Valdet Rama, futbollist nga Kosova, është në qendër të vëmendjes së medieve spanjolle e ndërkombëtare, me depërtimin e tij dhe golin që shënoi për Valladolidin. Sulmuesi shqiptar me një teknikë të përsosur në stilin e Lionel Messit ka kaluar gjysmën e ekipit të Athletic Bilbaos dhe më pas shënoi gol të bukur, duke mahnitur të gjithë në stadium.
Valladolidi pësoi humbje si mysafir me rezultat 4:2 nga Athletic Bilbao, në ndeshjen e javës së 20-të të Kampionatit të Spanjës. Rama u aktivizua në minutën e 78-të në vend të Ebert, por që i dha gjallëri lojës.
Rama në minutën e 90+1 zbuti humbjen në 4:2, por mënyra se si i kaloi lojtarët vendas “çmendi” tifozët! Në fakt, Rama në fundvitin e kaluar u lëndua dhe mungoi në disa ndeshje, ndërsa ky është goli i tij i parë në vitin 2014.
Ai është anëtar i kombëtares së Shqipërisë, i cili deri më tash ka shënuar 16 paraqitje për Vallodolidin, që aktualisht zënë pozitën e 18-të me 16 pikë, kurse Atletic Bilbao është i katërti me 39 pikë të mbledhura.