Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual me Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi, ku u diskutua plani i Qeverisë për reforma në proceset ligjore dhe sundim të ligjit në vend, me fokus në drejtësi komerciale. Financimi për këtë forum virtual u mbështet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane tha se shpreson që nën udhëheqjen e Ministrit të ri të Drejtësisë do të përfundojë krijimi i Gjykatës Komerciale por edhe përmbyllja e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Ai po ashtu tha se Ministria do të duhej të konsideronte edhe hartimin e Kodit Komercial, meqë vendi tashmë ka Kodin Penal dhe është në proces të finalizimit të Kodit Civil, hap ky që do të përmbyllte arkitekturën ligjore të Kosovës.
Chris Thompson, Drejtor i Programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale theksoi se programi të cilin ai drejton ka për qëllim reduktimin e korrupsionit në Kosovë përmes përmirësimit të zgjidhjes së kontesteve komerciale brenda dhe jashtë gjykatave, duke shtuar edhe nevojën e ngritjes së vetëdijes publike ndaj rëndësisë që ka drejtësia komerciale mbi rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ai shtoi se USAID po punon ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe sistemin gjyqësor të Kosovës për zhvillimin e legjislacionit për Gjykatën Komerciale, e cila do të jetë e dedikuar ndaj ofrimit të shërbimeve juridike për bizneset kosovare.
Ministri Selimi theksoi rëndësinë që ka themelimi i Gjykatës Komerciale, duke potencuar se funksionalizimi i së njëjtës mbetet një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij. Sipas Ministrit, Gjykata Komerciale do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore por edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj, për të cilët ai ka kërkuar që të krijohet një mekanizëm i veçantë që do të trajtonte vetëm investimet e huaja. Ai përmendi se tani ndodhet në fazat e fundit të përgatitjes së Kodit Civil i cili së shpejti do të paraqitet para Qeverisë së Kosovës, derisa tha se megjithëse nuk mund të mohohet ekzistenca e korrupsionit brenda gjykatave, sistemi gjyqësor i Kosovës përbëhet nga prokurorë dhe gjyqtar të përkushtuar ndaj drejtësisë. Ai tha se prioritet tjetër ka edhe ngritjen e llogaridhënies, ku përmendi vetingun si mekanizëm jo-politik dhe të pavarur ligjorë. Gjatë këtij forumi, Ministri ftoi Odën Amerikane që të bëhet pjesë e grupit punues për projektligjin e Gjykatës Komerciale, dhe theksoi se mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar në avancim të ligjit të ri, i cili do të finalizonte sa më parë krijimin e Gjykatës Komerciale.
Erblina Krasniqi Prishtina, Avokate dhe Përfaqësuese Ligjore në kompaninë Tregtia theksoi se brenda gjykatave ekzistuese në vend përfshirë këtu edhe atë ekonomike, shqyrtimi i lëndëve mund të zgjasë me vite të tëra duke rezultuar në dëmtim serioz të bizneseve, e për këtë krijimi i Gjykatës Komerciale të përbërë nga gjyqtarë të lëmisë ekonomike është krucial për bizneset dhe tërheqjen e investimeve. Krasniqi Prishtina gjithashtu potencoi rëndësinë e përfshirjes së klauzolave të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit në kontrata, të cilat u japin palëve mundësinë për trajtim të çështjeve të ndryshme, derisa përmendi se çështjet e pronësimit deri më tani kanë rezultuar si disa nga çështjet më problematike të bizneseve. Tutje, ajo u shpreh e kënaqur me punën që është bërë rreth ngritjes së vetëdijes ndaj arbitrazhit dhe avantazheve që ky i fundit u ofron palëve në procese gjyqësore.