/2L ONLINE/ – “Gjilani humbi rastin e mirë për të përfituar nga grantet e mëdha të organizatës Zvicerane HELVETAS, përmes projektit të saj DEMOS i cili i ka shpërblyer komunat e Kosovës për performancë të mirë në menaxhimin financiar, ofrimin e shërbimeve publike dhe demokracinë lokale. Sepse komunës së Gjilanit iu pamundësua qasja në këto grante, nga mungesa e plotësimit të kushtet minimale si kritere të kërkuara dhe të përcaktuara nga kjo organizatë”.
Kështu është shprehur Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhtë e PDK-së së Gjilanit, sipas të cilit kriteri i cili e ka përjashtuar Gjilanin për të përfituar nga këto grante Zvicerane, ishin hetimet e bëra dhe aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj kryetarit të Gjilanit për dëmin e madh që ia bëri buxhetit të komunës dhe që është paraqitur edhe në raportin vjetor të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014/15.
Po ashtu sipas tij, përderisa komuna e Gjilanit me një kryetar të papërgjegjshëm dhe me një qeverisje të tij të korruptuar, komuna e Gjakovës me një kryetare të përgjegjshme përfitoi 600 mijë euro grante nga ky projekt shumë i rëndësishëm për qeverisjen në Kosovë.
“Lutfi Haziri dhe qeverisja e tij me vite po shëtisin nëpër vizita turistike, kinse për të sjellë donatorë e investime të huaja në Kosovë, ndërsa në anën tjetër ata po i përzënë dhe i largojnë ata që janë ekzistues, e të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për qytetarët e tanë dhe të Anamoravës”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Ai shtoi se Gjilani jo vetëm që po anashkalohet nga grantet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por po izolohet edhe nga donatorë dhe organizatat e huaj, të cilat dikur në qeverisjen e mirë të PDK-së e vlerësonin dhe e rendisnin si komunën më të mirë në Kosovë, duke e shpërblyer me nga tri çmime brenda vitit, për performancë të mirë në shumë sektorë të qeverisjes komunale. /2L ONLINE/