Pas raportimit të portalit informativ Titulli.com rreth mosrespektimit të dygjuhësisë në tabelat shënuese në Bujanoc, ka reaguar edhe Këshilli Kombëtar Shqiptar me seli në këtë qytet.
Fshirja e shkrimit shqip në tabelën e vendosur në sheshin e Bujanocit ka bërë që KKSH të reagojë, duke konsideruar se veprimet e kësaj natyre janë për keqardhje dhe si të tilla nuk i kontribuojnë aspiratës për forcimin e një shoqërie tolerante e të barabartë, të bazuara në respektin e ndërsjellë.
“Patur parasysh që përdorimi i gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj është e garantuar me ligjet përkatëse mbi përdorimin zyrtar të gjuhëve, njëkohësisht kjo është e garantuar edhe me konventat ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e KKSH-së të cilën e transmeton Titulli.com.
Këshilli Kombëtar Shqiptar, thekson që rëndësia e promovimit të dygjuhësisë në shenjat treguese është mjet për bartjen e mesazhit që hapësira konkrete i takon gjithë qytetarëve që jetojnë në atë vendbanim dhe fakt që jetohet në harmoni ndërmjet grupeve të ndryshme të popullsisë.
“Prandaj, në kuptim të kësaj, tashmë kemi kërkuar evitimin e këtij dëmtimi nga resori kompetent i komunës së Bujanocit dhe kërkojmë nga autoritetet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të parandaluar shlyerjen e mbishkrimeve në gjuhën shqipe”, thuhej matej në kumtesë.
Duhet theksuar se tabela në sheshin e Bujanocit e cila shënon në dy gjuhë zonën për këmbësor, nga persona të panjohur tashmë është kthyer në vetëm një gjuhë.
Me ngjyrë të bardhë është fshirë gjuha shqipe, duke mbetur vetëm shkrimi në gjuhën serbe “Pešačka zona”.