(2L ONLINE) – Oferta e Lutfi Hazirit për të gjithë ata që i lajmërojnë rastet e korrupsionit, se mund të shpërblehen në të holla prej 500 deri në 2 mijë euro, po e dëshmon më së miri se aktualisht në komunën e Gjilanit ka korrupsion në të gjitha institucionet e saj. Kështu ka thënë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, në Gjilan.
Shih shkrimin: Lutfi Haziri ofron shpërblime prej 500 deri 2 mijë euro për lajmëruesit e korrupsionit
Sipas tij, në esencë, kjo ofertë publike e tij është një thirrje që ka për qëllim fshehjen dhe menaxhimin e rasteve të korrupsionit nga ai personalisht si kryetar komune, në rast se ndonjë qytetarë do të merrte guximin dhe të lajmëroj korrupsionin e zyrtarëve të tij? Pra ai dëshiron që denoncuesit e korrupsionit të orientohen në zyrën e tij si kryetar komune dhe mos të drejtohen këto denoncime në organet përkatëse të drejtësisë.
“Përndryshe qytetarët e Gjilanit, të gjitha rastet korruptive duhet ti lajmërojnë në organet e hetuesisë, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore, e mos të joshen nga kjo ofertë e Lutfi Hazirit me nga 2 mijë euro, e ndoshta edhe me shumë se nga 2 mijë euro të tjera do të shpërbleheshin ata nga zyrtarët e tij, vetëm për të heshtur këto raste të korrupsionit të cilat gjatë këtij viti kanë qenë të mëdha në institucionet e komunës së Gjilanit. Kryetari i komunës nuk ka buxhet të planifikuar për shpenzimin e dhënies së këtyre shpërblimeve dhe sigurisht se këtë pagesë do ta bënte nga”fondet” tjera vetëm e vetëm për të mos u dëgjuar se ka korrupsion në qeverisjen e tij”, ka thënë Rashiti.
Ai tha se po të ishte i vërtet angazhimi i Lutfi Hazirit ndaj luftës kundër korrupsionit, ai pikë së pari nuk do të duhej të emëronte drejtor të LDK-së nëpër shumë pozita udhëheqëse të institucioneve komunale, të dyshuar dhe të përfolur për shumë vite për marrje të ryshfetit dhe si shkelës të ligjit. Gjithashtu do të duhej të bënte thirrje publike, që për të gjitha rastet korruptive në komunë, qytetarët të drejtohen në Policinë e Kosovës, sepse shumica e qytetarëve nuk duan të identifikohen në paraqitjen e këtyre rasteve të kësaj natyre dhe se kryetari i komunës nuk është institucion që merret me hetimet e rasteve të korrupsionit.
Rashti ika bërë të ditur se Prokuroria e Shtetit të Kosovës, gjatë këtij viti 2014 ka ngritur kallëzim penal ndaj inspektorëve komunal të Gjilanit, si dhe Prokuroria Themelore në Gjilan është duke i hetuar të gjithë inspektorët komunal për korrupsion. Derisa sipas tij, në gjashtë vite të qeverisjes së PDK-së me komunën e Gjilanit, asnjëherë dhe asnjë rast nuk ka pasur ndonjë kallëzim penal, nuk ka pasur rrahje të inspektorëve komunal dhe nuk ka pasur burgosje apo arrestime. E tani kjo po ndodhë në qeverisjen e Lutfi Hazirit.
“Është hipokrizi e zakonshme e Lutfi Hazirit, i cili në debatin me qytetarë ka lavdëruar ata persona që kanë lajmëruar për shkelje të ligjit në raste të ndryshme gjatë këtij viti, sidomos që kishin të bëjnë me ndërtimet pa leje. Edhe përmes këtij falënderimi, kryetari i komunës e ka vërtetuar atë që ne si opozitë e kemi ngritur si shqetësim, se nëpër të gjitha institucionet e komunës së Gjilanit ka pasur shkelje të mëdha dhe keqpërdorime, gjatë këtij viti dhe duke filluar nga vet kryetari i komunës”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, PDK si opozitë, e ka ngritur për disa muaj çështjen e ndërtimeve pa leje në komunë, ku janë u ndërtuar mbi 55 objekte pa leje ndërtimi dhe jashtë kushteve të lejuara sipas planit rregullues urbanistik. Dhe deri më tani asnjë veprim nuk është marr nga ana e tij si kryetar komune, përveç që e ka shuar drejtorinë e inspeksionit. Kjo e ka dëmtuar mbi 200 mijë euro buxhetin komunal të vitit 2014. Andaj Lutfi Haziri është dashur që së pari vet, të mos korruptohet nga jaranët e partisë së tij, që janë deputet të Kuvendit të Kosovës dhe të cilët kanë ardhur nga Prishtina në Gjilan të ndërtojnë pa asnjë leje ndërtimore dhe pa asnjë euro pagesë në buxhetin komunal.
“Pra oferta e bërë nga ky kryetar komune, është taktikë e tij për tu mbrojtur para qytetarëve të Gjilanit për mos veprimin e tij ndaj rasteve të shumta të korrupsionit dhe shkeljeve të mëdha të procedurave ligjore, kryesisht me shpenzimin e parasë publike të buxhetit komunal përmes tenderëve të jashtëligjshëm, që këtë vit ka kontraktuar zyra e prokurimit në Gjilan”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, në Gjilan. /2L ONLINE/