(2LONLINE) – Fërkimet e para pozitë-opozitë kanë filluar të gufojnë lidhur me Drejtorinë Komunale të Bujqësisë. Pas kritikave të ish drejtorit të kësaj drejtorie Nazmi Rapuca që vije nga radhët e PDK-së, tani parti opozitare, se qeveria e re po dështon, veqmas sektori i bujqësisë për shkak që ka humbur një donacion prej disa kultivatorëve (shih shkrimin: Qeveria e re e Gjilanit e filloi mandatin me dështime), ka reaguar Vaid Aliu, u.d. i drejtorit të Drejtorisë Komunale për Bujqësi, duke vlerësuar se ato që i ka thënë Rapuca nuk janë të vërteta, por se ai po e vajton humbjen që ka pësuar në zgjedhjet e fundit subjekti i tij. (shih shkrimin: Nazi vajton humbjen), e kjo ka nxitur tani kundër reagimin e Rapucës i cili sërish ka thënë se gjithçka që ka thënë e që është pasqyruar edhe në shkrimin Qeveria e re e Gjilanit e filloi mandatin me dështime” është e vërtetë.
Rapuca ka thënë se është e vërtetë se kultivatorët kanë ardhur në kohën e fushatës zgjedhore, është e vërtetë se komuna e Parteshit ka kërkuar që shpërndarja e kultivatorëve të bëhet pas zgjedhjeve që të mos mendohet se po përdoren për fushatë-për vota, është e vërtetë se zgjedhjet sollën pushtetin e ri i cili duhej të merrte përgjegjësinë edhe për këtë projekt.
“Është e vërtetë se pushteti i ri nuk u angazhua fare dhe e humbi projektin, është e vërtetë se edhe ne vitin 2012, kur po realizonim të njëjtin projekt, komuna e Parteshit tentoi ti merrte edhe kultivatorët e komunës së Gjilanit, por unë kurrë nuk lejova, është e vërtetë se gjatë dorëzimit të mandatit e kam porositu[r Vaidin të këmbëngulë për ti marrë kultivatorët. Bile këtë porosi ia kam lënë edhe me shkrim, ku i kam evidentuar të gjitha projektet që janë në vazhdim”, ka thënë Rapuca.
Ndërsa, sipas tij, nuk është e vërtetë që stafi nuk e ka ditur për projektin, nuk është e vërtetë që nuk ka pasur aplikues, por kanë qenë 35 aplikacione të fermerëve shumë të vyeshëm, të cilët kanë qenë në listën pritëse nga viti i kaluar.
“Siç mund të shihet, shkrimin e kam bërë, jo për të etiketuar, jo për të ofenduar dikë, siq bën ky pasardhësi im, por për të alarmuar kryetarin e komunës z.Haziri, që në këtë drejtori të emërojë njeriun e duhur; që të mos e katranosë drejtorinë e cila me performancën e saj ka qenë shembull në tërë Kosovën; e cila falë angazhimit të stafit të saj profesional, ka arritur të sjellë miliona investime në bujqësinë gjilanase”, thotë Rapuca. /2lonline/