(2L ONLINE) – Riad Rashiti, Anëtar i Kuvendit Komunal, nga radhët e PDK-së ka thënë se kanë mbi pesë muaj, nga data 20 maj 2014, kur kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri në një konferencë me gazetar, kishte deklaruar se komuna e Gjilanit ka fituar tre projekte nga Komisioni Evropian, në kuadër të projektit “Kosova e bukur”, duke theksuar se këto projekte do të fillojnë të realizohen në ditët në vazhdim, ndërsa nënkryetari i tij, në të njëjtën konferencë të përbashkët kishte thënë se këto projekte do të fillojnë të realizohen brenda dy muajsh. Por kjo ende nuk po ndodhë sot.
Sipas tij, po ashtu, kryetari Haziri kishte deklaruar në atë kohë, se vlera e tre projekteve të fituara kap shifrën e 600 mijë eurove, ndërsa sot tani po deklaron shifrën e një milion euro. Dhe vetëm njëra shifër mund të jetë e vërtet, e ajo shifër është pak mbi 600 mijë euro dhe jo një milion euro.
“Arsyet e ndryshimit të këtyre deklaratave, rreth shifrës së shumës për projektet e fituara nga Komisioni Evropian, nuk janë të vështira për ti kuptuar, sidomos kur vijnë nga kryetari i komunës së Gjilanit, i cili duket se ka shumë problem me numra dhe me matematikë në përgjithësi. Asnjëherë nuk e thotë shifrën e njëjtë për ndonjë projekt apo për ndonjë tregues tjetër, por e thotë varësisht prej gjendjes momentale që ndodhet ai. Nëse është nën ndikim të politikave ndërkombëtare me të cilat merret shpesh kryetari i komunës apo nën ndikim të “ahengjeve” dhe disponimit të lartë kur gjendet ai me ndonjë shoqëri të hareshme”, ka thënë Rashiti.
Ai tha se arsyet e vonesave për më shumë se pesë muaj, për fillimin e realizimit të këtyre projekteve, tanimë po dihen, por që janë të pa arsyeshme dhe të dëmshme për komunën e Gjilanit. Sipas informatave zyrtare, komuna e Gjilanit nuk po respekton procedurat ligjore dhe afatet për të realizuar këto projekte. Dhe nuk është e angazhuar seriozisht dhe e përkushtuar për të nisur realizimin e projekteve, kur dihet që tani veç i jemi afruar sezonës së dimrit.
Sipas Rashitit të PDK-së, për projektin e ndërtimit të trotuarit në lagjen Arbëria e deri te shkolla fillore “Mulla Idriz Gjilani” në fshatin Velekincë, zyra e prokurimit në Gjilan për plot pesë muaj nuk i ka përfunduar procedurat e tenderimit, si pasojë e shkeljeve që i ka bërë ndaj ligjit të prokurimit, vetëm e vetëm për t’ia dhënë tenderin një kompanie të preferuar të kryetarit të komunës së Gjilanit. Mirëpo këtë dhënie të tenderit ia ka anuluar Organi Shqyrtues i Prokurimit sepse ia kanë dhënë një kompanie me çmim për 15 mijë euro më shumë, dhe OSHP e ka detyruar komunën e Gjilanit që të respektojë procedurat dhe ligjin e prokurimit dhe ia dhënë tenderin një kompanie tjetër e cila ka qenë më e lirë në ofertën e saj, për realizimin e këtij projekti. Qeverisja e Lutfi Hazirit ka harruar se nuk mundet të përfitojë nga donacionet e Komisionit Evropian.
“Pra, keqpërdorimet për tentim të përfitimeve të ndryshme, kanë bërë që këto projekte të mos nisin të realizohen me kohë. Këto veprime të institucioneve komunale, rrezikojnë të humbin besimin te të gjithë donatorët e shumtë, që i ka pasur Gjilani gjatë viteve të kaluara. Ndërsa heshtja e Lutfi Hazirit, ndaj këtyre keqpërdorimeve të shumta dhe shkeljeve të ligjit të prokurimit që po bëhen nga zyra e prokurimit, është një lloj miratimi nga ana e tij, për të lejuar realizimin e interesave të caktuara dhe për të përfituar nga buxheti komunal dhe nga fondet e donatorëve”, thotë Rashiti.
Sipas itj, kjo është e patolerueshme dhe me pasoja shumë të mëdha për të ardhmen e komunës dhe investimet kapitale në Gjilan si dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të lokal dhe për mirëqenien e qytetarëve tanë. /2L ONLINE/