(2LONLINE) – Në Lëvizjen Vetëvendosje-Qendra në Dardanë thonë se me shqetësim po i ndjekin zhvillimet në institucionet komunale,konkretisht punimet në mbledhjen e parë të Kuvendit të Komunës së Dardanës me këtë rast vlerësojnë se pati shumë shkelje ligjore dhe shkelje statutare siç ishin: ndryshimi i statutit të Komunës së Dardanës pa debat me qytetarë dhe shoqërinë civile.
Arsim Thaçi këshilltar i kuvendit komunal nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë se këto shkelje u bënë për interesa të ngushta të këtij koalicioni PDK-AKR-AAK-GIZK(serbët),dëshira për të formuar sa më shumë drejtori në mënyrë për t’i përmbushur qëllimet e pushtetarëve dhe apetitet e këtij koalicioni joparimorë!
Sipas tij, ky koalicion në vend që të reduktojë shpenzimet në administratë dhe personel vetëm po i rritë ato dhe kështu po thellon humbjet në buxhet. Kjo gjë është kundërligjore,sepse një komunë me rreth 35.000 banorë sa i ka Komuna e Dardanës dhe me territor të tkurrur nga procesi i dëmshëm dhe i padrejtë i decentralizimit me 58 vendbanime,nuk duhet te ketë më shumë se 5+1 drejtori,e jo sa ka tani 11, një më pak sesa komuna më e madhe në shtet, Komuna e Prishtinës.
Thaçi po ashtu ka thënë se dhënia e dy pozicioneve drejtuese minoritetit serb është në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen lokale të Republikës së Kosovës dhe statutin e Komunës së Dardanës, njërin në legjislativ:zëvendëskryesuesin e Kuvendit të Komunës si dhe tjetrin në ekzekutiv: nënkryetarin e dytë të Komunës së Dardanës.
Sipas tij, këto dy pozita pakicës serbe më nuk iu takojnë,ngase në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011,numri i popullsisë së kësaj pakice nuk arrin as në 5% nga ku rrjedhimisht dhe ligjërisht më nuk iu takojnë këto pozicione, por, koalicioni PDK-AAK-AKR, i bëri këto shkelje për shkak të përmbushjes së apetiteve të listës serbe GIZK,ngase dy mandatet qe i ka kjo listë i duhen këtij koalicioni dhe kryetarit Sinani për të bërë votat e sigurta në kuvend për pazaret e dëmshme në dëm të interesave të qytetarëve.
Lëvizja Vetëvendosje! e përfaqësuar në Kuvendin e Komunës me një mandat këshilltari i kundërshtuam këto veprime,bashkë me grupin kuvendar të LDK-së,por,koalicioni qeverisës me 17 vota na mbivotoi dhe e bëri të veten.
I pakënaqur me zhvillimin e mbledhjes dhe me sjelljen e kryesuesit të kuvendit,anëtari i Lëvizjes vetëvendosje në Kuvendin e Komunës, Arsim Thaçi në shenjë proteste e lëshoi mbledhjen.
Edhe gjatë zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Dardanës pati disa procedura të parregullta zgjedhore,ku në fletëvotimin e hartuar për kandidatin për kryesues, kishte paqartësi për mënyrën e votimit,pra,kishte vetëm një rubrike(katrorë) dhe nuk theksohej se si të votohej,mungonin rubrikat(katrorët) për votimin kundër dhe për ambstenim.
Sipas vetëvendosjes, për të përmbushur apetitet e aleatëve të tij,kryetari Sinani bëri shkelje të dispozitave ligjore në fuqi kur emëroi zëvendëskryetarin dhe nënkryetarin nga anëtarët e koalicionit të tij(AAK-AKR),në kundërshtim të plotë me ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe statutin e Komunës së Dardanës.
Vërejtje tjetër shumë serioze ishte që nuk ka xhirime të plota dhe të rregullta për zhvillimin e seancës të Kuvendit të Komunës,si dhe pasqyrimi i atyre xhirimeve e lajmeve dhe njoftimeve në mënyrë të njëanshme në vebfaqen e komunës, ku mungon thelbi i zhvillimit të mbledhjes,diskutimet dhe propozimet e opozitës nuk figurojnë fare!
“Qytetarët e Komunës së Dardanës dhe opinionin e gjerë askush nuk guxon ta privojë nga e drejta e tyre për t’u informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga punimet dhe zhvillimet e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Dardanës. LVV-ja,si opozitë konstruktive në Kuvendin e Komunës së Dardanës krejt këto shkelje do t’i adresojë në MAPL dhe në Gjykatë,për t’i ndalur hovin paligjshmërisë së filluar në Komunën e Dardanës me këtë pushtet të ri çoroditës”, thuhet në një reagim të kësaj Lëvizje.
Vetëvendosje, thotë se do të punojë dhe angazhohet gjithmonë në interes të qytetarëve dhe për forcimin e institucioneve të komunës dhe zbatimin e ligjshmërisë së plotë në Komunën e Dardanës. /2lonline/