Parandalimi dhe luftimi i kriminalitetit në vend mbetet prioritet i autoriteteve ligj zbatuese në vend dhe në këtë kontekst, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në funksion të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e ligjit më datë 14.09.2021 ka zhvilluar një operacion të bastisjeve në katër lokacione, tri në Regjionin e Gjakovës dhe një në Regjionin e Prishtinës.
Operacioni është zhvilluar me urdhëresë të gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti Special, pas kërkesës se pranuara nga autoritete policore të shtetit të Zvicrës, në bashkëveprim me një ekip hetuesish dhe një prokuror nga Shteti i Zvicrës, nëpërmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Në rajonin e Gjakovës janë bastisur dy shtëpi me objekte përcjellëse dhe një zyre projektuese, ndërsa në Prishtinë është bastisur një banesë. Gjatë bastisjes është arritur të sekuestrohen dokumente të ndryshme si: kontrata, fatura dhe dokumentacione tjera përcjellëse.
Në këtë rast është sekuestruar edhe një veturë e tipit Merecedes me targa vendore pronë e të dyshuarit H.B. (1957)
Gjykata kompetente në lidhje me rastin ka shqiptuar masën për parandalimin e shitjes së pronave (dy shtëpive dhe një banesë) dhe ngrirjen e llogarive bankare të të dyshuarave.
Dy persona (H.B. dhe A.B.) janë të dyshuar për veprat penale ”Pastrim i Parave”, “Mashtrim” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve“ bazuar në legjislacion penal të shtetit të Zvicrës dhe rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Policia e Kosovës është e përkushtuar që të avancoj edhe më tej bashkëpunimin me autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të të gjitha llojeve, përfshirë kriminalitetin transnacional./2LONLINE.com/