Riad Rashiti, kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Gjilan, ka thënë se vlerësimi për transparencën e komunave të Kosovës, e ka renditur shumë keq komunën e Gjilanit, e cila është e fundit në nivel vendi ku pas komunës tonë renditen vetëm komunat serbe që i raportojnë Beogradit dhe jo publikut dhe qytetarëve të Kosovës.
Rashiti tha se në vitin 2022 Gjilani ishte vlerësuar me 78 pikë, ndërsa në raportin e vitit 2023 me vetëm 39 pikë. Sipas tij, kjo gjë është e turpshme për qeverisjen komunale të drejtuar nga Alban Hyseni dhe Vetëvendosje, të cilët Gjilanin e kanë sjellë në këtë gjendje të krahasueshme me komunat që udhëhiqen nga kryetarë serbë.
“Fakti që edhe transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal e ka pamundësuar ky i ashtuquajturi kryetar komune në Gjilan, tregon për mjerimin institucional, politik dhe ekonomik. Asnjëherë tjetër komuna e Gjilanit nuk e ka përjetuar këtë tmerr institucional. Dështimet e qeverisjes në Gjilan nuk mund të mbulohen me shkarkim të ndonjërit prej drejtorëve komunal. Kryefajtori dhe kryedështuesi i qeverisjes së VV-së në Gjilan është ky kryetar komune të cilit i ka humbur busulla”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, qytetarët tashmë janë bindur se nuk kanë kryetar komune që i shërben atyre dhe që angazhohet për të përmirësuar dhe zhvilluar Gjilanin.
“Ky kryetar është zhytur në punë të ndyta, andaj nuk merret me zgjidhjen e problemeve të shumta që ka krijuar kjo qeverisje e VV-së, por po e rritë edhe më tej hendekun institucional karshi qytetarëve tanë”, ka thënë Riad Rashiti i PDK-së. /2LONLINE/