaqësues nga AZHR-Lindje.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar Bashkimin Europian për ndihmën e vazhdueshme për Kosovën, sikurse edhe për bashkëpunimin e mirë të përfaqësuesve të AZHR-Lindje.
“Më lejoni që të falënderoj z. Stock për mbështetjen, në veçanti për programin tonë që është me interes të madh për ne. Stafi i ARDA dhe AZHR-Lindje janë jashtëzakonisht profesional, bashkëpunes dhe të afërt në realizimin e agjendave komunale. Shpresoj shumë që do t’i japim impute të reja zhvillimeve këtu. Ajo që dua të them është se do të jetë jashtëzakonisht në interes për ta mbajtur konferencën e donatorëve në këtë vit për t’i dhënë një dimension çfarë ka nevojë Lindja dhe t’i mbërrijmë rezultatet e synuara”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari i Gjilani ka pohuar se më megjithëse ky regjion ka qenë tejet i anashkaluar nga qeveria qendrore, sivjet ka përfituar më së shumti në projektin “Kosova e Bukur”.
“Ne jemi regjioni që e ka pasur kujdesin nga qendra më të voglin të mundshëm, por lajmi i mirë është se në këtë vit, ky regjion është përfituesi më i madh në “Kosovën e Bukur” dhe jam shumë i lumtur për këtë, duke e falënderuar z. Stock që i ka marrë parasysh propozimet tona dhe programet tona”, tha Haziri.
Nga ana e tij, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, ka rikonfirmuar se Bashkimi Europian do të vazhdoj ta ndihmojë Kosovën dhe këtë regjion, duke financuar projekte të ndryshme.
Në këtë takim, me anë të votimit, kryesues i Bordit AZHR-Lindje është zgjedhur kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa. Deri tash, pozitën e kryesuesit të këtij Bordi e ka mbajtur kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani. /2L ONLINE/