(2LONLINE) – Për Burim Ramadanin, sekretar i Përgjithshëm i AAK -së dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, marrëveshja për shpërbërjen e Parlamentit është marrëveshje e ditës së Shën Valentinit në mes të Thaçit dhe Mustafës.
“Një ditë Pasi kemi filluar ne mocionin për ta shkarkuar Qeverinë, Mustafa është takuar me Thaçin dhe e kanë bërë këtë marrëveshje. Tani do ta mbajnë apo jo është çështje e dashurisë. Por, ne besojmë se Qeveria duhet të shkarkohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Isa Mustafa po e amniston Hashim Thaçin me marrëveshjen që e ka bërë ditën e Shën Valentinit, por sidoqoftë, nëse vjen në Kuvend, ne do të bëjmë gjithçka që të shkojmë në zgjedhje”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në facebook..
Më tej ai ka thënë se preferojnë shkarkimin e Qeverisë, por, në mungesë të saj, ne do ta votonim shpërbërjen e Parlamentit që të shkohet në zgjedhje. “Ne mendojmë se mënyra më e mirë për të shkuar në zgjedhje është shkarkimi i Qeverisë, sepse nuk është mirë të shkohet në zgjedhjet duke e amnistuar Thaçin”, ka thënë Ramadani. /2lonline/