“Edhe për të vdekurit në Gjilan ka eskaluar gjendja dhe problemi në varrezat aktuale të qytetit, aty moti kohë nuk ka vende, në shumë raste të vdekurit po varrosen mbi eshtrat e tjetrit, e lëre më të flasim për mirëmbajtjen e tyre që nuk ka aspak përkujdesje nga institucionet komunale. Reagimet e qytetarëve janë të përditshme dhe jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë, në një reagim të tij, Riad Rashiti, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Gjilan.
Sipas tij, është e pritshme dhe e dëshmuar që pushteti i VV-së asnjëherë nuk ka çmuar dhe mbrojtur dinjitetin e të gjallëve, por veprimet e tyre janë njësoj edhe ndaj të vdekurve tanë.
I pari i PDK-së së Gjilanit thotë tutje se qytetarët e Gjilanit në shumicën e rasteve kur po bëjnë varrimin e familjarëve të tyre, shprehin shqetësimin dhe mllefin se si po përballen me vështirësitë për të gjetur një vend për hapje të varrit, e ku më pastaj varrmihësit po hasin në eshtrat e të vdekurve tjerë vite më parë.
“Ishte rrëqethëse edhe për mua personalisht, kur në një rast varrimi të isha prezent, duke parë e dëgjuar ofshamat e familjarëve ndaj gjendjes se ku dhe në çfarë kushte janë detyruar të lëshojnë kufomën në varr. Tmerr vërtet tmerr. Gjynah të madh është kah bënë ky kryetar komune edhe me të vdekurit e qytetit tonë, krejtë kot e ka shkuarjen e tij në umre në vitin e kaluar, ndërsa muajin e kaluar ishte edhe haxhë në formë tinëzare, e arsyet i din vet ai, (idol ju ka bo ish kryetari i komunës, në secilin hap po mundohet ta imitoj njësoj, veç me punë nuk është kërkah hiq0> thotë Rashiti.
Sipas tij, vetëm të vdekurit nuk mund të protestojnë dhe të thonë “ Nuk dua të më varrosni në këto kushte dhe me një të panjohur në varrin tim”, por ne të gjallët e kemi obligim dhe secili nga ne duhet të reagojmë për këtë gjendje të mjerueshme.
“Edhe sipas kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, gjendja në varrezat ekzistuese është e mjerueshme. Kështu deklaroi ai, në seancën e shtatorit 2023, kur Kuvendi Komunal miratoi vendimin për lokacionin e ri të varrezave të qytetit, me votat e PDK-së pa të cilat nuk mund të merrej ky vendim. Por kaluan 10 muaj nga ajo kohë dhe asnjë lëvizje e veprim konkret nuk është bërë nga ana e qeverisjes së dështuar nga VV dhe një kryetar komune që nuk ka lëviz asgjë për të rregulluar infrastrukturën e varrezave të reja të qytetit”, thotë tutje në reagimi ne tij, Riad Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, çudia tani është se të gjithë po heshtin, bashkë me të vdekurit që po varrosen në rrethana të papranueshme.
Rashiti shprehet se një pjesë e vogël qytetarëve të Gjilanit ende po besojnë në qeverisjen e falimentuar të VV-së, për ndërtim dhe zhvillim ekonomik, por për shumicën e qytetarëve, ky kryetar komune është dorëzuar dhe mezi po e pret fundin e tij politik.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës, kemi shprehur në vazhdimësi gadishmërinë tonë për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi urgjent për Gjilanin. I kemi ofruar përkrahjen e plotë edhe Bashkësisë Islame në secilën iniciativë që rregullon infrastrukturën përcjellëse lehtësuese për besimtarët dhe qytetarët tanë”, thotë Rashiti.
Sipas tij, edhe pse i takon institucioneve komunale për të zgjidhur këtë problem, ndoshta disa veprime të Bashkësisë Islame do të ndikonin pozitivisht për të vënë në lëvizje këtë qeverisje të fjetur komunale.
“Duam të besojmë se inatet politike të këtij kryetari të komunës, nuk do të aktivizohen edhe ndaj këtij problemi kaq shumë serioz, ashtu siç po vepron kudo nëpër institucione komunale”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i Degës së PDK-së, në Gjilan. /2LONLINE/