Kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një postimi në profili ne tij në facebook ka përçuar reagimin e tij ndaj ndërprerjes së diskutimit në Hodonoc, duek u shprehur se:
“Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me secilin banorë për idenë e reformës dhe vlefshmërinë e saj. E kam ditur që nga fillimi se Reforma mund të më kushtojë mua, por jam i bindur se prej saj përfitojnë nxënësit. Prandaj, jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim”.
Ja postimi i plotë i Kastratit:
I vetëdijshëm që qytetarët nuk janë ende mjaftueshëm të informuar, reagimet janë shumë të kuptueshme.
Sot ishim ne Karaqevë të Poshtme dhe në Hodonoc për të vazhduar me diskutimet për Reformën.
Në Karaqevë të Poshtme debati ishte i dobishëm për të gjithë pjesëmarrësit. Argumentet e secilit janë shumë të vlefshme për ne.
Fatkeqësisht në Hodonoc një grup i vogël i njerëzve na pengoi që të diskutojmë me prindërit e nxënësve dhe banorët e fshatit. Po e them fatkeqësisht sepse shumica e pjesëmarrësve ishin të interesuar për diskutime dhe debat të hapur.
Gjithashtu, më vjen shumë keq që kishin keqpërdorur fëmijët për të bërë zhurmë dhe pastaj për të gjuajtur me vezë veturën në të cilën isha unë . Do t’i shkojmë deri në fund hulumtimit të organizatorëve që janë në gjendje të keqpërdorin fëmijët për interesa të tyre.
Megjithë kundërshtimet pa shpjegim të atyre pak njerëzve për të mos filluar fare takimin, me insistimin tim dhe banorëve të tjerë u futëm në shkollë për të diskutuar me ta. Të shtyer nga organizatorët, nxënësit u treguan shumë të zhurmshëm dhe nga pamundësia për t’u dëgjuar fjalët që do të thoshim të gjithë, u detyruam ta ndërprejmë diskutimin.
Protesta dhe format e tjera të mosbindjes janë normale për ne. Por, kur ato përdoren për ta ndaluar perspektivën zhvillimore të fëmijëve, kur nuk kanë mesazh, por veç zhurmë, kundërshtimi i ngjanë frikës konservatore nga përparimi. Ne do të vazhdojmë të jemi afër qytetarëve, për t’i dëgjuar të gjitha diskutimet, edhe nëse jemi të “rrezikuar” nga aksionet simbolike.
Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me secilin banorë për idenë e reformës dhe vlefshmërinë e saj. E kam ditur që nga fillimi se Reforma mund të më kushtojë mua, por jam i bindur se prej saj përfitojnë nxënësit. Prandaj, jam i gatshëm ta paguaj çdo çmim.