Kritikave të Shukrije Rapucës, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njëherësh edhe anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, në lidhje me sektorin e bujqësisë, iu është përgjigjur Ramiz Ramadani, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari.
Rapuca e kishte parë me syrin kritik raportin e Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari të Komunës së Gjilanit duke thënë se shihet që drejtoria asnjëherë nuk po arrin të realizojë buxhetin e planifikuar, e lëre më të realizojë premtimet elektorale për investime milionëshe në këtë lëmi.
Për më tepër, shih shkrimin e plotë: Rapuca (PDK) kritikon pushtetin për dështimet e Drejtorisë së Bujqësisë.
Por, nga ana tjetër, në reagimin e tij, drejtori Ramadani ka kërkuar nga Rapuca të mos bëjë fushatë me bujqësinë dhe se deklarimet e saja, sipas tij, janë të pamatura dhe me prapavi politike për një konsum të shkurtër.
Përndryshe ja edhe reagimi i plotë i Ramadanit dërguar 2LONLINE.com
Ky komunikim i drejtohet strukturës së gjerë dhe partneritetit shumë të madh të krijuar me shumë mund e më mbështetje të mëdha, në shërbim të mirë për fermerin e Gjilanit, i cili po e mbanë gjallë jetën tonë falë punës dhe produkteve që po na sjellë të gjithëve në sofrat tona.
Prandaj, e nderuara këshilltare e Kuvendit të Komunës, znj. Rapuca ju lus që të mos bëni fushatë me bujqësinë, sepse jam thellësisht i bindur se ky sektor nuk ju ndihmon aspak.
Deklarimet e tilla janë të pamatura dhe me prapavi politike për një konsum të shkurtër, por, më duhet ti sqaroj vetëm për hir të fermerëve tanë, për donatorët dhe investitorët e shumtë dhe për publikun e gjerë sepse, ajo që është thelbësore për këtë periudhë qeverisëse ne e kemi depolitizuar plotësisht bujqësinë.
Për t’u larguar nga retorika boshe dhe demagogjia verbale, do të plasojë argumentet dhe faktet të cilat na dallojnë rrënjësisht nga e kaluara.
1. Subvencionet ju dedikohen të gjithë bujqve, pa asnjë dallim.
2. Investimi në infrastrukturën rrugore, të cilat nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë.
3. Partneritet strategjik me kompanitë vendore dhe ndërkombëtare, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë.
Pasi që vaji juaj ishte në mungesën e investimeve në sektorin e bujqësisë dhe mospërmbushjen e planifikimeve, po ju informoj se investimet nuk i kemi bazuar vetëm në buxhetin vetanak por i kemi shterur të gjitha mundësitë për t’u dalë në ndihmë bujqve.
Nga skema e subvencioneve dhe granteve të MBPZHR, për vitin 2016 në Komunën e Gjilanit kanë përfituar 978 fermerë në vlerë prej, një milion e 656 mijë e 340 euro.
Nga partnerët strategjik për vitin 2016, për bujqit e Gjilanit kemi sjellë këto përfitime:
1. Projekti i ngritjes së 10 hektarëve me mjedër, përfitues 39 fermerë dhe vlera e investim 60 mijë euro, realizuar me partnerin “Fresh Fruit” nga Lipjani, i cili ka investuar 30 mijë euro dhe ka kontraktuar grumbullimin e prodhimit.
2. Nga organizata “HELP” kanë përfituar 14 fermerë, pajisje bujqësore në vlerë prej 30 mijë euro.
3. Nga agjencioni shtetëror turk TIKA, kanë përfituar 40 fermerë me mekanizim bujqësor, në vlerë mbi 30 mijë euro.
4. Nga projekti, “Përkrahja e agro-bizneseve në regjionin e Gjilanit”, i financuar nga BE-ja dhe i implementuar nga “Care International”, janë shpërndarë mekanizim bujqësor (kultivator dhe sharra elektrike) për kultivuesit e bimëve aromatike-mjekësore për tetë fermerë, dhe katër serra për perimtar. Vlera e këtij projekti është mbi 40 mijë euro.
5. Dhe së fundi kemi filluar një partneritet me USAID-in dhe me afaristin e kompanisë “Calabria”, për ngritjen e 50 hektarëve me vishnje të cilin partneritet po e jetësojmë tani.
Këto partneritete i kemi ndërtuar me shumë përkushtim, besim dhe profesionalizëm. Vlerësojmë se këto lidhje në shërbim të fermerit ndërtojnë të ardhme dhe janë strategji zhvillimore.
Investimet nga buxheti I Komunës së Gjilanit
Te investimet nga buxheti komunal, është arritur që falë mbështetjes dhe gatishmërisë së kryetarit Lutfi Haziri, ne ta realizojmë plotësisht planifikimin për vitin 2016.
1. Ngritja e 10 hektarëve me kulturën e mjedrës – vlera investive 30 mijë euro përfitues 39 fermerë.
2. Subvencionimi i mbjelljeve pranverore me fare misri, vlera e investimit 13 mijë e 800 euro, përfitues 406 fermerë.
3. Ngritja e 20 serrave komerciale, vlera e investimit 23 mijë e 400 euro, përfitues 20 fermerë.
4. Pajisja e bletarëve me Centrifuga elektrike për nxjerrjen e mjaltit, vlera investive 11 mijë e 305 euro, përfitues 35 bletarë.
5. Pajisja e blegtorëve me makina mjelëse dhe bidona të inoksit, vlera investive 16 mijë e 200 euro, përfitues 87 fermerë.
6. Mekanizim bujqësor, vlera investive 40 mijë e 560 euro, përfitues 70 fermerë.
7. Subvencionimi i mbjelljeve vjeshtore me 140 mijë kilogram fare gruri, vlera investive 34 mijë e 900 euro, përfitues730 fermerë.
8. Shtrimi i rrugëve të arave, vlera investive 100 mijë euro. Përfitues të gjithë banorët e fshatrave: Llovcë, Pogragjë, Uglar dhe Malishevë, ndërsa në planin e punës do të vazhdohet edhe tutje me rrugët e arave.
9. Trajtimi i qenve pa pronar.
10. Monitorimi i korrje-shirjeve ku janë arritur rendimente rekorde.
11. Menaxhimi i sëmundjes gungore të lëkurës tek gjedhet, groposja e 25 gjedheve.
12. Darka e Lamës, manifestimi përmbyllës i vitit.
Prandaj, nga të gjitha burimet e lartcekura, kanë përfituar 2431 fermerë në vlerë prej dy milion e 56 mijë e 505 euro.
Nuk jemi përsëri të vetëkënaqur dhe nuk do të ndalemi asnjëherë, sepse nevojat e bujqëve janë shumë më të mëdha se sa mundësitë tona, por e kemi ndërtuar një standard që meriton respekt.
Ramiz Ramadani,
Drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë