Shkruan: Sadete Tërnava-Osmani
Teoria e inteligjencave të shumëfishta (ISH) nuk është e re por në Kosove për të flitet pak. Natyrisht që kjo është temë shpjegimi nëpër disa lëndë në departamentet e fakultetit filozofik dhe fakultetit të edukimit por që me ndonjë përjashtim të rrallë të emisioneve televizive, nuk është temë debatesh, konferencash e punëtorish as në nivelin qendror e as ne atë lokal, përjashto këtu bisedat ndërmjet prindërve, të cilët flasin ndërmjet vete për talentet e fëmijëve të tyre, dhe për dëshirat për një konsideratë më të madhe ndaj dhuntive që ata i posedojnë. Kjo aspiratë, fatkeqësisht, në rrethanat aktuale të vendit vështirë po arrihet, sepse ndër të tjera, mësimdhënia akoma ka natyrë të përqendruar në mësuesin dhe se fëmijët përgjithësisht kundrohen dhe vlerësohen inteligjentë vetëm nga dy aspekte, atë gjuhësor dhe matematikor teksa inteligjencat tjera mbesin periferike dhe të patrajtuara.
Këto sfida arsimore nuk janë të reja. Janë shoshitur në aspektet e pedagogjisë didaktike nga filozofë e pedagogë të hershëm. Nëse e parafrazojmë Platonin, del se fëmijët nuk duhet të mësohen me forcë ose ashpërsi por duhet të udhëzohen drejt asaj që ua argëton mendjen, në mënyrë që të mund të jenë në gjendje ta zbulojnë me saktësi prirjen e vet të veçantë. Nisur nga ky konstatim dhe nga përvoja në arsim, është gabim kur pyesim se ‘a është ky apo ai fëmijë i talentuar’, sepse në fakt pyetja e përshtatur drejt duhet të jete: ‘si është i talentuar ky fëmijë, apo thjesht, ‘çfarë talenti ka’, duke qenë të vetëdijshëm se aftësitë fizike dhe mendore janë të ndryshme në varësi të individëve dhe rrethanave shprehëse.
Në lidhje me këtë qëndrim ka mendime të ndryshme, veçanërisht në fushën e aftësive mendore. Pikëpamja mbizotëruese është ekzistenca e një faktori të përgjithshëm ose rezultati i inteligjencës së përgjithshme i ilustruar si G (Ang. G-general/ i.e përgjithshme), i cili lidhet me përcaktimin e aftësive të përgjithshme biologjike të një individi ose inteligjencës së përgjithshme që shpreh kompetencën e tij/saj me zhvillim normal të trurit. Në këtë rrafsh, janë arritur rezultate të mira, pasi që janë miratuar instrumente të rëndësishme për matje të inteligjencës të cilat zhvillohen dhe menaxhohen nga ekspertë të fushës, siç është testi për matjen e shkallëve të ndryshme të inteligjencës deri në moshën 14 vjeçare, shpikur nga psikologu francez Alfred Bennett dhe bashkëpunëtori i tij Theodore Simon, të cilët menduan se testi i inteligjencës duhet të masë kapacitetin më të lartë të mendjes. siç janë: njohja, logjika, arsyetimi dhe gjykimi.
Më vonë, Howard Gardner-i, profesor në Universitetin e Harvardit, në vitin 1983 doli me librin “Frames of Mind-Kornizat e mendjes”, dhe me teorinë e re të njohur si teoria e inteligjencave të shumëfishta, duke i përfshirë tetë inteligjenca e duke kundërshtuar kështu matjen “tradicionale” të saj, sepse në dritën e leximeve dhe vëzhgimeve të tij ai besonte se kishte ardhur koha për më shumë diskutime mbi trajtimin përkatës me të gjerë e më serioz. Edhe pas katër dekadash të botimit të kësaj vepre, teoria dhe implikimi i saj përdoret si temë debati me qëllim të përmirësimit të efektivitetit të të mësuarit të fëmijëve dhe praktikave më të mira të mësimdhënies në klasë, veçanërisht aty ku dominimi tradicional i paradigmave të vjetruara është ende në fuqi.
Duke parë që në vendin tonë po bëhen përpjekje për një mësimdhënie më “ndryshe” teoria e Gardner-it mund të ndikojë dhe rrjedhimisht t’i ndryshojë pikëpamjet e mësuesve për trajtim dhe reflektim të kësaj teorie, dhe pse jo edhe të studentëve të edukimit për mësimdhënien dhe të nxënit. Rëndësia e saj mbështetet në faktin se ajo është kundër të menduarit tradicional që nëse dikush nuk është i/e mirë në gjuhë apo matematikë, si dy shtylla kryesore të inteligjencës, atëherë aftësitë e tjera nuk kanë shumë rëndësi. Me aplikimin e kësaj teorie, nxënësit e studentët mund ta rrisin besimin e tyre duke parë aftësi, talente dhe rrjedhimisht përfitime të reja të cilat i bartin me vete, teksa mësimdhënësit mund ta ngritin nivelin e vlerësimit dhe orientimisht ndihmën për orientim në karrierë të nxënësve duke ndikuar tek brezi i ri për qasje tjetër mbi kompetencat dhe aftësitë që më parë nuk ishin marrë në konsideratë.
Për më tepër, përdorimi i teorisë së ISH-së është në dobi të shtetit në përgjithësi, pasi talentet e reja mund të përdoren dhe promovohen për një ndikim më të madh për përmirësim vlerash shoqërore në përgjithësi, duke u mbështetur, promovuar dhe zhvilluar si ekspertë të të gjitha fushave, ngase shoqëria nuk është e përbërë nga një spektër i ngushtë profesionesh, por nga shumëllojshmëria e interesimeve, nevojave dhe të mirave që duhen eksploruar dhe ndihmuar profesionalisht.
Secili mësimdhënës, gjate karrierës së vet domosdoshmërisht ka takuar shumë fëmijë, nxënës e studentë, të cilët kanë talent/e të jashtëzakonshme në një fushë, por kanë vështirësi në fusha të tjera. Dhe, shpesh ka ngjarë që për shkak të mosnjohjes së një lënde ‘të rëndësishme”, të themi të matematikës, apo të mos qenit gati për të vrapuar në orët e edukatës fizike, ka pasuar nënvlerësim e ndëshkim, shpesh bullizëm, dhe rrjedhimisht humbje motivi për të qenë në mesin e të ‘mirëve’. Me fjalë të tjera, një proces i tillë edukativ-arsimor e ka theksuar vështirësinë e jo përparësinë, gjë që në një shtet me prioritet arsimin nuk do të ndodhte. Aty do të mblidheshin mësuesi, pedagogu, psikologu dhe udhëheqësia e shkollës, për një planifikim për shkollën kreative. Shtrohet pyetja se a munden institucionet tona, respektivisht komunat që nëpërmjet drejtorive të arsimit të lejojnë krijimin e trupave profesionistë si forcë pedagogjike të afta për t’iu përgjigjur sfidave të kësaj natyre. Natyrisht se po, ngase, edhe aspekti ligjor e mundëson (shih, PLANIN STRATEGJIK Të ARSIMIT NË KOSOVË 2017-2021, fq. 43-50, i cili thekson se “Niveli lokal dhe ai qendror duhet paraparë sigurimin e formave stimuluese për fëmijët e talentuar”. Në këtë kuadër, Ligji Nr. 03/L-040 PËR VETËQEVERISJEN LOKALE, neni 17.h Kompetencat vetanake) do të ndërlidhej me nevojën e trajnimit të instruktorëve dhe administratorëve të arsimit edhe për identifikimin dhe mbështetjen e këtyre fëmijëve.
Sigurisht, po jetojmë në një kohë ku e ardhmja duket e paqartë dhe sfidat janë të shumta e komplekse, përshirë ndryshimet klimatike, globalizimin, konfliktet, teknologjinë informative etj., por këto nuk do të duhej të na shpërqendronin nga planifikimet me mend për arsimin, duke u nisur nga parimi më i thjeshtë e ai është trajtimi i nxënësve si qenie komplekse, me talente te fshehura, me nevoja të ndryshme dhe me zëra inertë të pazbuluar, të cilët presin dorën e mësuesve, pedagogeve, psikologëve dhe te eksperteve të merituar ne krye te dikasterëve arsimorë.
Zhvillimet e reja dhe praktikat e vendeve evropiane mund të shërbejnë si shembuj që teoria e inteligjencave të shumëfishta ta ketë vëmendjen e autoriteteve arsimore për planifikime më konkrete pasi që kështu mund të vihen vlera të reja brenda sistemit të arsimit tonë ende të vjetër. Respektimi dhe mbështetja e fuqive individuale është një “sine qua non” për zhvillim të secilit nxënës dhe rrjedhimisht inteligjencave te pahulumtuara brenda tyre. /2LONLINE/