“Keqpërdorime të jashtëzakonshme po vazhdojnë të ndodhin me buxhetin komunal të Gjilanit, ku përveç tjerash, kryetari i Gjilanit pagoi 196,500.00 euro një kompani projektuese nga Prishtina, për hartimin e projektit të sheshit dhe objektit të administratës komunale”. ka thënë Riad Rashiti, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan.
Sipas tij, një hartim i cili është bërë në kundërshtim me procedurat dhe me ligjin e planifikimit hapësinor. Ky tender me negocim është dhënë më datë 15 shtator 2023, ndërsa pagesa i është bërë më datë 25 prill 2024”,
“Për këtë vizatim dhe video të bërë sipas dëshirave të tij, kryetari i komunës nuk ia besoi asnjë arkitekti të Gjilanit, por ka negociuar me kompaninë nga Prishtina, duke e kontraktuar me marrëveshje të fshehtë (përmes negocimit), pa procedura të hapura të tenderimit, ashtu siç kërkohet me ligjin e prokurimit. Kjo ka ndodhur vetëm për një arsye të përfitimeve materiale e financiare duke keqpërdorur buxhetin komunal, e për të realizuar interesin e tij si kryetar i komunës tonë”, thotë Rashiti.
Sipas tij, përveç dallavereve me këtë tender, kryetari i komunës për hartimin e një projekt kapital si ky, nuk ka organizuar dhe mbajtur asnjë dëgjim të vetëm publik, nuk ka konsultuar asnjë arkitekt të Gjilanit apo Shoqatën e Arkitektëve të Gjilanit, nuk ka konsultuar asnjë nga profesionistët që janë në kuadër të administratës komunale, nuk ka paraqitur para Kuvendit Komunal planin e implementimit të këtij projekti, nuk ka konsultuar fare anëtarët e asamblesë.
“E shkeljen më të rëndë që e ka bërë kjo qeverisje lidhur me këtë projekt, ka të bëjë me veprimet që janë plotësisht në kundërshtim me dokumentin e Planit Zhvillimor Komunal dhe ligjin e planifikimit hapësinor. Anulimi i PZHK në vitin 2022 dhe heshtja e qeverisjes së VV-së në Gjilan, tregon anarkinë e krijuar në qytet, krejt për përfitime, keqpërdorime dhe në kurriz të së ardhmes për qytetin tonë”, thotë tutje i pari i PDK-së së Gjilanit.
Sipas Rashitit, kjo formë e hartimit të projekteve, tenderi i dhënë sekret, lidhja e interesit të kryetarit të komunës me kompaninë nga Prishtina, pagesa që i është bërë prej 200 mijë euro, shkeljet ligjore të PZHK-së në Gjilan, është vetëm njëri nga skandalet që kanë ndodhur në prezantimet me lula të kryetarit të komunës, për 7 javë – 7 projekte.
Ai tha se fatkeqësisht, ky projekt jo vetëm që është i parealizueshëm në teren, por doli i kushtueshëm edhe për buxhetin e komunës së Gjilanit, dhe i pasurueshëm për kryetarin dhe qeverisjen e VV-së në Gjilan.
“Janë disa dhjetëra skandale e keqpërdorime që janë paraqitur e faktuar edhe në raportin e auditorit kombëtar të Kosovës, ku për të dytin vit radhazi komuna e Gjilanit e merr kartonin e kuq, duke u përjashtuar nga aplikimi në grantin e performancës në vlerë prej mbi 8 milion euro që i ndahet komunave të cilat qeverisen me performancë të mirë”, thotë Riad Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, në ditët në vijim, do të vazhdojnë paraqitjen e skandaleve tjera dhe keqpërdorimeve dhe dëmeve të jashtëzakonshme që po ia shkakton secilën ditë kjo qeverisje skandaloze, qytetarëve të komunës së Gjilanit. /2LONLINE/