Kryeministri Edi Rama vijon vizitën e tij zyrtare në Maqedoni. Mesditën e sotme ai është pritur nga homologu maqedonas Nikolla Gruevski, me të cilin ka zhvilluar një takim për rreth një orë.Në konferencën e përbashkët me gazetarët përveç bashkëpunimit ndërshtetëror, Rama u fokusua në çështjet e shqiptarëve, marrëdhëniet ndëretnike dhe procesin e domosdoshëm të integrimeve euroatlantike të të dyja vendeve, kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka folur asnjë fjalë për Marrëveshjen e Ohrit. Sipas agjencisë së lajmeve INA, Gruevski përmes një fjalie të shkurtër tha se marrëdhëniet ndëretnike janë stabile në vend.
Pas deklarimeve protokollare për intensifikimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në fusha të ndryshme, Rama më së shumti u ndal tek çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, transmeton Gazeta-Shqip.
“Sigurisht për ne është e rëndësishme që edhe Marrëveshja e Ohrit të jetë një pikë krijimi në gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet ajo dita ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve dhe suksesit të këtij vendi, që edhe ne jemi të interesuar dhe e mbështesim me gjithë zemër”, deklaroi Rama. Duke folur edhe për incidentet e fundit ndëretnike në Shkup, Rama tha se Qeveria shqiptare po ndjek me shqetësim të gjithë këto momente të shfaqjes së intolerancës dhe dhunës së natyrës ndëretnike. “Kemi qenë dhe mbetemi të vendosur të bëjmë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëdije, sepse mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike është sukses i përbashkët. Për ne është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në rajon dhe në këtë vend ku shqiptarët janë pjesë shtetformuese dhe janë të angazhuar në gjithë spektrin shoqëror dhe qeverinë e këtij vendi, që janë të interesuar për implementimin e marrëveshjes së Ohrit me sukses. Ne jemi mirëkuptues për kohën që kërkojnë proceset politike. Pra edhe një herë them se çdo shprehje dhune i çon proceset prapa”, theksoi kryeministri shqiptar.
Ndërsa, kryeministri Gruevski shkurtimisht u deklarua se marrëdhëniet ndëretnike janë stabile dhe se ato po ngrihen vazhdimisht përmes një debati.
“Bashkërisht vlerësuam se ka kontinuitet të bashkëpunimit dypalësh, për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, rrugor dhe hekurudhor dhe projekte në fushën e energjetikës. Jemi në fazën e nisjes për autostradën e Korridorit 8 dhe jemi të përkushtuar që të kemi kemi lidhje rrugore sa më të mirë me Shqipërinë”, theksoi Gruevski, duke shtuar se Maqedonia mbetet e angazhuar në përparimin e marrëdhënieve midis dyja vendeve në frymën e mirëkuptimit dhe miqësisë së mirë.