Greva e punëtorëve të KRM “Pastrimi” në Prishtinë me kërkesën për rritje pagash dhe mos marrja e kësaj përgjigje akoma ka bërë që mbeturinat në kryeqytet të mbesin pa u mbledhur.
Senad Ramaj, Drejtor Ekzekutiv në KRM Eco-Higjiena në Gjilan, thotë se bashkëndjenë me këtë situatë dhe uron për zgjidhje sa më të shpejtë, ndërkohë që bënë të ditur se fatmirësisht në komunat e Anamoravës ku operon kjo kompani nuk kemi probleme të natyrës së tillë, andaj fokusi i kompanisë Eco – Higjiena është në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarë/klientelën.
Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Eco-Higjienës, po angazhohen që të ketë edhe inkasim efikas që mundëson shërbime cilësore dhe gjendje stabile financiare të kompanisë, për t’iu shmangur problemeve të tilla si në kryeqendër.
Për më tepër, Ramaj thotë se me aprovimin e tarifës së re nga kuvendi i aksionarëve, kompania Eco-Higjiena ka bërë edhe ngritjen e pagave për 60 punëtorët e grumbullimit të mbeturinave si dhe 50 punëtorët në sektorë tjerë.
Ai shtoi se po punojnë që të ofrojnë kushte sa më të mira për punëtorë dhe kujtoj faktin se kamionët janë pajisë me mekanizmin e zbrazjes dhe se kështu atyre iu mundësohet puna më e lehtë gjatë procesit të grumbullimit të mbeturinave.
Poashtu, tani për sezonë janë duke u përgatitur që punëtorët të pajisjen edhe me veshmbathjen e duhur për punë.
Megjithatë, për të ofruar shërbime sa më të mira, për kategoritë që i mbulon me shërbime kjo kompani (amvisëria/bizneset/institucionet komunale/), Senad Ramaj, Drejtor Ekzekutiv në KRM Eco-Higjiena, fton secilin klientë me obligime ndaj kompanisë, të paraqitet në zyrat e KRM Eco-Higjiena, apo te inkasantët dhe t’i shlyejnë ato, sepse vetëm pagesat që kryhen rregullisht dhe në kohë, garantojnë një shërbim cilësor dhe bashkëkohor.
Po ashtu duke qenë të rregullt në pagesa, kompania nuk do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprime tjera ligjore për të inkasuar borxhet, e klientët do t’u shmangen shpenzimeve tjera të panevojshme.
Përndryshe, ai ka bërë me dije se rastet sociale nuk faturohen, ndërkohë që ka edhe një apel për institucionet përkatëse që të përkujdesen për të ndëshkuar kushdo që degradon ambientet publike. Sa për sqarim, sipas kontratës kompania operon me shërbime për amvisëri, biznese dhe institucione komunale, por është e hapur për bashkëpunimi, për projekte të përbashkëta me institucione të tjera vendore e ndërkombëtare. /2LONLINE/