Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka njoftuar qytetarët se Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Hoxha, ka dorëzuar projektet e restaurimit të tri objekteve me rëndësi për trashëgiminë kulturore të Kamenicës.
Sipas të parit të komunës, pjesë e këtij projekti janë objektet si: Xhamia e Meshinës, Shtëpia e Jusuf Ademit në Leshtar dhe Shtëpia e Rrahim Sadikut në Gjyrishec, ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjetet financiare për restaurimin e tyre, duke u kujdesur që monumentet e një rëndësie kulturore e historike të ruhen dhe të promovohen edhe në të ardhmen.
“Është obligimi për institucionet lokale dhe qendrore i cili po përmbushet, me qëllim që këto monumente me një historik e rëndësi të tillë, hyjnë në procesin e restaurimit, për të përmbushur historinë teorike dhe ruajtur atë”, ka thënë Kryetari Rahimaj. /2LONLINE/