Kryetari i Komuës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Kryesuesin e Kuvendit Komunal në Kamenicë, Liridon Kastrati dhe Menaxherin e Njësisë Operative të Hidromoravës në Kamenicë, Sherif Thaqi, kanë pritur në takim Kryeshefin e “Hidromoravës”, Ymer Salihu.
I pari i komunës ka thënë se në këtë takim kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryeshefin Ymer Salihu për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat Karaçevë të Epërme, Hodonoc dhe Dajkoc.
“A jeni të gatshëm për një hap shumë të madh në komunën tonë të bukur? Ditët pa ujë, me mundime dhe improvizime, mbarojnë këtu. Së bashku me Kryeshefin e Hidromoravës, Ymer Salihu, kemi nënshkruar memorandumin i cili përmban: 349,000€ për ndërtimin e ujësjellësit në Karaçevë të Epërme. 100,000€ për kyçje në rrjetin e ujësjellësit në Hodonoc dhe Dajkoc. Pra, këto vende kaq të rëndësishme, po bëhen me ujë të pijshëm në secilën shtëpi”, ka thënë Kryetari Rahimaj. /2LONLINE/