/2L ONLINE/ – Viti 2016 konsiderohet si viti rekord sa i përket të hyrave vetanake në komunën e Vitisë. Për 17 vite asnjëherë realizimi i të hyrave nuk ka qenë më i suksesshëm, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim Ibrahim Rama, në konferencën e rregullt për shtyp të kësaj drejtorie. Ai tha se në krahasim me vitin 2015 ka rritje për 173 mijë euro.
“Të planifikuara nga të hyrat vetanake për vitin 2016 kanë qenë 939.500 euro, ndërsa janë realizuar 955.000 euro, që do të thotë se shkalla e realizimit kalon në 101.6%. Pjesa dërmuese e të hyrave janë nga tatimi në pronë, por në gjitha parametrat e të hyrave kemi pasur rritje, gjë që është në të mirë edhe të institucioneve por edhe qytetarëve të cilëve u kthehet me investime. Gjithashtu vlen të përmendet se sivjet kemi rritje të buxhetit për 16.000 euro pikërisht për shkak të shkallës së mirë të të hyrave nga tatimi në pronë”, ka thënë drejtori Ramaj.
Duke folur rreth shpenzimit të buxhetit të planifikuar, ai tha se buxheti i shpenzimeve kapitale është realizuar në 99.8 %, që edhe është një e arritur e mirë pasi që edhe komunën, por edhe drejtorin e bënë të përgjegjshme.
Duke folur për aktivitetin e kësaj drejtorie, Ramaj përmendi punën që është bërë në përgatitjen e draft buxhetit që për vitin 2017 do të jetë 10 milion e 019 mijë euro, që bazohen në bazë të numrit të banorëve, nxënësve dhe kontrolleve mjekësore.
“Karshi nevojave që kemi dhe na paraqiten, ky buxhet nuk është i mjaftueshëm, por ne do të jemi të përkushtuar që ta menaxhojmë në mënyrë sa më racionale”, ka thënë Ramaj.
Sa i përket investimeve nga donatorët dhe organizatat e ndryshme gjatë vitit 2016, ai ka thënë se shuma e tërësishme e projekteve të realizuara arrin në 1 milion euro. Ndërkohë që duke folur për investimet në vitin 2017, Ramaj theksoi se shuma do të jenë afër 7 milion euro, ku 2.5 milion do të ketë investime nga niveli qendror. /2L ONLINE/