Reciprocitet edhe për të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut
Shkruan: Refik HASANI
Pas reciprocitetit në sferën e plasimit të të gjitha llojeve të produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës duhet që Prishtina të kërkojë nga Beogradi nëpërmjet faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar zbatimin e respektimit të ndërsjellë edhe në kuptimin dhe lëmin e të gjitha të drejtave të njeriut dhe atij kolektiv që gëzon pakica serbe në Kosovë, minimum duhet t’i gëzojmë edhe ne në Krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë.
Vendim i drejt i Qeverisë së Kosovës
Vendimi i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i kontrolluar kufijtë, sovranitetin dhe integritetin territorial është shumë i drejtë. Në të gjitha sferat e jetës kanë prodhuar efekte pozitive. Ne i shohim tri elemente të kuptimit më të gjerë që janë arritur me këtë rast:
– Kosova nuk do të humbë nga buxheti për shkak kontrabandës dhe dalëngadalë do ta shtrijë ndikimin edhe në këtë pjesë duke shtrirë ligjshmërinë dhe sovranitetin;
– Serbia do ta humbë përfundimisht atë fuqinë dhe sasinë e produkteve që ka plasuar në tregun e Kosovës. Produktet e Serbisë nuk do ta kenë më atë mundësinë e shitjes, sepse edhe nga konsumatorët e rëndomtë nuk do të blihen;
– Gjendja nuk do të kthehet ashtu siç ishte më parë.
Kurse me rastin e arritjes së dakordimit për tri konkluzionet e para, veçmas pasi Qeveria e Kosovës arriti të mos pajtohet që të vazhdojë që serbët ta kontrollojnë vendkalimin kufitar në Jarinjë dhe Bërnjak kërkohet që në vazhdimin e tyre të shtrohet edhe reciprociteti për të drejtat e njeriut. Prandaj, të gjitha çështjet në ekonomi, njohjet e ndërsjella, kemi edhe reciprocitet për respektimin e të drejtave individual dhe kolektive të njeriut në mes të dy shteteve. Me të drejtë ne popullata shqiptare nga komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës jemi duke pritur nga Prishtina që të kërkojnë reciprocitet, ta ngrenë zërin, të përfaqësojnë, të mbrojnë edhe interesat e shqiptarëve nga kjo hapësirë etnike shqiptare. Kjo të bëhet në të gjitha nivelet dhe instancat evropiane dhe botërore, por edhe në këto bisedime që janë dhe do të vazhdojnë për një kohë bukur të gjatë me Beogradin. Krahina shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë të mbrohet në të gjitha instancat ndërkombëtare nga Prishtina, duke kërkuar reciprocitetin në kuadrin e të drejtave individuale dhe kolektive.
Përballja me të papritura
Situata është e tejet e keqësuar, kundruall tensioneve që pas qershorit 1999 e këndej. Ne banorët atje ende jemi duke u përballuar me shumë të papritura, përveç udhëheqësve të ndarë e përçarë në tetë subjekte politike, që është shqetësuese, e mbi të gjitha është me institucionet e Kosovës me qëndrimin ndaj çështjes së pazgjidhur. Beogradi dhe Prishtina, përveç tjerash, duhet ta ndjekin edhe parimin e kësaj formule të reciprocitetit, që do të kishte ndikim shumë pozitiv te shqiptarët. Serbët lokalë si minoritet i Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat me standardet më të larta të Evropës. Shqiptarët që janë të përqendruar në një krahinë me një popullatë dhe territor kompakt nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash, por më së shumti janë të diskriminuar. Prishtina duhet të kërkojë nëpërmjet faktorit politik që Beogradi nuk ka të drejtë dhe nuk do t’i lejohet t’i shkelë të gjitha të drejtat. Në këto tri pika është edhe njohja e diplomave që do të ketë efekte pozitive për shqiptarët gjithandej Serbisë, që i kanë të përfunduara studimet në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2005,, e shkrova artikullin “Reciprociteti, në shumë fusha që duhet ndjekur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. Shkrimi autorial ishte botuar , në atë kohë zhvilloheshin bisedimet në Vjenë dhe qytete të tjera për gjetjen e statutit të Kosovës nën monitorimin e faktorit ndërkombëtar. Po ashtu, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar institucioneve të Tiranës dhe Prishtinës që duhet ta respektojnë reciprocitetin me Beogradin. Këto opinione të botuara u bën temë për diskutime të shumta. Prandaj, këtë herë po shkruaj në një formë paksa më ndryshe.
Hapat që duhet ndjekur Prishtina
Gabimet ishin edhe të dyanshme, pra të udhëheqjeve të komunës së Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës dhe të bartësve politikë dhe institucionalë të Kosovës. Kësaj here po paraqesim vetëm hapat që duhet ndjekur institucionet e Kosovës, sepse të kësaj krahine do t’i paraqesim në ndonjë shkrim tjetër, kurse kur t’i përshkruajmë edhe gabimet e institucioneve të Republikës së Serbisë dhe të faktorit ndërkombëtar, atëherë themi se e kemi paraqitur nga katër këndvështrime problematikën e çështje që ende pret për zgjidhje.
• Mos të vonohet hapja e një zyrë ndërlidhëse në kuadër të Kryeministrisë, Presidentit apo kryetarit të Parlamentit, ku do ta koordinojnë punën, që do të merrej me kategorinë e të zhvendosurve shqiptarë dhe, përgjithësisht, atë në ish-hapësirat e Jugosllavisë.
• Duhet të merren parasysh se në çfarë pozite ka mbetur popullata me rastin e tërheqjes së forcave vrastare prej Kosovës, duke u stacionuar dhe përqendruar në këtë krahinë shqiptare,
• Të ngrihet problematika e kategorisë së të zhvendosurve që nga fillimi i luftimeve ndërmjet forcave të ushtrisë serbe dhe UÇPMB-së.
• Të bëhet regjistrimi i të zhvendosurve, pranimi dhe vendosja nëpër objekte banimi kolektiv, sepse më lehtë do të dihej dhe pranohej edhe nga ndërkombëtarët se në Kosovë ka pasur dhe ka ende të zhvendosur prej kësaj krahine shqiptare.
• Të ngrihet çështja se ku janë shqiptarët që kishin prona dhe pasuri të patundshme nëpër qytete të Republikës së Serbisë, si Beograd, Nish , Leskoc, Vranjë, Novi-Sad etj.
• Të përmendet dhe duhet të zërë vend edhe në fjalorin zyrtar nënshkrimi i Marrëveshjes së Konçulit.
• Po ashtu, të pranohet nga të gjitha instancat më të larta lidhur me Referendumin e mbajtur më 1 e 2 mars 1992.
• Të bëhet krahasimi ndërmjet të drejtave që po kërkon vazhdimisht Serbia për bashkëvendësit e vet, pra për serbët lokalë të Kosovës. Po ato të drejta duhet dhe na takojnë edhe ne shqiptarëve që jetojmë anekënd Serbisë, e veçmas në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.
• Të mbështetët lidhur me arsyeshmërinë dhe domosdoshmërinë e themelimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të kësaj krahine shqiptare.
• Të ngrihet çështja e mungesës së përkujdesjes shëndetësore, ku shqiptarët në Serbi përbëjnë mbi 100 mijë banorë, por ende nuk kanë spital regjional, por bredhin për shërim herë në Prishtinë, Nish, Shkup e Beograd.
• Përdorimi i flamurit ende është çështje e pazgjidhur në tri komunat e cekura.
• Asnjëherë nuk u tërhoq një paralele krahasimore për investimet se sa janë bërë për kthim të serbëve lokalë të Kosovës dhe të zhvendosurve të ardhur nga këto tri komuna që janë në Kosovë.
• Ka pasiguri, frikë e presion dhe është instaluar një psikozë se ka bazë ushtarake të ushtrisë serbe, si Cepotin, Sitilia, fusha e Shehut, ku janë dhe vazhdojnë të vendosen me qindra ushtarë e pjesëtarë të xhandarmërisë dhe forcave elite speciale. Këto objekte ushtarake janë shndërruar në poligone ushtarake, ku për çdo vjet ndahen nga Qeveria e Serbisë me milion e miliona euro.
• Këto baza dhe poligone janë rrezik për tërë rajonin e Ballkanit e aq më shumë kërcënim dhe presion psikik për mbijetesën e banorëve shqiptarë në këto anë.
• Në tri komunat e cekur më lartë mungon liria e lëvizjes, veçmas në komunën e Medvegjës, Karadak të Preshevës dhe Malësinë e Bujanocit.
• Opinioni i Kosovës dhe mas-mediet tona shqiptare sikur nuk kanë fort interesim për zhvillimet që po rrjedhin brenda Serbisë dhe qëndrimit të saj ndaj shqiptarëve.
• Duhet të shfrytëzohet koha dhe momenti historik që gjatë bisedimeve të delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, në praninë e faktorit ndërkombëtar , përfundimisht të hapet Kutia e Pandorës lidhur me ndërtimin e reciprocitetit, duke e shtruar në tavolinë edhe çështjen e kësaj krahine të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Beogradit dhe pasuritë e shqiptarëve nëpër qytete të Serbisë.
• Duhet kërkuar që të ndërtohet një qëndrim, platformë a strategji afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë, se çfarë dhe si t’i artikulojmë kërkesat e tona ne shqiptarët kësaj krahine.
• Ende nuk kemi kurrfarë investimi në arsim e kulturë, por mund të flasim për tetëqind Abetare nga Ministria e Arsimit që u dërguan në tri komuna vitin 2010.
• Qeveri e Kosovës dhe ekipi që bisedon drejtpërdrejt apo nëpërmjet faktorit politik ndërkombëtar të këmbëngulë në hapjen e një universiteti publik në gjuhën shqipe.
• Dy akademitë tona sikur kanë rënë në heshtje edhe lidhur me propozimin e dytë të autorit të këtyre rreshtave për vendosjen e një shtatoreje të heroit tonë kombëtarë Skënderbeu në qendër të Bujanocit.
• Prishtina dhe partitë politike gabuan shumë rëndë kur gjatë konsultave nëse duhet të marrin pjesë në zgjedhjet nacionale apo jo dhe nuk i udhëzuan drejt.
Instruksionet e Kosovës
Institucionet e Kosovës duhet të na japin instruksione të qarta partive politike po qe se duhet të marrim pjesë në zgjedhje nacionale serbe, nëse po, pse të mos kërkohen kushtëzime:
I – Nëse garantohen pesë vende në Parlamentin e Serbisë dhe tri vende mund të fitohen me vota të drejtpërdrejta, përndryshe assesi JO .
II – Ku së bashku me deputetët e minoriteteve të tjera në Serbi, si: boshnjakët e Sanxhakut, hungarezët e Vojvodinës, bullgarët dhe romët do ta krijonin një klub të deputetëve, por edhe do ta udhëhiqnin së paku Ministrinë për Minoritete edhe atë me rotacion. Vetëm kështu ndoshta do t’ia vlente që shqiptarët të merrnin pjesë në jetën parlamentare dhe të bëhen një faktor politik dhe parlamentar .Kosova ka obligim moral, institucional dhe kombëtar të përkujdesët për të gjitha shqiptarët në ish-hapësirat e ngrehinës së quajtur Jugosllavi.Duke i përcjellë të gjitha këto me vëmendjen më të madhe në Kosovë, i vetmi lider nga e gjithë hapësira jonë shqiptare që mund të ndikojë dhe të afrojë është Hashim Thaçi, jo për pozitën tashmë si kryeministër dhe lideri më i votuar në Kosovë, por këtë kredibilitet, sa i përket çështjes dhe rreth kësaj Krahine e kishte gëzuar edhe më herët dhe e posedon edhe tash. Pasi ka pasur disa angazhime pozitive në të kaluarën në këtë drejtim, institucionet e Kosovës, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, njerëz me ndikim në jetën publike e politike të Kosovës, t’i bashkërendojnë qëndrimet, t’i harmonizojnë, të shkruhet një program, strategji veprimi, gjithmonë në konsultim të ngushtë me dy akademitë tona të shkencave, por edhe me miqtë amerikanë dhe faktorin politik ndërkombëtar.Çështja e shqiptarëve nga komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës të jetë edhe në agjendën, fjalorin dhe temën e bisedave në të gjitha nivelet për të gjithë, veçmas nga Presidenti, Kryeministri, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme. Është gabim politik dhe diplomatik nëse mendohet që Kosova i ka “duart e lidhura” që ta mbrojë çështjen e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të kësaj ane. Edhe në këto bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të përqendrohen edhe rreth reciprocitetit e të drejtave të njeriut. Kosova ka obligim moral, institucional dhe kombëtar të përkujdeset për të gjithë shqiptarët në ish-hapësirat e ngrehinës artificiale që qëndroi në këmbë të qelqta dhe u quajt Jugosllavi. Çështja e shqiptarëve nga komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë nuk është zgjidhur, po pret për t’u zgjidhur drejt.